Asgjë konkrete në përmirësimin e imazhit kulturor të Kosovës në botë

  • 14 December 2017 - 08:49
Asgjë konkrete në përmirësimin e imazhit kulturor të Kosovës në botë

TRASHËGIMIA KULTURORE KOSOVARE, NËN HIJEN E TRASHËGIMISË ORTODOKSE

Rudaku: Punë të madhe lobimi mund të luajnë ambasadat jashtë vendit, por ato janë shumë të dobëta

"Asgjë konkrete nuk është punuar nga MKRS-ja së bashku me institucionet e tjera kulturore të nivelit qendror dhe lokal. Duhet së bashku të përmirësojnë imazhin ndërkombëtar të Kosovës, posaçërisht në fazën kur jemi duke tentuar të kyçemi në organizatat e ndryshme ndërkombëtare, si është UNESCO-ja, e ku Serbia deri më tani me sukses ka lobuar kundër pranimit tonë", ka thënë Ylber Vokshi për gazetën "Kosova Sot"

Trashëgimia Ortodokse në Kosovë, e cila me Pakon e Ahtisarit i është lënë në 'pronësi' serbëve, vazhdon ta lënë nën hije pjesën dërmuese të trashëgimisë kulturore kosovare. Shumë pak për të mos thënë fare, kjo trashëgimi jo ortodokse është e njohur jashtë vendit. Krejt kjo si rezultat i paaftësisë institucionale për promovimin e saj jashtë. Bile, edhe përkundër parave të majme që ka dhënë shteti për lobim, Kosova apo pasuria e saj turistike dhe ajo e trashëgimisë nuk qe në gjendje në asnjë mënyrë që 'menytë' turistike të Kosovës t'i promovojë jashtë, të paktën të vendeve evropiane. Përveç pasurisë së madhe dhe të ruajtur mjaft mirë, vendi posedon edhe një infrastrukturë ligjore sa i përket trashëgimisë. Por, për fat të keq, gjendja e kësaj trashëgimie vazhdon të jetë jo e kënaqshme. Për më keq institucioneve pothuajse u mungojnë fare katalogët apo guidat në gjuhë të huaj të përpiluar nga institucione që do të shpërndaheshin jashtë vendit, apo edhe ambasadave në Prishtinë për t'i informuar rreth pasurisë turistike dhe trashëgimisë që ka vendi.

Filmat dokumentarë 

Gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim nga MKRS-ja lidhur me punën e tyre për promovimin e pasurisë kulturore kombëtare jashtë vendit, përderisa ekspertë të kësaj fushe dhe njohës të zhvillimeve kulturon i kanë evidentuar mangësitë dhe mundësitë që ka vendi sa i përket trashëgimisë. Ylber Vokshi, ekspert në fushën e trashëgimisë, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se përkundër shumë projekteve, programeve qeveritare, si dhe të Strategjisë Kombëtare për Trashëgiminë Kulturore 2015-2025, të aprovua në vitin e kaluar, dhe tërë asaj trashëgimie kulturore që Kosova posedon nga historiku i saj mbi tetëmijë vjeçar, shumë pak, pothuaj aspak nuk është punuar për të promovuar jashtë vendit. Nëse, ka thënë ai, përjashtojmë veprimet tendencioze të Beogradit, i cili me të gjitha mjetet propagandon vetëm"Kosovën serbe", e deri më tani autoritetet kosovare nuk janë kundërvu, me argumente të qëndrueshme, së paku me një ekspozitë në ndonjërën nga qendrat kulturore ndërkombëtare si është Parisi apo Nju-Jorku. Pasi, siç ka thënë ai, aktivitete të tilla nuk ka pasur viteve të fundit jashtë vendit, ngase kanë pasur "punë të tjera" më të rëndësishme. "Siç e theksova edhe më lartë, gati asgjë konkrete nuk është punuar nga MKRS-ja së bashku me institucionet e tjera kulturore të nivelit qendror dhe lokal. Duhet së bashku të përmirësojnë imazhin ndërkombëtar të Kosovës, posaçërisht në fazën kur jemi duke tentuar të kyçemi në organizatat e ndryshme ndërkombëtare, si është UNESCO, e ku Serbia deri më tani me sukses ka lobuar kundër pranimit tonë", ka thënë ai për "Kosova Sot", duke shtuar se është i domosdoshëm aktivizimi i të gjitha mekanizmave shtetërorë si me mjete materiale, angazhimin e ekspertëve të shumtë, e të tjerëve që janë në Kosovë dhe jashtë saj, që me anën e ekspozitave tematike, me publikimin dhe përkthimin e librave lidhur me trashëgiminë në gjuhë të huaja. Pastaj, shton tutje ai, me realizimin e filmave dokumentarë, me broshura, katalogë dhe shfrytëzimin e teknologjisë informative të shekulli të ri-internetit dhe formave të tjera komunikuese . 

Promovimi i trashëgimisë 

Ndërsa Avni Rudaku, ekspert dhe njohësi i zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë për "Kosova Sot", se trashëgimia e definuar si serbe, është në UNESCO, siç janë: manastiret ortodokse. Të tjera gjëra me interes, ka shtuar ai, por duhet shumë imazh pozitiv i zhvillimit edhe ekonomik, në mënyrë që turistët të mos kenë frikë për vizitë! "Ne duhet të promovojmë trashëgiminë bile në rajon, por vazhdojmë të jemi të ngarkuar me të kaluarën. Merreni me mend sa studentë nga Zagrebi, Novi Sadi, Sarajeva, etj., vizitojnë trashëgiminë kulturore kosovare. Kur nuk arrini promovimin në rajon, po gjetiu më larg, është më vështirë! Madje, edhe në gjuhë të rajonit nëse përkthehet databaza, është veprim i duhur! Kosova nuk e promovon mirë trashëgiminë as brenda bijve e bijave të veta; shkollat duhet të jenë më aktive", ka thënë ai. Sipas tij, punë të madhe lobimi mund të luajnë ambasadat jashtë vendit, por janë shumë të dobëta! Ai ka thënë se shteti mund të marrë shembull nga shtetet e tjera për promovim të trashëgimisë, por ajo që e pengon është se Kosova është shteti i dobët si në kulturë, në organizim, etj.

(Kosova Sot)