NJË THESAR I PASUR ENCIKLOPEDIK I DIASPORËS SHQIPTARE NË ZVICËR

  • 11 November 2017 - 19:59
NJË THESAR I PASUR ENCIKLOPEDIK I DIASPORËS SHQIPTARE NË ZVICËR

KRITIKË LIBRIT TË BESNIK CAMAJT E SHEFQET DIBRANIT "LEKSIKONI I AUTORËVE SHQIPTARË NË ZVICËR"

Shqiptari që ka jetuar e jeton në Zvicër nuk është vetëm ai punëtori i krahut

SHKRUAN: PREND BUZHALA

"Prezantimi i këtillë i thesarit leksiko-biobibliografik e krijues, si në planin informues, e po ashtu edhe në atë krijues a shkrimor, e paraqet profilin e një autori nga disa anë. Aty spikaten shenjat e identitetit shpirtëror, kulturor, letrar e historik të qenies shqiptare, ashtu sikundër ato spikaten, me veprimtari të tillë të gjallë e të shumanshme, edhe në SHBA, Gjermani, vendet skandinave, Itali e gjetiu"

Leksikonët dhe enciklopeditë e ndryshme janë projekte të mëdha të kulturave dhe civilizimit evropian. Janë shkronja e parë nga A deri në ZH e një elite kulturore dhe nacionale. Nuk është e rastit pse në shekullit XVIII në Francë kanë ndodhur dhe revolucione enciklopedike, me programe madhore të ndryshimeve shoqërore, të mbështetura në idetë e shoqërisë së arsyes së shëndoshë, të racionalizmit, të lirive individuale dhe të barazisë politike. Pikërisht fryma e tillë e leksikonëve dhe enciklopedive ishte burim i mendimeve të mëdha radikale demokratike, për ta zhvilluar një revolucion jo vetëm shpirtëror, por një kthesë me rëndësi epokale edhe në fusha të tjera, në ekonomi, politikë, jurisprudencë, në fushën morale, arsimore, dhe, gjithsesi, edhe në atë estetike. Sot, sigurisht, jetojmë në kushte të tjera të Epokës Digjitale. Sot, bie fjala, një rol përmasash botërore të një karakteri pothuajse utopik, e ndërmerr Wikipedia. Dhe, po ashtu, nuk është e rastit, pse leksikonët e enciklopeditë e tilla, me rëndësi nacionale, librat e tillë nuk janë libra të rëndomtë, janë libra të gjallë, që vazhdimisht lexuesi a studiuesi u rikthehet shpesh, për ta vjelë burimin a informacionin e parë. Fatkeqësisht, ne ende nuk kemi leksikonë e Enciklopedi Nacionale, as të përgjithshme e as të veçantë. Vërtet gjatë dekadës së fundit në këtë drejtim janë bërë hapat e parë, ende janë hapa modestë... Ende ndër ne gjithçka bëhet nga hapi i parë, nga pika e vdekur. Ne ende iu referohemi leksikonëve e enciklopedive të huaja për vetveten.

