Si ta mënjanoni ngjyrën e verdhë nga thonjtë

  • 30 April 2020 - 15:04
Si ta mënjanoni ngjyrën e verdhë nga thonjtë

Shkaktarët e thonjve të verdhë janë të ndryshëm, por ekzistojnë disa preparate shtëpiake, të cilat ndikojnë në mënyrë efikase për mënjanim të ngjyrës së verdhë nga thonjtë tuaj.

LIMONI

Limoni është një produkt natyral zbardhës, i cili në mënyrë efikase mund t'i pastrojë njollat e verdha nga thonjtë tuaj. - Mbusheni gjysmën e një ene me lëng të freskët limoni. I zhytni thonjtë tuaj të njollosur në të për 10 deri në 15 minuta. Më pas përdoreni një brushë të butë të dhëmbëve për ta larguar ngjyrën e verdhë nga thonjtë. Në fund, i shpëlani duart me ujë të vakët dhe më pas aplikoni losion hidratues. Bëjeni këtë dy herë në ditë deri kur të jeni të kënaqura me rezultatet. - Gjithashtu, mund të përdorni vaj aromatik të limonit. E qitni pak vaj aromatik të limonit në një enë të cekët dhe i zhytni majat e gishtërinjve në të për disa minuta. Më pas i pastroni thonjtë me brushë të butë të dhëmbëve për dy minuta. Përsëriteni procedurën dy herë në ditë për t'i zbardhur thonjtë tuaj.

PASTA PËR ZBARDHJE TË DHËMBËVE

Pasta për dhëmbë që ndihmon për zbardhjen e dhëmbëve tuaj gjithashtu mund të përdoret për mënjanim të njollave të verdha nga thonjtë. Për njolla mesatare, mund të përdorni pastë që përmban cilindo përbërës zbardhës, duke përfshirë edhe peroksidin e hidrogjenit. - Aplikojeni një shtresë të vogël të pastës zbardhëse për dhëmbë në thonjtë tuaj. Lëreni që të qëndrojë 10 minuta. - Me një brushë për thonj i fërkoni lehtë thonjtë tuaj. - E mënjanoni pastën për dhëmbë me pambuk të zhytur në ujë të vakët. - Përsëriteni procesin dy ose tri herë në javë për një muaj.

LËVORJA E PORTOKALLIT

Sasia e lartë e vitaminës C në lëvoren e portokallit do të ndihmojë në mënjanimin e njollave të verdha nga thonjtë tuaj. - I fërkoni thonjtë me lëvore të freskët të portokallit dy ose tri herë në ditë. Brenda disa javëve, do t'i vëreni rezultatet pozitive. - I përzini dy lugë me pluhur të lëvores së tharë të portokallit dhe pak ujë për ta bërë një pastë të dendur. Aplikojeni atë në thonj dhe lëreni që të qëndrojë 10 minuta. Përdoreni një brushë të butë për dhëmbë për ta mënjanuar pastën e më pas i pastroni me ujë të vakët. Përsëriteni këtë proces dy herë në ditë për një ose dy javë.

UTHULLA E MOLLËS

Acidi i mollës dhe acidi acetik të pranishëm në uthullën e mollës ndihmojnë në reduktimin e njollave nga thonjtë tuaj. Ka gjithashtu karakteristika kundër kërpudhave, që ndihmojnë në trajtimin e cilitdo lloj të infektimit të thonjve që shkakton njollosjen. - I përzini nga një gjysmë filxhani me uthull molle dhe ujë të vakët. - I zhytni thonjtë tuaj në përzierje për rreth 20 minuta. - I thani thonjtë mirë me një peshqir të butë. - Bëjeni këtë tri herë në ditë për një muaj në mënyrë që ta trajtoni infektimin, si dhe ta reduktoni ngjyrën e verdhë. Vërejtje: Kjo kurë gjithashtu ndihmon në forcim dhe stimulon rritjen e thonjve.

TABLETAT PËR PASTRIM TË DHËMBËVE ARTIFICIALË

Përbërës tjerë efikas për thonj të njollosur janë tabletat për pastrim të dhëmbëve artificialë. Në to ka sodë të bukës dhe acid citrik, që ndihmojnë në mënjanimin e shumë llojeve të njollave. - I tretni dy ose tri tableta në një enë me ujë të vakët. - I zhytni thonjtë e njollosur në ujë për 15 minuta. - I thani thonjtë dhe aplikoni pak hidratues në duar. - Përsëriteni këtë proces tri herë në javë për dy muaj.

PEROKSIDI I HIDROGJENIT

Peroksidi i hidrogjenit ka karakteristika zbardhëse që bëjnë mrekulli në thonj me ngjyrë të verdhë. Sigurohuni që tretja të ketë vetëm 3 për qind të peroksidit të hidrogjenit. - I qitni tri deri në katër lugë me peroksid të hidrogjenit në një gjysmë filxhani me ujë dhe i përzini mirë. I zhytni thonjtë në të për dy minuta. Me një brushë të butë për dhëmbë o fërkoni butë thonjtë. Më pas i shpëlani me ujë. Bëjeni këtë një herë në javë për disa muaj.

(Kosova Sot Online)