Pesë mënyra për parandalimin e plakjes së lëkurës

  • 04 April 2020 - 11:45
Pesë mënyra për parandalimin e plakjes së lëkurës

Askush nuk e dëshiron plakjen, ndonëse të gjithë dëshirojmë të jetojmë gjatë. Si rrjedhojë, shumica e femrave anekënd botës vazhdimisht kërkojnë këshilla të ndryshme për parandalimin e rrudhave dhe shenjave të tjera, që simbolizojnë plakjen. Më poshtë jua kemi sjellë disa këshilla të rëndësishme në këtë aspekt, që me shumë gjasë nuk i keni dëgjuar.

1. SHMANGNI USHQIMET ME SHUMË KALORI!

Konsumimi i tepërt i ushqimeve që përmbajnë shumë kalori ka ndikim të madh, jo vetëm në peshën tuaj, mirëpo edhe në lëkurën dhe shfaqjen e rrudhave. Andaj, është shumë e rëndësishme që t'i shmangni ushqimet e tilla, nëse mëtoni të mos dukeni më e vjetër sesa që jeni në të vërtetë.

2. NDRYSHONI PRODUKTET QË I PËRDORNI!

Përdorimi i produkteve të ndryshme për zbutjen e lëkurës së fytyrës shumë shpesh mund të ketë efekt të kundërt, andaj, rekomandohet që, nëse mëtoni ta shmangni plakjen e parakohshme, të konsultoheni me dermatologun për produktet tuaja. Ka mundësi që ju nevojitet një ndryshim radikal i llojit të produkteve që përdorni.

3. SHMANGNI PAJISJET ELEKTRONIKE!

Sipas një studimi të bërë së fundmi, përdorimi i tepërt i celularit të mençur apo pajisjeve të tjera me ekran, luan një rol të madh në procesin e plakjes. Andaj, nëse jo për diçka tjetër, për hir të lëkurës së fytyrës suaj, shmangni përdorimin e tepërt të pajisjeve elektronike.

4. KONSUMONI USHQIME TË NGRIRA!

Ndonëse mund të tingëllojë paradoksale, ekspertët rekomandojnë që, nëse nuk keni mundësi të blini pemë e perime, për të cilat jeni të sigurt që janë të freskëta, më mirë është të konsumoni pemë e perime të ngrira. Kjo për faktin se, sipas tyre, pemët dhe perimet e ngrira përmbajnë sasi më të madhe të vitaminës A dhe C si dhe të antioksiduesve, sesa pemët dhe perimet që qëndrojnë për ditë të tëra në dyqan.

5. PINI KAFE!

Sipas një studimi të bërë në Japoni, konsumimi i kafeinës, pra, kryesisht kafesë, luan një rol të rëndësishëm në luftimin e shenjave që shfaqen si pasojë e ekspozimit ndaj diellit. Janë pikërisht këto shenja që bëjnë të dukeni më te vjetër.

(Kosova Sot Online)