Trajtojini qimet e fytyrës me ilaçe natyrale!

  • 01 June 2020 - 15:19
Trajtojini qimet e fytyrës me ilaçe natyrale!

Qimet, që shfaqen në fytyrë, përbëjnë një ankth për secilën femër, megjithatë, nëse edhe ju vuani nga një gjë e tillë, nuk keni pse të brengoseni më. Kjo për faktin se qimet në fytyrë mund t'i trajtoni me produkte natyrale, duke mos pasur nevojë ta shpenzoni një mal me para.

LARGOJINI QIMET ME SHAFRAN TË INDISË!

Përveç vetive antibakteriale që ka, pudra e shafranit të Indisë njihet edhe si luftues i madh i qimeve të fytyrës. Thjesht, duke vendosur pak pastë të shafranit të Indisë në pjesën e lëkurës kur keni problem, ju do ta kurseni veten nga shpenzimi i një shume të madhe parash për trajtime profesionale. Për të filluar me trajtimin, hidhni disa pika qumësht ose ujë në një ose dy lugë çaji me pudër të shafranit të Indisë. Pasi ta keni lënë përzierjen të qëndrojë në kontakt me lëkurën për 15-20 minuta, pastrojeni fytyrën me ujë.

PËRDORNI VAJ TË TRUNGUT TË ÇAJIT DHE LIVANDËS

Kjo zgjidhje natyrale mund t'ju ndihmojë shumë sidomos nëse problemi me qimet në fytyrë është shkaktuar nga çrregullimi i hormoneve. Përzieni 4 deri në 6 pika vaj të trungut të çajit dhe një lugë çaji vaj livande. Pasi t'i keni përzier mirë, me ndihmën e një topthi të pambukut vendoseni përzierjen në ato pjesë të lëkurës ku keni probleme me qimet kokëforta.

ÇLIROHUNI NGA QIMET DUKE PËRDORUR XHELATINË

Blini një pako të vogël të xhelatinës së paaromatizuar, mirëpo, në vend se ta përdorni në bazë të udhëzimeve të shënuara në paketim, merrni 120-150 gramë xhelatinë dhe përzieni me dy lugë gjelle qumësht. Përzierjes së fituar shtojani edhe disa pikë lëng limoni, për ta larguar aromën e rëndë. Përzieni mirë dhe më pas vendoseni përzierjen në mikrovalë për 15-20 sekonda. Pasi që ta nxirrni, priteni të ftohet sa të mos jetë e rrezikshme për lëkurën dhe vendoseni në lëkurë, për ta lënë pesë minuta, para se ta pastroni fytyrën.

SHMANGNI QIMET ME PAPAJË TË PAPJEKUR!

Papaja e papjekur përbëhet nga disa enzima, që kanë aftësi t'i shkatërrojnë rrënjët e qimeve, duke mos i lënë ato të zhvillohen. Për më tepër, papaja ndikon edhe në zbardhjen e qimeve, që, ngjashëm me limonin, nuk i lë ato të vërehen lehtë. Shumica e femrave e përdorin ilaçin natyral që krijohet nga përzierja e 2 lugëve të gjellës së papajës së imtësuar me një gjysmë luge çaji të shafranit të Indisë.

LIMONI DHE SHEQERI, KOMBINIM VRASËS PËR QIMET E FYTYRËS

Kombinimi i sheqerit me limon përbën një përzierje shumë efektive, sidomos nëse e përdorni rregullisht. Lëngu i limonit ndihmon në zbardhjen e qimeve të zeza në fytyrë, duke i bërë ato të vërehen më pak. Për më tepër, lëngu i limonit përmban edhe vitaminë C, që është një përbërës shumë i nevojshëm për mirëqenien e lëkurës. Fillojeni rrugëtimin tuaj drejt çlirimit nga qimet e fytyrës duke përzier dy lugë çaji lëng limoni me dy lugë gjelle sheqer. Me përzierjen e fituar bëjini masazh lëkurës, ku janë të shfaqura qimet, para se ta lini përzierjen që të qëndrojë në kontakt me lëkurën për rreth pesëmbëdhjetë minuta. Rekomandohet që një trajtim i tillë të bëhet dy herë në javë.

PËRDORNI BANANE DHE DRITHËRA!

Kombinimi i bananes me drithëra krijon një përzierje shumë të rëndësishme për luftimin e qimeve në fytyrë. Bananet ndikojnë në zbutjen e lëkurës, ndërsa drithërat në largimin qimeve. Thjesht, shtypeni një banane me një piru dhe shtojani një ose dy lugë gjelle drithëra. Pasi që ta keni përzier mirë, përzierjen e fituar aplikojeni në pjesën e lëkurës ku janë shfaqur qimet. Përfundimisht, pastrojeni lëkurën me ujë.

(Kosova Sot Online)