Kjo është historia e make up-it

  • 11 April 2020 - 11:41
Kjo është historia e make up-it

Evolucioni i grimit në shekuj, nga antikiteti deri në ditët moderne, si ka ndryshuar dhe janë rikthyer sërish disa nga tendencat që nuk kanë dalë kurrë nga moda.

A e dini se Kleopatra e pastronte fytyrën me maska argjili nga lumi Nil? Ose që Marie Antoinette dashuronte buzëkuqin e theksuar? Bordo ju sjell në historinë e modës dhe grimit, disa kuriozitete që ndoshta nuk i dinit për historinë e make up-it.

Make up-i daton që nga kohërat e lashta dhe gjithmonë është konsideruar si një tipar dallues jo vetëm i grave, por edhe pjesës tjetër të shoqërisë. Përdorimi i grimit tek gratë qysh në kohët parahistorike, dëshmohet nga grafitet e shumta, ku edhe bien në sy disa nga mënyrat sesi grimoheshin gratë asokohe, qoftë për sytë, buzët apo fytyrën. Historia tregon se grimi ndryshon në varësi të fiseve, të cilat identifikoheshin mes tyre pikërisht mbi mënyrën sesi zgjidhnin ngjyrat dhe domethënien që ato kishin.

Por çdo periudhë kishte edhe momentet e veta identifikuese. Në periudhën e Rokokosë së Marie Antoinette, grimi tek gratë ishte një simbol i luksit dhe pasurisë, ndërsa me ardhjen e kinemasë dhe televizionit me ngjyra në vitet ’40; grimi u kthye vërtet në një art. Le të fillojmë udhëtimin tonë në kohë, një histori e mbushur me kureshtje, ku do të zbuloni konceptet dhe stilin e make up-it në histori, por edhe sesi ai ka evoluar deri sot.

Origjina e kozmetikës

Përdorimi i ngjyrave dhe kozmetika personale ka qenë një ritual që nga ditët e hershme të historisë sonë. Karboni dhe mineralet me ngjyra ishin ndër përbërësit e parë të cilët u përdorën për të vizatuar ose për të krijuar simbole në trup, ku pjesë e së cilës ishte edhe fytyra. Në kohën e egjiptianëve, kujdesi personal filloi të evoluojë duke u kthyer në një kulturë më vete. Mbretëresha Kleopatra, e konsideruar si një nga ikonat e para të bukurisë absolute femërore, vendosi të theksojë sytë, duke errësuar qepallat dhe qerpikët, ndërsa shtoi tonet e së gjelbrës tek mbetjet e karbonit, duke përdorur e para një grim, i cili afrohet me atë modern. Po këtë periudhë daton edhe parfumi i parë, ai u përdor në formën e vajrave, por nuk derdhej në qafë apo krahë, por direkt mbi flokët e kokës. Kurioziteti më unik rreth mbretëreshës së bukur të Egjiptit është se ajo përdorte rërën për të bërë skrab për lëkurën dhe maska nga argjila e lumit Nil.

Një periudhë e rëndësishme ku gjenden gjurmët e make up-it në histori është shekulli 16-të deri në shekullin 18-të. Duket se dinastia Tudor dhe mbretëresha Elisabeta i solli një periudhë të prosperitetit dhe vlerësimit të artit të kozmetikës. Ishte pikërisht kjo mbretëreshë, e cila solli trendin e një grimi të zbehtë, të asaj që quhet ‘lëkurë porcelani’, i cila mbeti popullor deri në vitet 1800. Synimi i këtij grimi ishte zbardhja e lëkurës duke i dhënë asaj dritë përmes përdorimit të pudrës, e cila edhe pse asokohe ishte toksike, duke shkaktuar probleme dhe plagë të mëdha, deri në vdekje, nuk u shmang asnjëherë, duke i kushtuar jetën qindra femrave. Elizabeta besonte se grimi me lëkurë porcelani ruante feminitetin dhe nxirrte në pah ballin e lartë, një tipar i hijeshisë aristokratike.

Në shekullin e tetëmbëdhjetë, simboli i bukurisë ishte Marie Antoinette. Ajo kujdesej tej mase për pamjen e saj përmes një grimi ku ra në sy skuqja e mollëzave, duke shmangur zbehtësinë e lëkurës. Rose Bertin, stiliste dhe konsulente personale e imazhit të Marie Antoinette, e lidhi fort me kombinimin e të kuqes dhe të bardhës, ku theksonte lëkura e bardhë, buzët e kuqe të theksuara dhe mollëzat e purpurta. Kjo epokë shënon edhe hapin e madh drejt make up-it modern të ditëve të sotme!

