Zgjidhja e problemeve verore të flokëve dhe lëkurës

  • 18 April 2020 - 08:29
Zgjidhja e problemeve verore të flokëve dhe lëkurës

Stina më e nxehtë e vitit karakterizohet nga pushimet e gjata buzë detit, megjithatë kjo stinë me vete sjell edhe shumë probleme, kryesisht me lëkurën dhe flokët. E, për t'ju ndihmuar që t'ia dilni mbanë pa shumë probleme, më poshtë ua kemi sjellë disa këshilla për trajtimin e problemeve të ndryshme verore.

DJEGIA E LËKURËS NGA DIELLI Parandalimi është kura më e mirë, andaj dermatologët rekomandojnë përdorimin e vazhdueshëm të kremit për mbrojtjen e lëkurës nga rrezet e diellit. Megjithatë, kremrat nuk mund të jenë të përkryer, andaj shpeshherë lëkura bie pre e djegies nga rrezet e forta të diellit. Për trajtimin e lëkurës së djegur nga rrezet e diellit rekomandohet trajtimi dhe ngjeshja e saj me akull, si dhe përdorimi i kremrave që përmbajnë hidrokortizone.

LËKURA JO E SHESHTË Ekspozimi ndaj rrezeve të diellit shpeshherë shkakton shpërfaqjen e pigmenteve të ndryshme në fytyrë, që bëjnë që lëkura e fytyrës të mos jetë e sheshtë. Mënyra më e mirë është që ta ruani këtë pjesë të lëkurës nga rrezet e diellit, pasi që është shumë e ndjeshme, e, nëse dëmi veçse është shkaktuar, përdorni lëvore që janë të lëngshme, pasi që ua qetësojnë këtë pjesë të lëkurës.

MUNGESA E SHKËLQIMIT TË LËKURËS Nëse lëkura juaj fillon të shfaq shenja të mungesës së shkëlqimit, atëherë duhet të filloni që ta rregulloni nga brenda. Për ta zbukuruar lëkurën tuaj nga përbrenda, konsumoni ushqime që përmbajnë vitaminë A dhe C, që në masë të madhe gjenden në perime të gjelbra. Për më tepër, lakra dhe brokoli përmbajnë sasi të madhe të estrogjenit, mungesa e të cilit në trup shkakton brishtësinë e lëkurës.

FLOKËT E DËMTUAR Nxehtësia e madhe e verës ka ndikim të madh në dëmtimin e flokëve tuaj, ndërsa nëse mëtoni ta parandaloni ose ta reduktoni dëmtimin e flokëve gjatë stinës më të nxehtë të vitit, trajtojini ata me produkte, që janë të prodhuara enkas për t'ia mundësuar flokëve që të prodhojnë lagështi natyrale, produkte këto që bëjnë që flokët të mbesin më të hidratuar. Një tjetër këshillë, që duhet pasur parasysh, është tharja e flokëve me tharëse që fryn ajër të ftohtë ose mesatarisht të nxehtë.

SHENJAT NË LËKURËN E FYTYRËS Puçrrat dhe shenjat tjera në fytyrë shfaqen në çdo stinë të vitit, mirëpo, djersitja dhe yndyra më e tepërt, që janë evidente gjatë stinës së verës, shkaktojnë shfaqjen e një numrit më të madh të këtyre shenjave në fytyrë. Për ta reduktuar këtë problem, gjatë stinës së verës përdorni vetëm produkte që përmbajnë acid salicilik ose acid glicolik. Të gjitha produktet, duke filluar nga kremrat deri tek produktet e sofistikuara të grimit, duhet të përmbajnë acide të tilla.

BUZËT E THARA Nëse keni menduar që buzët e thara dhe të çara shkaktohen vetëm si pasojë e motit të ftohtë, duhet të mendoni përsëri, pasi që edhe moti i thatë dhe i nxehtë që mbretëron gjatë stinës së verës ndikon në çarjen dhe tharjen e buzëve. Për ta evituar këtë problem shmangni përdorimin e balsameve që përmbajnë mentë, pasi që, përkundër faktit që përbërësit e tillë ndikojnë në hidratimin e buzëve, me kalimin e kohës, ato bëjnë që buzët të thahen.

PICKIMET E INSEKTEVE Mushkonjat janë insektet më aktive gjatë stinës së verës, të cilat, me pickimet e tyre, shkaktojnë irritime të ndryshme në lëkurë. Për ta parandaluar dëmin nga pickimet e tyre përdorni produkte speciale, që i zmbrapsin mushkonjat, ndërsa, nëse veçse keni rënë viktimë e pickimeve, trajtojeni atë pjesë të lëkurës me copëza të akullit, për ta shuar nxitjen për kruajtjen e lëkurës.

(Kosova Sot Online)