120 tituj të rinj nga Kosova në Panairin e Frankfurtit

  • 11 October 2017 - 08:45
120 tituj të rinj nga Kosova në Panairin e Frankfurtit

Prezantimi i vlerave letrare nga Kosova

Meholli: Panairi ndihmon shumë në afirmimin e letërsisë kosovare

“Kosova këtë vit i ka 120 tituj të rinj që prezantohen në Panairin e Frankfurtit dhe një numër të madh nga vitet e kaluara, po ashtu edhe fletëpalosjet dhe materialet e tjera me të dhënat e botuesve. Sivjet janë disa autorë që do të promovohen në kuadër të këtij panairi: Klara Buda me ‘Kosova mon amour’, Çun Lajçi me veprën ‘Përgjërime e fjalë’, Ismajl Syla me ‘Atdheu im i ngrysur’ etj.”, është shprehur Besian Zeneli, nënkryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës

Botuesit kosovarë do të prezantohen me 120 tituj të rinj në Panairin e Librit në Frankfurt të Gjermanisë, që hapet nesër. Ekipi i botuesve kosovarë tashmë gjendet në Frankfurt dhe nesër pritet të hapë stendat, në të cilat do të prezantohen vlerat letrare në këtë eveniment, i cili llogaritet si një nga më të mëdhenjtë e librit në botë. Pjesëmarrja dhe prezantimin i letërsisë kosovare në Frankfurt po shihet si një nga mundësitë më të mira për promovim të kulturës kosovare, veçmas krijuesve tanë, sidomos për prezantimin e botuesve tanë para audiencës gjermane. Me mbështetje të MKRS-së botuesi produksion letrar do të jetë pjesë e produksioneve nga mbarë bota dhe ky është një rast për shkëmbime dhe lidhje të ndërsjella, çfarë do të sjellë edhe mundësi për përkthim të letërsisë sonë në gjuhë të huaja.

Mundësi për promovim sa më të mirë

Besian Zeneli, nënkryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, në një prononcim për “Kosova Sot”, ka thënë se botuesit kosovarë marrin pjesë që nga viti 1999 në Panairin e Librit në Frankfurt. Ai ka thënë se tashmë pjesëmarrja në këtë panair është kthyer në traditë dhe ka një rëndësi shumë të madhe për kulturën tonë që të prezantohet në mesin e gjithë kulturave botërore. “Pa dyshim që ka probleme dhe vështirësi për të marrë pjesë dhe për t’u prezantuar siç duhet, sepse kjo ngjarje do  një punë të madhe ekipore që të rezultojë e suksesshme. Duke filluar nga aranzhimi i saj, dizajnimi apo dukja e hapësirës, sasia jo e vogël e librave që duhet dërguar për ekspozim, stafi i cili duhet të jetë në shërbim të promovimit dhe dhënies së informacionit e kështu me radhë!”, ka thënë Zeneli. Sipas tij, Kosova këtë vit ka 120 tituj të rinj që prezantohen në Panairin e Frankfurtit  dhe një numër të madh nga vitet e kaluara, po ashtu edhe fletëpalosjet dhe materialet e tjera me të dhënat e botuesve. Sivjet janë disa autorë që do të promovohen në kuadër të këtij panairi: Klara Buda me ‘Kosova mon amour’, Çun Lajçi me veprën ‘Përgjërime e fjalë’, Ismajl Syla me ‘Atdheu im i ngrysur’ etj. Një mundësi për prezantim dhe promovim të punës së saj do të ketë edhe Shoqata e Shkrimtarëve në Diasporë, me seli në Frankfurt, e cila do të bëjë disa promovime të autorëve shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Diasporë!

Të bëhet prezantim serioz

Në anën tjetër, për krijuesit tanë prezantimi i vlerave letrare në Frankfurt krijon mundësi për njohjen e produksioneve letrare kosovare. Bujar Meholli, në një prononcim për “Kosova Sot”, ka thënë se Frankfurti është vend-takim i botuesve dhe lexuesve nga mbarë bota dhe pjesëmarrja e botuesve kosovarë në këtë eveniment ndihmon shumë në afirmimin e letërsisë, por edhe të kulturës së Kosovës me botën. Ndërsa ka inkurajuar botuesit kosovarë që të mos hezitojnë, por në Frankfurt të sjellin botimet e tyre më të mira dhe të bëjnë një prezantim dinjitoz. Kurse ka porositur zyrtarë shtetërorë që të jenë afër nevojave të botuesve, me qëllim që ata të jenë sa më afër tregut botëror të librit dhe komunikimeve me të. “Ministria e Kulturës, gjegjësisht zyrtarët e saj, duhet të merren seriozisht me këtë çështje dhe t’i analizojnë të gjitha kërkesat që u adresohen, kërkesa këto që kanë të bëjnë me përkrahje të ndryshme të projekteve që kanë për qëllim primar zhvillimin e kulturës sonë në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Meholli. 

“Pa dyshim që ka probleme dhe vështirësi për të marrë pjesë dhe për t’u prezantuar siç duhet, sepse kjo ngjarje do një punë të madhe ekipore që të rezultojë e suksesshme. Duke filluar nga aranzhimi i saj, dizajnimi apo dukja e hapësirës, sasia jo e vogël e librave që duhet dërguar për ekspozim, stafi i cili duhet të jetë në shërbim të promovimit dhe dhënies së informacionit e  kështu me radhë!”, ka thënë Zeneli

Panairi i Librit në Frankfurt hapet nesër dhe mbyllet më 15 të këtij muaji. Ky panair llogaritet si më i rëndësishmi në mbarë rruzullin tokësor për librin dhe një ngjarje e madhe kulturore. Sipas statistikave, ky panair llogarite si më i madhi në industrinë botuese

 

(Kosova Sot)