Kultura, boshti kryesor i një populli

  • 21 October 2017 - 10:20
Kultura, boshti kryesor i një populli

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ

NGA PARATHËNIA E ANTOLOGJISË SË 21-TË TË FESTIVALIT NDËRKOMBËTAR TË POEZISË "DITËT E NAIMIT"

Sjelljet, qëndrimet dhe dashurinë e poetit e kuptojnë vetëm krijuesit


 "Në imagjinatën e poetit nuk ekzistojnë padrejtësitë, shtypjet e torturat, sepse për shpirtra të tillë jeta është e barabartë për të gjithë njerëzit e këtij planeti. Nga mendja dhe fjalori i poetit rrjedh vetëm dashuri, paqe, tolerancë dhe harmoni, e që të gjitha këto shprehen përmes vargjeve të secilit nga ju"


Festivali Ndërkombëtar i Poezisë "Ditët e Naimit", gjatë këtyre dy dekadave ka arritur që t'i bashkojë një numër të madh krijuesish vendorë dhe ndërkombë- tarë më renome botërore, të cilët i dhuronin publikut dhe lexuesit tonë vargjet e tyre që burojnë nga thellësia e shpirtit, e të skalitur në mendjen dhe vetëm me pendën e artistit. Gjatë kësaj kohe të shkurtër ekzistojnë një numër i madh krijuesish tanë të përkthyer në gjuhë të huaja, por bartësi dhe përfaqësuesi i letërsisë sonë në botë është shkrimtari Ismail Kadare, i cili përmes veprave të tij bëri që Shqipëria dhe kultura jonë të njihen në çdo kontinent. Letërsia jonë, edhe pse shumë e vonshme në atdhe, rrënjët e krijimtarisë i ka te autorët me origjinë shqiptare në shumë vende të botës, dhe prej tyre emra botërorë që fituan çmimin Nobel për letërsi. Nuk duhet të merret tendencioze nëse themi dhe konfirmojmë përmes dokumenteve historike se një pjesë e madhe të autorëve antikë të Greqisë ishin me origjinë shqiptare dhe se "Iliada" e Homerit, e shkruar në versionin origjinal, i ka mbi pesëmijë fjalë ilire. Të gjithë krijuesit vendorë dhe ndërkombë- tarë, të cilët ishin pjesëmarrës në edicionet e mëparshme "Ditët e Naimit", në këtë hapësirë deklamuan fjalët më të bukura artistike të tyre të thurura në vargje, të cilat u grumbulluan dhe u sistemuan duke na e mundësuar që prej tyre të ngremë lart përmendoren e poezisë, që po vazhdon të ndërtohet me fjalët dhe gjuhët e popujve të mbarë botës, e cila do t'i qëndrojë shekujve dhe do t'i shërbejë gjeneratave të ardhshme, duke e përçuar mesazhin se vetëm kultura është ajo që i bashkon popujt pa dallim race e gjinie, pa dallim religjioni e partie , pa dallim moshe e poste qeveritare.


POEZIA E NJË POPULLI ËSHTË ELEMENTI I PROGRESIT TË ATIJ POPULLI

Kultura është boshti dhe ambasadori më i mirë i çdo shteti dhe populli. Festivali Ndërkombëtar i Poezisë "Ditët e Naimit" ka filluar para dy dekadave në kushte shumë të vështira politike dhe ekonomike, që asokohe e kishte kapluar hapësirën ballkanike, që askujt apo pakkujt do t'i shkonte ndërmend për themelimin e një festivali të poezisë, siç e kishte vendosur poeti dhe profesori Shaip Emërllahu, që në thellësinë e shpirtit të tij buronte dashuria për fjalën e shkruar artistike. Për t'u ngritur një festival i tillë, siç është Festivali Ndërkombëtar "Ditët e Naimit", drejtori Shaip Emërllahu është dashur të sfidonte pengesa të shumta të natyrave të ndryshme, që nuk kishin të bënin asgjë më poezinë dhe që kishin të bënin më poezinë. Më një përkushtim të pa krahasueshëm dhe më një dashuri ndaj artit dhe popullit, Shaip Emërllahu dhe ekipi i tij arritën që për më shumë se njëzet vjet të ngrehin tempullin që quhet Festivali Ndërkombëtar i Poezisë "Ditët e Naimit", që aktualisht njihet si njëri ndër festivalet më të mëdha të poezisë në Ballkan. Vikor Hygo (Victor Hugo) shkruante se "Poezia e një populli është elementi i progresit të atij populli" . Shaip Emërllahu i brumosur me dy dashuritë: më dashurinë ndaj poezisë dhe me dashurinë ndaj popullit, do t'i tejkalonte të gjitha pengesat vetëm e vetëm që poezia e popullit të tij të kalonte hapësirat shqiptare, dhe letërsia që zhvillohej në botë të depërtonte edhe në këtë pjesë të Ballkanit që dikur ishte djepi i civilizimit botëror. Festivali Ndërkombëtar i Poezisë "Ditët e Naimit" është një udhëkryq i rëndësishëm i zhvillimeve letrare, jo vetëm për krijuesit vendorë, por për të gjithë poetët e mbarë botës, të cilët vit pas viti takohen në Tetovë duke na sjellë krijimet e tyre poetike më të mira, që bashkërisht t'i përjetojmë ato vargje, që bashkërisht t'i gëzohemi të arriturave të secilit prej nesh në këtë fushë të imagjinatës së krijuesve të të gjitha kontinenteve. Grumbullimi i poetëve në Tetovë gjatë Festivalit Ndërkombëtar "Ditët e Naimit" është një pasurim shumëdimensional për të gjithë pjesëmarrësit ndërkombëtarë dhe vendorë, sepse këtu gërshetohen kultura të ndryshme të vendeve më pak të zhvilluara, e më shumë të avancuara në letërsi, e të gjithë bashkë e përbëjnë një strumbullar të çmueshëm, i cili pastaj përçon mesazhe poetike në katër anët e globit. Poezia ndër artet më të bukura, i ka bashkuar në Tetovë në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë "Ditët e Naimit", jo vetëm thjesht poetët, por krijuesit e shumë vendeve të botës, të cilët shpirtërisht janë hyjnorë, siç shkruante Apollineri (Apollinaire): "Poezi e brishtë! Më e bukura art ndër artët! Ti që na nxitë pushtetin kreativ, na afron afër Hyjnisë".


