Mënyrat e aplikimit të 'eyeliner'-it për forma të ndryshme të syve

  • E.K /
  • 20 July 2020 - 15:15
Mënyrat e aplikimit të 'eyeliner'-it për forma të ndryshme të syve

'Eyeliner'-i është njëri nga detajet më të rëndësishme të grimit, që ndikon në mënyrën se si duken sytë tuaj, mirëpo teknika juaj e aplikimit të 'eyeliner'-it mund të mos jetë e duhura për formën e syve tuaj, gjë që më pas shkakton efekt krejtësisht të kundërt. Artistja e grimit, Davinia Fermi, që ka punuar me supermodelet si Kate Moss dhe Gisele Bündchen, ka folur për sekretet e aplikimit të përkryer të 'eyeliner'-it në bazë të formës së syve tuaj.

SYTË NË FORMË TË BAJAMEVE

Sipas ekspertes së grimit, që tash e pesëmbëdhjetë vjet është pjesë e kësaj industrie, sytë që kanë kësi forme janë më të përshtatshmit për aplikimin e 'eyeliner'-it. Sipas saj, gjithçka ka të bëjë me simetrinë, pra nuk është e thënë që të shkoni me vija të trasha të 'eyeliner'-it. Thjesht, filloni me një vijë të lehtë nga skajet e brendshme të syve, duke e formuar stilin e grimit të syve të njohur si 'sytë sikur të maces.

SYTË E MËDHENJ

Davinia thotë që qëllimi kryesor që duhet ta kenë femrat me sy të mëdhenj është të mundohen që sytë e tyre të mos duken edhe më të mëdhenj. Ajo i këshillon femrat me sy të mëdhenj që të përdorin grim më të ndezur të syve, të kombinuar me 'liner' të zi e të trashë në qepallën e epërme dhe 'liner' të hollë në qepallën e poshtme, duke e tërhequr vëmendjen në pjesët e jashtme të syve. Nëpërmjet këtij triku, siç thotë Davinia, sytë tuaj duken më këndor, gjë që duhet të jetë edhe qëllimi juaj.

SYTË E VEGJËL

Për ta tërhequr vëmendjen tek sytë e vegjël, duhet përdorur 'liner' më dramatik. Fillimisht, ekspertja rekomandon dredhimin e qerpikëve për të bërë që sytë të duken më të gjerë, pastaj përdorimin e një ngjyre të çeltë në pjesën e brendshme të linjës së syve. E, për ta krijuar iluzionin e syve më të gjerë duhet të përdorni edhe laps me ngjyrë të bardhë apo me ndonjë ngjyrë të ndezur, në skajin e brendshëm të syve. 'Liner'-i i dyfishtë, në skajet e jashtme të syve është një tjetër gjë e nevojshme për t'i 'zmadhuar' sytë.

FEMRAT QË I KANË VETULLAT SHUMË LART MBI SY

Për femrat që kanë qepalla të mëdha të syve, ku ngjyra shpeshherë mund të humbet, Davinia rekomandon që të fillohet me konturim, para se të vazhdohet me pjesën tjetër të grimit. "Përdorimi i ngjyrave pa shkëlqim për konturimin e qepallave është një mënyrë e përshtatshme për ta krijuar iluzionin e qepallave më të vogla. Pa marrë parasysh se çfarë ngjyre përdorni, aplikojeni në skajet e brendshme të syve, edhe mbi edhe nën sy, në mënyrë që ngjyra të shihet edhe kur sytë i keni të hapur", ka thënë ajo. Për ta balancuar dukjen, Davinia rekomandon përdorimin e 'liner'-it më të theksuar në pjesën e poshtme të syrit.

SYTË QË JANË AFËR NJËRI-TJETRIT

Për sytë që janë të vendosur më afër njëri-tjetrit rekomandohet përdorimi i theksuesit në skajet e brendshme dhe i hijezuesit me nuanca të errëta në skajet e jashtme. "Në skajet e brendshme mund të përdorni ngjyrat metalike, ndërsa në ato të jashtme ngjyrat e errëta. Kjo gjë ju ndihmon në krijimin e balancën dhe iluzionit që keni sy më të larguar nga njëri-tjetri", ka thënë ajo. E, nëse kjo nuk ju duket e mjaftueshme, përdorni qerpikë artificialë në pjesën e jashtme të qerpikëve.

MËNYRA UNIVERSALE E APLIKIMIT TË 'EYELINER'-IT

Teksa flet për stilin e 'eyeliner'-it që u përshtatet të gjitha formave të syve, Davinia rekomandon një grim më të butë 'smokey'. Forma universale, më e përshtatshme, e aplikimit të grimit të syve, që u shkon të gjitha femrave, pa marrë parasysh formën e syve, është grimi i syve 'smokey', që mund të krijohet me nuanca të buta, si ngjyrë kafe apo edhe të gjelbër të çelët apo edhe me nuanca të errëta e metalike, i kombinuar me 'eyeliner' të bardhë në skajet e brendshme të syve dhe 'eyeliner' të zi në pjesën qendrore dhe skajet e jashtme.

(Kosova Sot Online)