1. Nëse leksikonët apo fjalorët biografikë a bibliografikë mund të jenë kombë- tarë apo ndërkombëtarë, të përgjithshëm ose profesionalë, si dhe të veçantë a retrospektivë (që kufizohet në autorët e vdekur) ose dhe aktualë (vetëm për persona të gjallë), leksikoni biografik dhe bibliografik i autorëve Besnik Camaj e Shefqet Dibrani, me titullin "LEKSIKONI I AUTORËVE SHQIPTARË NË ZVICËR" (botoi ShB "Faik Konica", Prishtinë 2016), kryen disa funksione me rëndësi të shumëfishtë: është leksikon i autorëve të djeshëm e të sotëm shqiptarë, të gjallë e ata që kanë shkuar në amshim e që kanë jetuar, botuar a shkruar në Zvicër dhe që kanë shkruar a botuar ndonjë libër. Autorët Camaj e Dibrani, e ndërmorën këtë hap kaq të rëndësishëm, për ta shënuar diku gjurmën ku ata jetojnë e veprojnë. Një përpjekje për ta forcuar njësinë shpirtërore dhe kulturore të diasporës shqiptare në Zvicër që arrin shifrën në afro 300 mijë shqiptarë. Sistemi i lëndës, kuptohet, ndjek rendin alfabetik, pa pretendime për hierarki vlerash. Vetë autorët e theksojnë me modesti se "ishim përcaktuar që ta përpilonim këtë vepër mbi bazën e kriterit 'autorët duhet ta kenë së paku një vepër të botuar dhe atë në kohën kur kanë jetuar apo jetojnë në Zvicër'". Bertrand Rasell, një filozof anglez bashkëkohor, do të thoshte: "Rendi, uniteti dhe kontinuiteti, janë shpikje e njeriut, ashtu siç është e vërteta në katalogë dhe në enciklopedi." Prandaj, shenjë e kulturës perëndimore dihet se janë dhe enciklopeditë, leksikonët a fjalorët e profileve dhe lëmenjve të ndryshëm. Edhe ky leksikon është e vërteta dhe profili ynë shpirtëror e kulturor e dituror në diasporën shqiptare në Zvicër. Në letrat shqipe, tradita e leksikonëve biografikë vjen që nga kohët e latinitetit ilir. Kështu, Shën Jeronimi ilir kishte botuar veprën DE VIRIS ILLUSTRIBUS (392-3 ), "MBI NJERËZIT E SHQUAR", në të cilën përfshinë 135 personalitete të epokave të hershme antike. Po ashtu, ai ka botuar dhe shumë biografi shenjtorësh dhe personalitetesh historike të kohës, si dhe kronika të kohës.

2. Në fakt, ky leksikon është dëshmi e gjallë e një fushëveprimtarie, sikundër është ajo e shkrimit dhe e botimit të librit, por edhe dëshmi e sistemuar mbi personalitete e figura që kanë lënë gjurmë në fushë të kulturës, artit skenik, dituror dhe atij figurativ. Tashmë e përkufizuar si letërsi e diasporës shqiptare në Zvicër, aty përfshihen dhe autorë e periudha letrare e kulturore-shkencore të përparshme, të ekzilit politik e atij ekomomik. Leksikoni ndahet në disa pjesë: në pjesën e parë përfshihen shkrimtarë, studiues dhe artistë të mëdhenj shqiptarë që kanë jetuar në Zvicër, sikundër janë Çajupi, Aleksandër Moisiu, Elena Gjika, Faik Konica, Ibrahim Kodra, Lazër Shantoja, Midhat Frashëri, Nikollë Kaçorri, Tajara Zavalani dhe Vaçe Zela, kurse në kapitullin e dytë e që është kryesori, përfshihen letrarë e studiues sipas rendit alfabetik të afro 150 autorëve. Pjesa e tretë përfshin figura e personalitete të arteve pamore, ndërsa pjesa e katërt përfshin artistë të arteve skenike, shoqata teatrore e shfaqje teatrore të luajtura nëpër skenat zvicerane. Pjesa e pestë dhe e fundit është ajo që përfshin një si shtojcë me krijues të veçantë, që kanë vizituar Zvicrën a që kanë promovuar veprat e tyre para publikut të atjeshëm, si Adem Demaçi, Agim Vinca, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Ismail Kadare, Jusuf Buxhovi e të tjerë. Lekikoni i tillë paraqet, në formë biobibliografike, shpirtin dhe fytyrën tonë të emancipuar europerëndimore në dy shekujt e fundit. Nuk është e rastit përse në Zvicër kanë vepruar, janë shkolluar apo kanë jetuar edhe Dervish Hima (1875 - 1928), Naim Frashëri, Shefqet bej Vërlaci, Sali Nivica, Fan S. Noli, Xhuzepe Gangle (Giuseppe Gangle: 1898 - 1978), shkrimtar arbëresh, Dr. Krist Maloki (1900 -1972), Faruku i Egjiptit ose Faruku I, Leka Zogu I, Ali Këlcyra, Gjergj Kokali, Dom Gjon Bisaku, Ismail Qemali, Leonik Tomeo, Dom Luigj Gashi, Mustafa Kruja, Sami Frashëri, Dom Shtjefën Kurti, Visar Dodoni etj. Autorët nënvizojnë dhe faktin që në janë vitet e '80-ta ato që na i rikujtojnë veprimtarët Jusuf Gërvalla dhe Enver Hadri, të cilët kanë qenë pjesë e aktiviteteve patriotike në Zvicër.