 KONTAKTET SISTEMATIKE

Në pamje të parë poetët nuk dallojnë prej njerëzve të thjeshtë, mirëpo në thellësinë e shpirtit të tyre ekziston një vullkan imagjinativ krijues, i cili vlon brendapërbrenda vetes, duke mos e lënë poetin të bëjë gjumë të qetë, siç bëjnë të tjerët, e as të bisedojë siç flasin të tjerët, sepse dashuria për poezinë dhe inspirimi që akumulohet duhet të shpërthejë për t'u shkruar në letër e për të marrë dhenë. Sjelljet, qëndrimet dhe dashurinë e poetit e kuptojnë vetëm krijuesit, ndërsa për të tjerët krijuesit janë të pakuptueshëm. Në këtë tempull të poezisë "Ditët e Naimit", për çdo vit mblidhen shpirtrat më të sinqertë hyjnorë ku secili në mënyrën e tij përmes vargjeve brilante kontribuojnë në këtë fushë të letërsisë që e stolisin më perlat më të çmueshme të shumë shteteve dhe popujve të mbarë botës. Festivali Ndërkombëtar i Poezisë "Ditët e Naimit" ka për qëllim që t'i tubojë për çdo vit një numër të madh poetësh të vendeve të ndryshme të botës, në mënyrë që poetët vendorë të njihen me zhvillimet kulturore në botë si dhe anasjelltas, krijuesit e huaj të informohen me kulturën dhe letërsinë shqiptare. Kontaktet sistematike që krijohen gjatë këtij festivali, kanë rendësi të veçantë, sepse shkëmbehen përvoja dhe stile të ndryshme që e pasurojnë njëri-tjetrin, ngase poezia nuk është art që qëndron në një vend, por ajo evoluon dhe pëson ndryshime të vazhdueshme, gjë që këtë art e bën të gjallë e të lëvizshëm drejt përsosmërisë. Me plot të drejtë mund të thuhet se Festivali Ndërkombëtar i Poezisë "Ditët e Naimit" është një urë e shtrirë horizontalisht që i grumbullon vlerat dhe autorët, poezitë dhe poetët, një urë që i lidhë shtetet dhe popujt e që kontribuon dukshëm jo vetëm në letërsi, por edhe në afrimin dhe bashkimin e krijuesve botërorë. Festivali Ndërkombëtar "Ditët e Naimit", çdo vit, në mesin e shumë poetëve të njohur e më pak të njohur, e ndanë çmimin "Naim Frashëri" , ku njëherësh respektohet dhe përkujtohet poeti i famshëm shqiptar i Rilindjes sonë Kombëtare dhe poetët e shteteve të huaja. Çmimi letrar "Naim Frashëri" me të cilin shpërblehet çdo vit një poet, është ndër çmimet më prestigjioze të këtyre trevave ballkanike. Në këtë konkurrencë tepër të madhe defilojnë emra shumë të respektuar dhe të rëndë- sishëm në letërsinë botërore, ku secili është më i mirë se tjetri, por gjithnjë shpërblehet me këtë çmim vetëm një, pa i nënçmuar krijuesit e tjerë po aq me vlera të mëdha. Në imagjinatën e poetit nuk ekzistojnë padrejtësitë, shtypjet e torturat, sepse për shpirtra të tillë jeta është e barabartë për të gjithë njerëzit e këtij planeti. Nga mendja dhe fjalori i poetit rrjedh vetëm dashuri, paqe, tolerancë dhe harmoni, e që të gjitha këto shprehen përmes vargjeve të secilit nga ju.

(Kosova Sot)