Buzëqeshja thuhet të jetë ilaçi më i mirë

  • A.P /
  • 26 korrik 2020 - 09:02
Buzëqeshja thuhet të jetë ilaçi më i mirë

Buzëqeshja thuhet të jetë ilaçi më i mirë, mirëpo shenjat në fytyrë, që shkaktohen si pasojë e buzëqeshjes janë ndër shenjat më të qarta të pleqërisë, që ju bëjnë të dukeni më e vjetër më shumë se rrudhat dhe shenjat tjera nëpër fytyrë. Megjithatë, nuk keni pse të ndaloni së buzëqeshuri, pasi që shenjat në lëkurë që shkaktohen si pasojë e buzëqeshjes mund t'i largoni duke ndjekur këshillat e mëposhtme.

TRAJTOJINI KËTO SHENJA ME LIMON!

Lëngu i limonit është shumë i pasur me vitaminë C, andaj edhe është një ilaç i përkryer për trajtimin e lëkurës, pasi që ju ndihmon që lëkura juaj të bëhet më elastike. Për më tepër, lëngu i limonit i largon edhe radikalët e lirë, që janë shkaktarë të mëdhenj të shenjave të pleqërisë së parakohshme.

MASKA ME MJALTË DHE TË BARDHË TË VEZËS

Një tjetër ilaç krejtësisht natyral për trajtimin e këtij tmerri të lëkurës është përzierja e mjaltit me të bardhë të vezës. E tëra që duhet të bëni është ta tundni të bardhtë e një vezës dhe ta përzieni me një lugë gjelle mjaltë. Përzierjen e fituar aplikojeni në shenjat e shfaqura dhe lëreni të qëndrojë për 15-20 minuta, para se ta pastroni fytyrën me ujë të vaktë.

TRAJTOJINI RRUDHAT ME AVOKADO!

Shumë produkte kozmetike, për kujdes ndaj lëkurës, përmbajnë avokado dhe kjo gjë nuk është për t'u habitur pasi që kjo pemë ekzotike është e mbushur përplot me vitaminë E, element ky shumë i rëndësishëm për ta arritur një lëkurë të shëndoshë. Andaj, nëse dëshironi që edhe ju të përfitoni nga vetitë e kësaj peme, shtypeni një copë avokado me piru dhe masën e fituar aplikojeni në rrudhat e shfaqura.

'FSHINI' RRUDHAT ME XHEL TË ALOE-VERËS

Një tjetër përbërë i njohur i produkteve për kujdes ndaj lëkurës është aloe-vera, pasi që, ngjashëm me avokadon, edhe aloe-vera përmban sasi të madhe të vitaminës E, mirëpo ajo ka edhe sasi të madh të vitaminës C, një tjetër element shumë i rëndësishëm për mirëqenien e lëkurës. Kombinimi i këtyre dy vitaminave ju ndihmon në hidratimin dhe rinimin e lëkurës suaj.

SHAFRANI I INDISË

Shafrani i Indisë është njëri nga ilaçet më të përdorur për trajtimin e shenjave në lëkurë, që krijohen si pasojë e buzëqeshjes, ndërsa, e mira është që për krijimin e masës ju nevojitet vetëm një lugë çaji shafran, e kombinuar me disa pika ujë ose vaj ulliri. 

(Kosova Sot Online)