Ekspertët e restaurimit nuk i gjen as për "ilaç"

  • 09 November 2017 - 08:46
Ekspertët e restaurimit nuk i gjen as për

Kosova ka një trashëgimi kulturore të bollshme dhe mjaft të rëndësishme, mijëravjeçare, të ruajtur deri diku, por me një numër simbolik të restauruesve. E fajtor për këtë mungesë të ekspertëve të restaurimit janë institucionet përgjegjëse, sidomos ato të arsimit dhe të kulturës, të cilat e kanë obligim dhe detyrim krijimin e kuadrove profesionale për fushën e nevojshme. Kështu kanë thënë në një prononcim për "Kosova Sot" ekspertë të fushës së trashëgimisë. Arkeologu Shafi Gashi, aktualisht kryetar i Këshillit të Kosovës për Trashëgiminë Kulturore, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se Kosova nuk ka pothuajse asnjë restaurues! Muzeu, ka thënë ai, e ka një të qeramikës, por nuk ka asnjë restaurues të metaleve, tekstilit, drurit etj. Për më keq, sipas tij, në Kosovë nuk ka asnjë që ka diplomë në fushën e restaurimit, vetëm certifikata të pjesëmarrjes në trajnime, të cilat, siç ka thënë ai, si zakonisht të gjithë i kanë. E barrën për këtë situatë rreth restauruesve, ka thënë më tej Gashi, e bartin Ministria e Kulturës dhe ajo e Arsimit, për faktin se të gjitha institucionet pothuajse janë nën ombrellën e saj dhe MASHT-i duhet të ketë programe atraktive bazuar mbi nevojat e tregut. "Jo siç ndodhi me master-programin në UPZ për Trashëgimi kulturore dhe menaxhim të turizmit, që nuk u riakreditua për idiotësirat e disa personave dhe turpi më i madh është që ky program është financuar nga Komisioni Evropian me dy vite parapërgatitje dhe pas dy gjeneratave mbyllet", ka potencuar ai.

Studentët kosovarë, për specializime në Izrael

Edhe Ylber Vokshi, ekspert në fushën e trashëgimisë, në një prononcim për "Kosova Sot", ka fajësuar institucionet për gjendjen e krijuar sa i përket mungesës së restauruesve. Ai ka thënë se për shkak të rrethanave politike në fundshekullin e kaluar, si dhe sjelljeve shkurtpamëse të vendimmarrësve tanë, që i kanë udhëhequr institucionet kulturore në Kosovën e pavarur, mund të them lirisht se te ne ka mungesë të madhe të ekspertëve të fushës së konservimit dhe restaurimit të vlerave dhe eksponateve të trashëgimisë kulturore. Ai ka thënë se ende nuk është duke u vlerësuar drejt rëndësia e kësaj fushe, prandaj edhe ka një mosangazhim në ripërtëritjen e profesionistëve të pakët që i kishim dikur, me krijimin e kushteve adekuate, duke stimuluar dhe shkolluar kuadrot e reja që do të angazhoheshin në këtë fushë. Më tej ai ka nënvizuar se sipas ligjeve pozitive të trashëgimisë kulturore të gjithë ekspertët që do të punojnë në këtë fushë duhet licencuar nga ana e shtetit, çka, siç ka thënë më tej ai, nuk ka ndodhur, për atë kemi degradime të mëdha në objektet e ndryshme që janë restauruar apo konservuar. Po sipas tij, në të gjitha fushat e trashëgimisë kulturore, si për punime arkeologjike, restauruese, hulumtuese, konservuese, antropologjike e shumë të tjera, kjo shoqëri sot ka mungesë të ekspertëve adekuatë."Si përgjegjës kryesorë janë MKRS-ja dhe institucionet e tjera shtetërore të nivelit qendror dhe lokal, që në mënyrë institucionale nuk kanë vepruar për krijimin e kuadrove të tilla, që aq shumë ka nevojë Kosova. Deri më tani shteti më së paku ka ndërmarrë veprime konkrete në arsimimin e kuadrove të reja, posaçërisht në fushat specifike, siç është trashëgimia kulturore, dhe në përgjithësi në fushën e kulturës, ku kemi deficit të madh të specialistëve", ka potencuar Vokshi, duke shtuar se përveç disa rasteve individuale, së fundmi duhet përshëndetur iniciativën e kyçjes së studentëve kosovarë në shkollimin në fushën e rehabilitimit të monumenteve kulturore në Shqipëri (Gjirokastër), si dhe dërgimin e një grupi ekspertësh të rinj për specializim në Izrael.

Më shumë ekspertë në fushën e konservimit

Enver Rexha, drejtor i Instituti Arkeologjik të Kosovës, ka thënë se institucionet tona të trashëgimisë duhet të kenë më shumë punonjës - ekspertë në fushën e konservimit, restaurimit të monumenteve arkitekturore-arkeologjike dhe eksponateve arkeologjike etj. Dihet se kemi specifika - fusha të caktuara të ekspertëve në konservim-restaurim, si: ekspert për guri, dru, qeramikë, metale, tekstil, pikturë etj."Krejt kjo tregon mangësinë - mungesën e ekspertëve në fusha të caktuara konservuese - restauruese. Kemi nevojë për këta ekspertë, të cilët, mendim imi, mungojnë në institucione qendrore e rajonale të shtetit për kujdesin, ruajtjen, mbrojtjen e trashëgimisë", ka thënë drejtori Rexha, duke shtuar se trashëgimia ka nevojë për ekspertë apo ka deficit kuadër në fushën e arkeologjisë, konservatorë arkeologë, konservatorë - restaurues në monumentet arkitekturore dhe eksponatet arkeologjike, restaurues pikture dhe të tjera.

(Kosova Sot)