Dy muaj kohë MKRS-së për rritjen e pagave për punëtorët e Teatrit

  • 02 November 2017 - 09:36
Dy muaj kohë MKRS-së për rritjen e pagave për punëtorët e Teatrit

P remtimet e Qeverisë së Kosovës për rritje pagash në sektorin publik nga viti i ardhshëm kanë vënë në lëvizje punëtorët e institucioneve të Kulturës, të cilët kërkojnë të mos anashkalohen. Në fakt, ka vite që punëtorët e këtyre institucioneve përmes protestave, apo përfaqësuesve të tyre, janë duke kërkuar një trajtim të dinjitetshëm nga ana e MKRS-së, sidomos zgjedhjes së statusit të tyre. Për hir të së vërtetës, MKRS-ja vazhdimisht është pajtuar me kërkesat e sindikalistëve kulturorë, por deri më tani nuk ka arritur të kënaqë kërkesat e tyre. Edhe tashmë kur zëri sindikal 'alarmoi' MKRS-në, kjo e fundit premtoi rritje pagash dhe ndryshimet e nevojshme ligjore, të kërkuara për vite nga sindikalistët e kulturës. MKRS-së do t'i mbeten edhe dy muaj për të punuar për përmbushjen premtimeve. Por, ende mbesin shumë paqartësi sa i përket punës që duhet të bëjë MKRS-ja deri tek plotësimi i kërkesave të sindikalistëve, sidomos mënyrën dhe kriteret që do të zbatohen nga ministria për rritjen e pagave, fatin e rregullores së vitit 2011. Gazeta nuk ka mundur të marrë një përgjigje në këto pyetje nga ana e MKRS-së, gjatë ditës së djeshme. Në anë tjetër, njohës të zhvillimeve kulturore në vend dhe sindikalistët në vend presin veprime nga MKRS-ja, duke qenë të vendosur në kërkesat e tyre.

Dialogu dhe mirëkuptimi

Për Mehmet Breznicën, kryetar i Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës, zgjidhja e këtij problem duhet arritur përmes dialogut dhe mirëkuptimit të sindikalistëve dhe institucioneve. Breznica ka thënë se SHSTKK, si sindikatë përfaqësuese e punëtorëve të TKK-së, aktorëve, punë- torëve tekniko-artistikë dhe atyre të administratës, që nga themelimi i saj, e ka ngritur në vijimësi zërin për domosdonë e rritjes së pagave të punë- torëve dhe aktorëve të TKK-së. Sipas tij, SHSTKK konsideron se është momenti i fundit që Qeveria e Republikës së Kosovës të fokusohet më qartësisht tek institucioni i Teatrit Kombëtar dhe mirëqenia e stafit të tij. Rruga më e mirë, ka thënë ai, që kjo çështje të jetësohet është shfrytëzimi sa më i mirë i dialogut social me MKRS-në, përfshirë një bashkëpunim të ngushtë dhe pjesëmarrje të vazhdueshme të aktorëve kryesorë në këtë proces, e cila patejkalueshëm nënkupton dhe kontributin dhe prezencën e SHSTKK-së."Ne si sindikatë përkrahim rritjen e pagave për të gjithë punëtorët e TKK-së, pa përjashtim, bazuar në pozitën dhe përgjithësinë që kanë punëtorët e TKK-së. Në takimin që kemi realizuar me kabinetin e ministrit të Kulturës, më 24.10.2017, zaten jemi pajtuar që kjo rritje të bëhet në këtë mënyrë, duke filluar të realizohet që nga janari i vitit 2018", ka thënë Breznica për "Kosova Sot".

Trajtimi dinjitoz ligjor

Kurse Besnik Grajçevci, kryetar i Shoqatës Sindikale të Pavarur Ansamblit të Këngëve dhe Valleve "Shota", ka kërkuar një qartësi më të madhe nga ana e MKRS-së lidhur me premtimet për rritje pagash dhe rregullim të statusit të punëtorëve të institucioneve kulturore, duke përfshirë edhe ata të Ansamblit "SHOTA", të cilët i përfaqëson. Ai ka kujtuar veprimet e mëhershme të sindikalistëve të "Shotës", përmes së cilave është kërkuar trajtim dinjitoz të punësuarave të institucioneve të kulturës, si dhe rregullimin ligjor të pozitës së tyre. Edhe Sinan Kajtazi, kryetar i Këshillit Drejtues të Baletit të Kosovës, në një prononcim për "Kosova Sot", është shprehur se MKRS-ja ka bërë mirë që ka marrë parasysh kërkesat e artistëve. Sipas tij, Rregullorja e vitit 2011, e hartuar nga MKRS-ja, nuk është rregullore që i favorizon artistët e institucioneve të Kosovës. Në rend të parë, ka thënë ai, kjo rregullore duhet të ndërrohet dhe të modifikohet pasi që ka mangësi të shumta."Rruga më e mirë është që Ministria e Kulturës, në koordinim me drejtuesit e institucioneve të kulturës, të hartojë një rregullore të re, e cila është më fleksibile dhe në funksion të institucioneve kulturore. Si pasojë e rregullores së tanishme, e cila është hartuar pa u konsultuar me njerëzit kompetentë të institucioneve, kanë lindur edhe pakënaqësitë tek ne", ka thënë Kajtazi. Kurse në një prononcim për "Kosova Sot" producenti Avni Azemi, duke folur rreth pagave të punëtorëve të fushës së teatrit, ka thënë se mënyra më e mirë për rritjen e pagave të punëtorëve të artit është që të zbatohet Ligji për teatro në nivel vendi. Në këtë mënyrë, sipas tij, do të bëhet rregullimi i kësaj kategorie njëherë e përgjithmonë.

(Kosova Sot)