Regjisorët hollivudianë nuk i provokon tema e Kosovës

  • 26 October 2017 - 08:36
Regjisorët hollivudianë nuk i provokon tema e Kosovës

VIJNË NË BALLKAN, POR JO EDHE NË VENDIN TONË

Abazi: Kinematografia kosovare nuk ka arritur të krijojë lidhjet me kineastët hollivudianë

Betejat e shumta të shqiptarëve me ushtrinë serbe, masakrat e kryera ndaj popullsisë civile nga serbët, vjedhja dhe shkatërrimi i pronës dhe trashëgimisë shqiptare, do të ishte dashur të tërhiqnin vëmendjen e regjisorëve me përvojë hollivudiane

Betejat e shumta të shqiptarëve me ushtrinë serbe, masakrat e kryera ndaj popullsisë civile nga serbët, vjedhja dhe shkatërrimi i pronës dhe trashëgimisë shqiptare, do të ishte dashur të tërhiqnin vëmendjen e regjisorëve me përvojë hollivudiane.

Defektet te diplomacia kulturore

Në një prononcim për "Kosova Sot', producent dhe aktori Avni Abazi është shprehur se janë të shumta arsyet pse ende kinematografia kosovare qëndron larg bashkëpunimeve me kineastë, filmbërës ose aktorë hollivudianë. Sipas tij, kinematografia kosovare nuk ka arritur të ndërtojë një infrastrukturë, sidomos në krijimin e lidhjeve apo bashkëpunimeve që do të sillte kineastët holivudianë në vend. Arsyet janë të shumta, sipas tij, pse nuk kemi ndonjë angazhim të ndonjë ylli kinemaje ose edhe bashkëpunim ndërkombëtar. Abazi ka thënë se defektet janë që nga Ministria e Jashtme, diplomacia kulturore në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Ministria e Diasporës si institucione e deri te artistët e QKKja. "Nuk kanë ditur të ndërtojnë një strategji të përbashkët me të cilën do të ofronin ngjarje, aspekte vizuale të vend xhirimeve, si dhe ekipe që do të mund të ofronin shërbime në film ose ekipe filmash me të cilat do të kontraktonin filmbërës ndërkombë- tarë në Kosovë", ka thënë Avni Abazi.

Kinematografia është fushëveprim që kërkon vëmendje

Ndërsa për drejtorin e "KosovaFilmit", Gani Mehmetaj, nuk është obligim i kineastëve apo kinematografisë kosovare për të sjellë në vend kineastë nga Hollivudi. Ai ka lënë të kuptohet se kineastët hollivudianë ndjekim tema, të cilat tashmë nuk janë atraktive, sikurse ishin disa vjet më parë. Ai ka thënë se nuk është barra as obligimi i kinematografisë sonë të sjellë emra të njohur në Kosovë, por është interesimi dhe interesi i Hollivudit që mund t'i shtyjë të bëjnë filma për Kosovën. "Viti 1998-99 apo edhe ndonjë vit më vonë ishte temë për Hollivudin (shpërngulja biblike e shqiptarëve, gjenocidi, përdhunimet), por edhe ajo kohë kaloi. Bota është edhe më e trazuar, aty gjenden tema për kineastët e Hollivudit", ka pohuar ai, në një prononcim për 'Kosova Sot". Kurse, Naser Shatrolli, skenarist dhe regjisor, është shprehur se mund të thuhet se është në përgjegjësinë e kineastëve tanë, për të ftuar kineastë hollivudianë të çfarëdo profili për të bërë filma me tematika rreth Kosovës. Sipas tij, duhet punë dhe përkushtim për të arritur bashkëpunimet e kineastëve tanë me ata të profilit hollivudian. "Kinematografia është fushëveprim që kërkon vëmendje, kërkon ndjeshmëri dhe afinitete në raport me tematikat dhe njerëzit që do të pasqyronin këtë temë. Uroj të kemi bashkërendime me këdo që trajton drejt e pastër dhe në frymë kinemaje filmin kosovar", ka thënë Shatrolli.

(Kosova Sot)