Kërkohet organizim i dinjitetshëm për 10-vjetorin e pavarësisë

  • 05 December 2017 - 09:00
Kërkohet organizim i dinjitetshëm për 10-vjetorin e pavarësisë

ENDE ASGJË TË RE NGA PËRGATITJET PËR SHËNIMIN E JUBILEUT TË FESTIMIT TË SHTETIT TË KOSOVËS 

Ende pa u 'ftohur' festimet e 28 Nëntorit, të cilat këtë vit patën një dukje gjithëkombëtare, vendin e pret edhe një festë tjetër e rëndësishme. Në fakt, është një jubile shumë me domethënie, jo vetëm për shqiptarët në Kosovës, dhjetëvjetori i Shpalljes së Republikës së Kosovës. Kur ka mbetur edhe pak më shumë se dy muaj, konkretisht rreth 30 ditë, kur kihen parasysh pushimet që janë duke ardhur, ende nuk ka ndonjë gjë të re nga institucionet lidhur me projektet që do të dedikohen për shënimin e këtij jubileu. Në fakt, Presidenca e Kosovës-Këshilli Organizativ ka hapur një thirrje për të pranuar ide të ndryshme gjithëpërfshirëse. Por, deri më sot nuk është bërë publike ecuria e projektit për kompletimin e shënimeve për 10- vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Sipas traditës, pjesë e festimeve pritet të jenë edhe shumë prej institucioneve kulturore kombëtare. Por, gazeta nuk ka mundur të marrë gjatë ditës së djeshme një prononcim nga drejtues të institucioneve rreth përgatitjeve që eventualisht pritet të mbahen për shënimin e jubileut. Ndërsa komuniteti pret një angazhim të institucioneve kulturore- shkencore dhe aktivitete të veçanta dedikuar këtij përvjetori. 

Transparencë rreth përgatitjeve

Në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", Frrok Kristaj, krijues dhe njohës i zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se institucionet shtetërore dhe ato kulturore duhet të jenë më të vendosura që shënimin e 10- vjetorit të jetë sa më i veçantë dhe të jenë të involvuara edhe institucione kombëtare kulturore. Sipas tij, duhet një transparencë rreth përgatitjeve që është duke bërë Këshilli Organizativ për shënimin e përvjetorit dhe, siç ka thënë ai, është dashur një seriozitet më i madh rreth projekteve të ofruara dhe pastaj ato të hidhen për diskutim publik. "Mendoj se vetë Këshilli Organizativ është dashur ta përpilojë një program rreth festimeve, kostos dhe pjesëmarrësve dhe pastaj të jepet për diskutim publik, jo kështu siç është kërkuar. Akademia, institucionet kombëtare janë ato që mund të bëjnë shumë punë për shënimin e këtij përvjetori", ka thënë për "Kosova Sot" Frrok Krsitaj, themelues dhe drejtues shoqatash që mbledhin krijuesit tanë.  

Inaugurimet e busteve

Edhe Ismet Tahiraj, krijuesi dhe njohës i zhvillimeve kulturore në vend, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se institucionet duhet të jenë sa më transparente dhe serioze për shënimin e këtij përvjetori, duke festuar në secilin mjedis dhe duke kujtuar ata të cilët dhanë për vendin, qoftë me pushkë, apo edhe me pendë. "Sipas mendimit tim, më 17 Shkurt duhet të ketë paradë ushtarake në sheshet e Prishtinës, të vizitohen heronjtë tanë. Po këtë ditë të bëhen inaugurimet e busteve të martirëve të luftës, kurse nga ana kulturore të shfaqjen drama apo filma nga epopeja e lavdishme e UÇK-"së, ka thënë ai, duke shtuar se duhet të ketë edhe aktivitete sportive. Krejt kjo, sipas tij, do të ishte hijeshia dhe madhështia e evenimentit të këtij popullit që meriton edhe më shumë. Në fillim të nëntorit presidenti i vendit Hashim Thaçi firmosi një dokument përmes së cilit i hap rrugë krijimit të Këshillit Organizativ, i cili më pas edhe hapi konkursin për logon dhe për sloganin e vitit jubile të pavarësisë.

(Kosova Sot)