Për keqardhje bashkëpunimet Kosovë-Shqipëri në aspektin muzeo

  • 08 November 2017 - 09:04
Për keqardhje bashkëpunimet Kosovë-Shqipëri në aspektin muzeo

PËR FAJ TË POLITIKËS NË TË DYJA SHTETET

Në shekullin e ri askush nuk po i pengon shqiptarët të intensifikojnë bashkëpunimet ndër-muzeore
"Në thelb është vetëdija e ulët kombëtare për të kompensuar së pari atë boshllëkun ideologjik 50-vjeçar të shtetit shqiptar, që si duket ka lënë pasoja të rënda, që ende nuk po mundemi t'i tejkalojmë. Veprimtaria muzeore në Shqipëri është shumë më tepër e avancuar, në krahasim me Kosovën, prandaj organizimi i ekspozitave tematike muzeore në Kosovë dhe atyre në Shqipëri vetëm do të rriste interesimin e popullit tonë për të kaluarën e begatshme", është shprehur Ylber Vokshi
Kosova dhe Shqipëria shquhen për trashëgimi të pasur kulturore. Asete dhe artefakte të rëndësishme mijëravjeçare ruhen në muzetë e dy vendeve, por fatkeqësisht bashkëpunimi në fushën e muzeore është minimal. Përjashto rastet e pakta dhe të rralla, bashkëpunimet muzeore janë për keqardhje. Edhe atëherë kur bëhen, bëhen sa për sy e faqe, në shumë raste të paraprira nga politika, siç ishte rasti i ekspozitës "Një komb, një kulturë", e cila erdhi në vazhdën e shënimeve të 100-vjetorit të shtetit shqiptar. Punë për bashkëpunime të muzeve nuk është bërë as pas një marrëveshje të nënshkruar në vitin 2014 për binjakëzimin ndërmjet Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe atij të Shqipërisë. Edhe pse pritjet ishin të mëdha.

Bashkëpunimi ndërmjet muzeve është simbolik

Ylber Vokshi, ekspert në çështjen e trashëgimisë, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se kishte një entuziazëm kur në tetorin e vitit 2014 u nënshkrua marrëveshja e binjakëzimit ndërmjet muzeve Kombëtare të Kosovës dhe Shqipërisë, me shpesa reale që të dy muzetë kombëtare do të angazhohen për të ndërmarrë projekte të përbashkëta për tema të ndryshme që lidhen me kulturën kombëtare shqiptare. Gjë që, ka thënë ai, edhe janë pritur bashkëpunimet edhe me të gjitha muzetë e tjera të Shqipërisë, pasi, siç ka vazhduar më tej ai, ne në Kosovë e kemi tepër të varfër veprimtarinë muzeore dhe rrjetin e muzeve, falë vendimmarrësve tanë politikë."Sipas informatave që posedoj, deri më tani është bërë shumë pak në këtë drejtim. Është i pafalshëm, i pajustifikueshëm mosshfrytëzimi i mundësive që janë krijuar në shekullin e ri, për një bashkëpunim më intensiv në të gjitha fushat e një populli të ndarë dhunshëm nga politika ndërkombëtare në shekullin e kaluar, kur u pavarësua vetëm një pjesë e popullit shqiptar", ka thënë ai, duke shtuar se askush sot në shekullin e ri nuk po i pengon shqiptarët të intensifikojnë bashkëpunimet ndër-muzeore ndërmjet vete. Sipas tij, me gjithë hartimin e strategjisë apo të një platforme, me qëllim promovimin e iniciativave të përbashkëta të bashkëpunimit në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe muzeore në të dyja anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, bashkëpunimi ndër-muzeor është më tepër se simbolik e për këtë fajtor ekskluzivë jemi vetë ne. 

Nevoja për një bashkëpunim më të theksuar ekziston akoma

Vokshi ka thënë se janë tërësisht joserioze arsyetimet e përgjegjësve të të dyja shteteve, të cilët zakonisht ankohen për mungesën e fondeve apo buxheteve shtetërore për kulturë. Në thelb, ka thënë më tej Vokshi, është vetëdija e ulët kombëtare për të kompensuar së pari atë boshllëkun ideologjik 50-vjeçar të shtetit shqiptar, që si duket ka lënë pasoja të rënda, që ende nuk po mundemi t'i tejkalojmë. Po sipas tij, veprimtaria muzeore në Shqipëri është shumë më tepër e avancuar në krahasim me Kosovën, prandaj organizimi i ekspozitave tematike muzeore në Kosovë dhe atyre në Shqipëri vetëm do të rriste interesimin e popullit tonë për të kaluarën e begatshme dhe të pasur historike. Ai ka shtuar se duhet të mburremi e jo mos ta vlerësojmë e ta lëmë në harresë. Sipas tij, kjo qasje është e patolerueshme në të ardhmen. Edhe Bashkim Lajçi, etnolog, ka pohuar se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve tona muzeore nuk është aspak i kënaqshëm. Lajçi ka thënë: "Derisa më herët nuk kishte mundësi për komunikime dhe bashkëpunime të këtij formati, habit fakti pse tani nuk i shfrytëzojmë këto mundësi, aq më tepër kur nevoja për një bashkëpunim më të theksuar ka ekzistuar dhe ekziston akoma!", është shprehur ai. Ndërsa ka thënë se duke pasur parasysh gjendjen ekzistuese dhe nevojën për bashkëpunim nga të dyja anët, do të duhej që muzetë tona të jenë më kërkuese në këtë drejtim. "Me siguri se pastaj edhe institucionet përkatëse qendrore do të duhej që të shprehin gatishmërinë për të ndihmuar në këtë drejtim", ka potencuar etnologu Bashkim Lajçi. 

(Kosova Sot)