3. Kësisoj, autorët hapin dhe një shteg tjetër, për vepra të karakterit të përgjithshëm enciklopedik. Se shqiptari që ka jetuar e jeton në Zvicër, nuk është vetëm ai punëtori i krahut që dikur hapte kanale a kryente punë të rënda fizike; por është edhe ai i librit, i mendjes, i katedrave shkencore, i kulturës, dijes dhe artit, i vlerave supreme, e dëshmon pikërisht ky leksikon. Ky shqiptar në Zvicër ka arritur të bëhet dhe autor. Autori është shenjë e kulturës diturore e letrare të kombeve të emancipuara e me tradita të pasura shpirtërore e historike. Te secili autor, jepen shënimet biografike, bibliografike të veprave të botuara, si dhe burimet prej nga janë marrë shënimet. Nga ana tjetër, ky leksikon ka dhe një vlerë antologjike: përzgjedh tekste letrare, publicistike a shkencore nga autorët që kanë botuar libra. Prezantimi i këtillë i thesarit leksikobio-bibliografik e krijues, si në planin informues, e po ashtu edhe në atë krijues a shkrimor, e paraqet profilin e një autori nga disa anë. Aty spikaten shenjat e identitetit shpirtëror, kulturor, letrar e historik të qenies shqiptare, ashtu sikundër ato spikaten, me veprimtari të tillë të gjallë e të shumanshme, edhe në SHBA, Gjermani, vendet skandinave, Itali e gjetiu, por, çuditërisht, jo edhe te afro pesë milion shqiptarë të Turqisë mike. Të mos harrojmë, katedra universitare albanologjike ka pasur pothuajse në krejt shtetet evropiane, qoftë edhe në Greqi, Serbi a Rusi, por jo edhe në Turqi. Dhe tradita e tillë albanologjike, letrare e kulturore, heq fillet e saj me vrull që nga shekulli XIX, kur dihet se në mërgim është zhvilluar e gjithë lëvizja jonë kombëtare, letrare dhe kulturore. Vërtet, kjo vepër do të thoshim e karakterit monumental, vjen pas një vepre, po ashtu e këtij karakteri prezantues, e gazetarit e publicistit Rexhep Rifati, me titullin "Shqiptarët në Zvicër- 1001 pamje". Në vepra të tilla, si ky leksikon, dhe ku spikatet figura e Shqiptarit të Afirmuar atje në relacione ndërkombëtare e europerëndimore. Zvicra ka strehuar atje jo vetëm shqiptarë të ekzilit ekonomik e social, por edhe të atij politik, përgjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XX, në kohën, kur ky shqiptar i përndjekur mezi gjente strehim në Shqipërinë mëmë të regjimit komunist, kurse Zvicra demokratike ata i strehoi, i ushqeu, u dha punë, u dha përkujdesje arsimore e shëndetësore etj, ndërkohë që Rusia apo Kina vëllazërore me ideale social-komuniste jo vetëm që nuk i pranonte, por i fyente e përbuzte, ashtu si veprojnë me mosnjohje të Kosovës edhe sot. Nuk është e lehtë puna rreth hartimit të një leksikoni, për shkak se këtij hartuesi i duhet të gjurmojë e të sigurojë qindra e mijëra informacione, për autorë e libra të ndryshëm, të japë njohuri të thuktë për vendqëndrime të ndryshme e për tema të ndryshme, për të siguruar burime të informacionit, tituj veprash, shënime biografike etj., etj. Nuk është e habitshme përse te ky leksikon i karakterit enciklopedik kulturor-letrar, defilojnë qindra emra njerëzish, qytetesh zvicerane e shqiptare, si dhe mijëra tituj veprash të botuara. Prandaj leksikonët e tillë e pajisin lexuesin me lëndën e dorës së parë dhe i japin atij formim të përgjithshëm kulturor e civilizues.  

(Kosova Sot)