Vera në fytyrë, 7 ligje të grimit për tenin e nxirë

  • A.P /
  • 07 July 2020 - 07:48
Vera në fytyrë, 7 ligje të grimit për tenin e nxirë

Teni i nxirë për femrat është një kujtim i këndshëm nga pushimet. E pëlqejnë pasi në lëkurën e rrezitur shumë më pak vërehen mangësitë në fytyrë. Bukurinë e tenit të nxirë mund ta theksoni edhe më shumë me grimin përshtatës

1. HIDRATOJENI LËKURËN ME NDIHMËN E KREMRAVE USHQYESE!

'Se cilin krem hidratues do ta përdorni është shumë individuale, varësisht llojit të lëkurës', thonë ekspertët e grimit. Pas qëndrimit në diell dhe në det, lëkurën duhet ta hidratoni më shumë se kurrë, pasi që rrezet e diellit dhe kripa e detit e thajnë atë. Kremi hidratues po ashtu është bazë e nevojshme për grim.

2. ZGJIDHNI NUANCËN E DUHUR TË PUDRËS SË LËNGSHME PËR NGJYRËN MOMENTALE TË LËKURËS, TË LEHTË OSE KREM ME NGJYRË '

Kur teni është i nxirë, përkatësisht më i errët se zakonisht, ju nevojitet edhe pudër me nuancë më të errët', kujtojnë ekspertët. Nëse dëshironi që fytyra juaj të frymojë lirshëm dhe të mos ndihet e ngarkuar si pasojë e pudrës në fytyrë, zgjedhja juaj mund të jetë edhe kremi në ngjyrë. Pudra e lëngshme apo kremrat në ngjyrë janë bazë e domosdoshme për qëndrimin e bojëkuqit.

3. GRIMIN TA FIKSONI ME NDIHMËN E PUDRËS SË NGRIRË, VETËM AQ SA KA NEVOJË QË LËKURA TË SHKËLQEJË

Marrë parasysh faktin se mangësitë në lëkurën vërehen më pak, mjafton që të vendosni vetëm pak pudër të ngrirë.

4. BOJËKUQI ËSHTË GJITHMONË I MIRËSEARDHUR, I JEP FRESKI FYTYRËS

'Ngjyrat e bojëkuqit le të jenë të freskëta, për shembull ngjyrat e pjeshkës apo të gjitha nuancat e ngjyrës rozë. Zëvendësim i bojëkuqit për tenin e nxirë është bronzuesi, i cili duhet të përdoret vetëm kur jemi të nxirë, sepse kur jemi të "bardhë" nuk do të përshtatet", thonë ekspertët.

5. PËRDORNI SHKËLQIM OSE BUZËKUQ ME NUANCA TË GJALLA DHE GJITHSESI SHMANGNI NGJYRAT E ERRËTA

Ngjyra rozë, e kuqe e portokalltë janë ngjyrat e shkëlqyesit që do ta theksojnë tenin tuaj të nxirë. Buzëkuqit e errët, si ata me ngjyrë të verës, në tenin e nxirë nuk do të duken bukur, sepse sjellin një kontrast artificial.

6. KUR TEMPERATURAT TË JENË TË LARTA PËRDORNI MASKARË REZISTENTE NDAJ UJIT

Maskara është një nga ato prodhimet e kozmetikës dekoruese, të cilën nuk keni pse ta paguani shtrenjtë për të pasur grim cilësor gjatë verës, prandaj gjatë kësaj stine përcaktohuni për maskarë rezistente ndaj ujit.

7. PËRDORNI HIJE ME NGJYRË TË DHEUT, GURËVE APO NGJYRA TË ARTA

Nuancat rozë, të bronzta apo të gështenjës do të kombinohen me lëkurën pa u vërejtur fare, por me rëndësi është t'i theksoni sytë. Nëse dëshironi nuanca të buta në sy, përcaktohuni për ato të arta, rozë dhe korale.


(Kosova Sot Online)