Divat e kinemasë

Gjatë gjithë historisë shumë njerëz kanë ndjekur këshillat e stilit dhe trendet e grimit, por me ardhjen e kinemasë dhe daljen në skenë të yjeve të Hollivudit çdo gjë ka ndryshuar. Modelet femërore të periudhave të mëparshme, perëndeshat e pikturave të 900-ës, u zëvendësuan nga ikona të vërteta të bukurisë nga bota e kinemasë. Personazhe unike si: Audrey Hepburn, Marilyn Monroe, Greta Garbo, u bënë pjesë e tregut kozmetik, i cili filloi të merrte hov, duke përdorur imazhet e përsosura të artisteve për të shitur produktet e tyre. Por ka edhe disa të vërteta, pa të cilat, disa nga divat e kienmasë, nuk do të ishin kaq të famshme sa sot, nëse disa truke të vogla të make up-it të realizuara nga make up artistët e Hollivudit, do t’i kthenin ato në perëndesha të bukurisë. A e dini se Sophia Loren theksoi pamjen e saj duke përdorur vetëm buzëkuqët me tone bronzi ose kajsi, ndërsa Vivian Leight përdorte buzëkuqin për buzët dhe mollëzat. Allan Snyder, make-up artisti i Marilyn Monroe, ishte paraardhës i kontureve në grim, që gjenden edhe sot edhe kësaj dite. Ai zbehu grimin falë fondotintës më të errët në disa zona të fytyrës të divës duke krijuar një imazh optik. “Më premto që do të më grimosh kur të vdes!” – janë këto fjalët që Marilyn i kishte lënë si amanet make up artistit të saj.

Make up-i nga 1970 deri në vitet 2000

Jo vetëm kinemaja, por ardhja e muzikës rock dhe pop, futja në jetën tonë e televizionit dhe sidomos rëndësia e imazhit përmes reklamave, ndryshuan në mënyrë drastike konceptin femëror mbi estetikën, ndaj modelet dhe trendet janë tani në një kaleidoskop.

Vitet ’70-të u karakterizuan nga stili hipi, me pak grim, ku flokët ishin protagonistët, ndërsa në vitet ’80-të, muzika dance, solli një grim shkëlqyes, ku binin në sy efektet metalike. Gjatë viteve ’90 dhe ‘2000, sugjerimet ishin nga shijet ekstreme deri tek përzierja e stileve, here grim i errët i frymëzuar nga stili gotik, e deri tek kozmetika nude, ku make up-i ishte si ngjyra natyrale e lëkurës. A e dini se ylli i muzikës pop Britney Spears, idhull i shumë vajzave në vitet 2000, ka një defekt tek sytë, pasi bebet janë të zhvendosura poshtë, ndaj ajo për të fshehur problemin, ka përdorur gjithmonë grim intenstiv smokey Eyes. Victoria Beckham, ish-këngëtare e Spice Girls, është e fiksuar pas kujdesit të lëkurës, pranon se ka shpenzuar një shifër shumë të madhe vetëm për një krem dielli. Përveç kësaj, ajo pranoi se nuk është shumë fanse e buzëkuqeve, pasi preferon të përqendrohet tek sytë.

Make up-i i ditëve moderne

Ardhja e internetit solli një përzierje të stileve dhe kulturave duke ofruar një kombinim të ideve dhe modeleve të bukurisë femërore. Sot është më e lehtë, nëse do të adaptohesh me një make-up ‘American’ nëse preferon të biesh në sy, ose ‘stilin italian’ kur preferon një make-up pa shumë make-up dhe ai ‘francez’ me buzë të kuqe dhe vijëzues. Gjithçka tani vjen e frymëzuar direkt nga mediat sociale dhe yjet e modës apo muzikës.

A e dini se një nga sekretet e bukurisë së Jennifer Lopez për të pasur një ngjyrë të artë dhe të pastër të lëkurës, është një mbrojtës dielli i veçantë që e përdor gjatë gjithë vitit. Thuhet se Beyoncè gjithmonë shton lëng limoni në vaskë, në mënyrë që të bëjë lëkurën të ndritshme.

Gurutë e uebit

Prej vitesh uebi është kthyer në një busull për këshillat e kozmetikës. Të ashtuquajturit influencues, kanë kanale mjaft popullore në YouTube, ku propozojnë gjithçka ju duhet për grimin. Ndër youtuberset më të famshme të kozmetikës në botë sot janë amerikanet Michelle Phan dhe Lisa Eldridge, të cilat japin këshilla mbi make up-in. A e dini se shumë produkte kozmetike janë bërë IN, sepse ato janë sugjeruar nga blogerët dhe youtubersat. Ato shpjegojnë ABC-në e grimit, pa folur për tendencat e fundit.

Ajo që mbetet synim i shumë prej atyre që orientojnë tendencat e grimit, qoftë aktualisht, por edhe duke ju referuar historisë së shkuar është se në ADN-në tonë ka gjithnjë një dëshirë të madhe që na orienton drejt së bukurës, si një akt optimizmi që i jep pozitivitet trupit dhe shpirtit.

(Kosova Sot Online)