7 këshilla për dukje të përkryer edhe gjatë ditëve më të ngrohta

  • 22 April 2020 - 15:19
7 këshilla për dukje të përkryer edhe gjatë ditëve më të ngrohta

Për t'u dukur e freskët dhe e bukur edhe kur dielli ngroh pandërprerë ekspertët botërorë të grimit rekomandojnë shtatë këshillat në vijim.

REDUKTOJENI SASINË E GRIMIT! Për shkak të temperaturave të larta, grimi do të "shkrihet" dhe kështu duhet të keni kujdes se çfarë aplikoni në fytyrë. Nëse keni mundësi, përdorni pudër në formë të pluhurit, sepse ajo e thith tërë yndyrën dhe djersën nga fytyra. Mos e mbuloni tërë fytyrën me korrektor të lëngët, por përdoreni atë që është në formë shkopi dhe atë vetëm në vendet ku është i nevojshëm.

ZGJIDHENI PRODUKTIN UNIVERSAL! Në mënyrë që njëkohësisht t'ia ofroni lagështinë e nevojshme fytyrës, por edhe të mbuloni mangësitë eventuale në të, duhet të përdorni krem me ngjyrë të lëkurës. Nëse keni mundësi e blini atë me faktor mbrojtës. Kremrat me ngjyra përshtaten lehtë me ngjyrën natyrale të lëkurës suaj. Ngjyrat pak më të errëta do të sjellin ngrohtësi në fytyrën tuaj. I përdorni ato në vend të kremrave hidratuese.

MOS E TEPRONI ME NGJYRË PËR FAQE! Ngrohtësia e shpejton qarkullimin e gjakut në fytyrën tuaj dhe ajo duket shumë më e kuqe sesa zakonisht. Nëse megjithatë kjo nuk është e mjaftueshme, në fytyrë aplikojeni një sasi shumë të vogël të ngjyrës së kuqe për faqe në formë të pluhurit.

PARANDALOJENI SHKRIRJEN E GRIMIT NË SY! Shpesh ndodh që hija për sy të shkrihet për shkak të temperaturave të larta. Për këtë arsye do të ishte mirë që atë ta zëvendësoni me 'eyeliner' rezistues ndaj ujit. Nëse megjithatë nuk mundeni pa të, në sy së pari aplikojeni shtresën bazike e më pas hijen. Falë shtresës së parë sytë do të qëndrojnë më gjatë të grimosur dhe hija nuk do të shkrihet.

BUZËT E NGJYROSURA NË MËNYRË TË PËRKRYER Parandalojeni shpërndarjen e ngjyrës së buzëve duke aplikuar së pari lapsin për buzë. Natyrisht, ai duhet të ketë nuancën e njëjtë me atë të ngjyrës për buzë. Gjithashtu, gjatë kohës me temperatura të larta, është mirë që shkëlqimin për buzë ta zëvendësoni me balsam të zakonshëm, sepse ai i mbron buzët. Në fund, pas aplikimit të ngjyrës ose lapsit, në buzë ngadalë e mbështetni një fasuletë, e cila do ta heqë tepricën e yndyrës dhe ngjyra do të qëndrojë më gjatë e paprekur.

VERA NË THONJ V era ofron mundësinë ideale për eksperimentim me ngjyra të ndezura të cilat duken të përkryera në kombinim me lëkurën e rrezitur. A keni blerë ndonjëherë ngjyrë të ndezur, e cila është dukur krejtësisht ndryshe në thonj? Me siguri jeni zhgënjyer dhe keni menduar se vendin e ka në bërllok. Nuk ka nevojë që ta hidhni. Për ta arritur nuancën e njëjtë si në shishe, thonjtë së pari i ngjyrosni me ngjyrë të bardhë, e më pas me nuancën e dëshiruar.

MOS E HARRONI KREMIN PËR RREZITJE! Kremi për rrezitje duhet të bëhet pjesë e përditshmërisë suaj, por nëse qëndroni jashtë për një kohë më të gjatë, duhet ta përdorni atë me spektër të gjerë të aplikimit. Kërkoni kremra që janë të bëra në bazë të meksorilit ose heliopleksit, sepse ato përdoren për mbrojtje të tërë trupit. Kremrat dhe balsamet për buzë me faktor mbrojtës asnjëherë mos i lini në veturë ose vende të ngrohta. Temperaturat e larta shkaktojnë dobësim të përbërësve aktivë dhe nuk do ta keni më mbrojtjen e shënuar në paketim.

(Kosova Sot Online)