Historiografia jonë spikat Isa Boletinin, harron trimat e tjerë nga Kosova

  • 04 November 2017 - 08:21
Historiografia jonë spikat Isa Boletinin, harron trimat e tjerë nga Kosova

KONTRIBUTI I SHQIPTARËVE TË KOSOVËS PËR PAVARËSINË E SHQIPËRISË MË 1912

Çdo nëntor, shqiptarët kujtojnë heronjtë e tyre, të cilët më 28 të vitit 1912 ishin pjesë e atyre zhvillimeve. Veçmas në aktin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Natyrisht se kështu ndodh edhe në Kosovë. Për fat të keq, shumë pak, për të mos thënë fare, kujtohen ata patriotë nga Kosova, të cilët jo vetëm morën pjesë për të mbrojtur Vlorën, por edhe ishin firmëtarë të aktit të Pavarësisë, si përfaqësues të Vilajetit të Kosovës, përveç Isa Boletinit. Deri më sot, institucionet kanë lënë anash këto figura, duke mos u dhënë vendin që meritojnë, madje as për të njohur gjeneratat e sotme me kontributin tyre. Pa aktivitete shkencore, dokumentarë apo edhe monografi për ta nuk ka se si të njihet akti i tyre, si: për Sali Gjukën, Sakë e Sadri Fazlia, Rexhep Mitrovica, Hazir Laha i Bellës, apo edhe më pak të njohurin Isuf Bardhoshin, etj. 

NJË NUMËR I MADH I DELEGATËVE ISHIN NGA KOSOVA

Duke veçuar kontributin e kosovarëve në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë historiani Shkodran Imeraj, asistent në Institutin e Historisë së Kosovës, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se kontributi i shqiptarëve në përgjithësi, por i atyre të Kosovës në veçanti për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, është tepër i madh. Si dihet, ka thënë ai, kryengritjet më të mëdha në prag të shpalljes së shtetit shqiptar, epiqendër e tyre kryesor e kishin Kosovën. Andaj, shton Imeraj, mund të përfundojmë se kontributi i shqiptarëve të Kosovës ishte tepër i madh në këtë drejtim. Më tej, mr. Imeraj ka potencuar se krahas shumë e shumë delegatëve shqiptarë, të cilit ishin pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës më 28 Nëntor të vitit 1912, një numër i madh i tyre ishte edhe nga Kosova, ku mund të veçojmë Sali Gjukën e Bedri Pejanin, pa harruar edhe shumë të tjerë. "Këtu do të doja të theksoja edhe një fakt tepër interesant, që historiografia jonë paksa e ka afirmuar apo për të thënë fare. Isuf Bardhoshi i Haklajt ishte njëri nga luftëtaret me besnikë të Isa Boletinit, i cili ishte me origjinë nga fisi Shalë i fshatit Isniq. Siç dihet, në pamundësi për të mbërritur në Vlorë, Isa, në aktin e shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar, aty do të gjenden disa nga bashkëluftëtarët e tij më të devotshëm, si: Sakë e Sadri Fazlia, Isuf Bardhoshi, Hazir Laha i Bellës, e disa luftëtar të tjerë, kryesisht nga nahija e Pejës", ka thënë ai, duke shtuar se pas shpalljes së deklaratës së pavarësisë së shtetit shqiptar, ishte i domosdoshëm edhe valëvitja e flamurit kombëtar shqiptar, dhe ky ishte akti i fundit solemn i deklarimit të mëvetësisë së shtetit shqiptar. Sipas tij, Isuf Bardhoshi ishte i riu nga Kosova, i cili e kishte fatin që të jetë flamurtari i parë në Kuvendin e Vlorës më 28 Nëntor të vitit 1912. 

EPIQENDRA E LËVIZJES KOMBËTARE SHQIPTARE KA QENË KOSOVA

Ndërsa Shpend Avdiu, hulumtues i pavarur në Institutin Albanologjisë, ka thënë për "Kosova Sot", se kontributi i shqiptarëve të Kosovës pa dyshim që ka qenë i madh. Dhe, jo vetëm në pjesëmarrjen në shpalljen shtetit shqiptar, por edhe në ngjarjet që i paraprinë këtij akti dhe më vonë gjatë gjithë shekullit të XX. Avdiu ka pohuar se epiqendra e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ka qenë Kosova, megjithatë, kontributi i shqiptarëve të Kosovës nuk mund të veçohet nga krahinat e tjera ku banojnë shqiptarët. Me pak fjalë, ka vazhduar ai, pavarësia e Shqipërisë është produkt i të gjithë shqiptarëve dhe i miqve të saj në atë kohë, veç- mas i Austro-Hungarisë dhe Italisë, të cilat vende kishin interesa gjeopolitike për krijimin e një shteti shqiptar të pavarur. Po sipas tij, kontributi për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë nuk mund dhe nuk duhet të konceptohet si provincial, pasi në Kuvendin e Vlorës merrnin pjesë delegatë nga gjitha hapësirat shqiptare. "Pjesëmarrës nga Kosova që duhet veçuar, përveç Isa Boletinit, ishin Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Sali Gjuka etj. Po jo vetëm këta, kujtohen rrallë për kontributin e tyre. Ka edhe shumë figura të tjera nga gjitha hapësirat shqiptare", ka thënë ai, duke shtuar se kontributi për shpalljen e pavarë- sisë kanë dhënë edhe të huaj, që kanë dhënë kontribut dhe nuk përmenden, duke dhënë dy shembuj, njëri në rrafshin politik dhe tjetri në rrafshin ushtarak që kanë kontribuar shumë për Shqipërinë: Kontin Berchtold dhe Hasan R?za Pashën. Edhe historianin Haxhi Ademi, hulumtues i pavarur në Institutin e Historisë, ka thënë se kontributi i shqiptarëve të Kosovës në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 1912 është vendimtar. Kjo për faktin, ka potencuar ai, se krerët më të lartë të kryengritjeve të viteve 1910-1012 ishin nga Kosova, si: Isa Boletini, Bajram Curri, Idriz Seferi etj. Po ashtu, edhe promotori i të gjitha aktiviteteve politike e organizative ishte Hasan Prishtina, nga Kosova.

(Kosova Sot)