Një detaj i rëndësishëm në dukjen e çdo femre është mënyra se si duken thonjtë

  • A.P /
  • 10 August 2020 - 15:34
Një detaj i rëndësishëm në dukjen e çdo femre është mënyra se si duken thonjtë

KOMBINIMI BARDHEZI

Kombinimi i ngjyrës së bardhë me ngjyrën e zezë në thonj ndër vite ka qenë njëri nga trendët më të mëdhenj të sezonit të pranverës dhe verës, mirëpo gjatë këtij viti këtë kombinim do ta shohim shpesh edhe gjatë stinës së vjeshtës dhe atë të dimrit. Në fakt, ky trend i thonjve ka qenë njëri nga trendët që është parë më së shpeshti në revytë e modës. 

MANIKYRI ME NGJYRË TË KALTËR

Përveç hijezuesit të syve me ngjyrë të kaltër, që është parë shumë në revytë e modës për sezonin vjeshtëdimër të këtij viti, ngjyra e kaltër ka gjetur përdorim të gjerë edhe në manikyrin e modeleve. Në fakt, në shumicën e modeleve të paraqitura në pistat e modës kemi parë një kombinim në mes të hijezuesit të syve dhe thonjve me ngjyrë të kaltër.

MANIKYRI I RI FRANCEZ

Manikyri francez është një stil klasik i manikyrit, që ekziston tash e shumë kohë. Në origjinë, ky stil i thonjve ishte krijuar për të treguar një anë më të sofistikuar të femrave, pasi ky lloj manikyri kërkon kreativitet dhe përpikëri. Siç duket, ky lloj manikyri, me shumë forma të reja, do të jetë një trend i madh edhe për këtë vjeshtëdimër.

THONJTË NË FORMË OVALE

Thonjtë në formë ovale kanë qenë një trend i padiskutueshëm për sezonin pranverë-verë dhe, siç duket, ky lloj manikyri do të qëndrojë edhe për një kohë në modë. Thonjtë në formë katrore mund të jenë të parapëlqyerit e shumicës së femrave, mirëpo thonjtë në formë ovale, me majë gjysmërrethore, ofrojnë një dukje shumë më të sofistikuar.

THONJTË E SHKURTËR

Një tjetër trend i madh për sezonin vjeshtë-dimër të vitit 2015, sa i përket manikyrit, do të jenë thonjtë e shkurtër. Stilet e tilla të thonjve janë shumë të lehtë për t'u krijuar dhe për t'u mirëmbajtur, andaj edhe pëlqehen nga shumë femra anekënd botës. 

(Kosova Sot Online)