PREKJE GJITHËPËRFSHIRËSE E VEPRËS SË HASAN HASANIT

  • 17 December 2017 - 16:36
PREKJE GJITHËPËRFSHIRËSE E VEPRËS SË HASAN HASANIT

SHKRUAN: MR. SKËNDER R. HOXHA

Më rastin e botimit të kompletit të veprave të shkrimtarit Hasan Hasani, i cili padyshim është njëri ndër krijuesit më të frytshëm në letërsinë shqipe, i cili talentin e tij krijues e ka provuar pothuaj në të gjitha gjinitë dhe llojet letrare, shkrimtari Dinë Halilaj botoi librin e tij me titull "Muza e krojeve të bardha". Në këtë libër, autori Halilaj, në mënyrë kronologjike paraqet vështrime e analiza letrare, për të gjitha veprat e shkrimtarit dushkajas Hasan Hasani. Që në fillim autori na bën me dije se cilat ishin shtysat, motivet, rrethanat, inspirimet, etj., në një anë, po edhe dilemat në anën tjetër, që t'i qaset kësaj pune, e cila duhej të përthekonte veprimtari vëllimore e të larmishme me nismën e saj nga një kohë relativisht e largët. Pikërisht nga këto pedatje, kur autori merr guximin të shkruajë për këtë shkrimtar, poet e prozator, kritik e publicist, studiues e leksikograf, lind shkrimi i autorit "Si lindi ky libër", kapitulli i parë, me të cilin edhe niset libri i Dinë Halilajt "Muza e Krojeve të Bardha".

Image

VEPRIMTARIA KOMPLEKSE

Vetë titulli i këtij libri lidhet me titullin e përmbledhjes së parë poetike të Hasan Hasanit "Krojet e Bardha", të cilën e pat botuar kur kishte vetëm 20 vjet. Gurgullima e këtyre krojeve ishte bërë inspirim për Hasan Hasanin dhe kjo e përcolli poetin gjatë gjithë jetës së tij. Libri "Muza e Krojeve të Bardha" i Dinë Halilajt ka një plan të caktuar strukturor me lëndën e sistemuar në nëntë nënndarje apo kapituj në të cilët kapërthehet e tërë krijimtaria letrare e Hasan Hasanit. Në kapitullin e dytë "Shtresime poetike gjysmëshekullore" autori Halilaj ka paraqitur 25 përmbledhjet me poezi për të rritur të Hasanit, sipas një rendi kronologjik të botimit të tyre, duke na bërë me dije se përmbledhjen e parë shkrimtari e botoi në vitin 1967 dhe për 50 vjet të krijimtarisë së tij letrare (1967- 2017) botoi 70 vepra, llojesh dhe gjinish të ndryshme, kryesisht nga letërsia, pa e lënë anash publicistikën dhe leksikografinë. "Ai, me mjeshtri, në veprën e tij skaliti personazh, që do të mbahen mend gjatë nga lexuesit. Gjatë kësaj periudhe letrare autori botoi: 25 përmbledhje me poezi për të rritur, me 27841 vargje, 5 përmbledhje me tregime, po ashtu për të rritur, 7 romane për të rritur, 12 përmbledhje për fëmijë, me 9150 vargje,8 libra me kritikë letrare,1 monografi, 6 libra me shkrime publicistike dhe 4 libra-fjalorë leksikografikë", shkruan Halilaj, duke dhënë kështu në mënyrë të kristaltë dhe të detajuar veprimtarinë komplekse të Hasanit, e cila në tërësinë e saj është e dominuar me motive e tema nga Dushkaja, nga vendi ku është lindur dhe rritur autori i tyre, e që ka mbetur i lidhur ngushtë me njerëzit e saj.

MT: KOMPLETI ME 15 VËLLIME

 Gjithashtu, Halilaj vë në spikamë edhe ndërmarrjen më të re të e shkrimtarit Hasan Hasani, i cili veprat e veta i mblodhi në kompletin prej 15 vëllimeve. Pothuaj të gjitha krijimet në një vend. Kështu që lexuesit dhe adhuruesit e veprës së tij tani e kanë lehtë t'i gjejnë dhe t'i lexojnë të gjitha shkrimet letrare, publicistike dhe leksikografike të autorit, duke mos i përfshirë disa vepra që janë më voluminoze. Në nënndarjen e tretë të këtij libri me titull "Fati i dushkajasve në vorbullën e rrëfimit" bëhet fjalë për prozën tregimtare të H. Hasanit, përkatë- sisht për pesë përmbledhjet e tij me tregime, ku janë të përfshira edhe novelat, pa lënë anash të sqarojë se në këtë gjini letrare janë katër përmbledhje me tregime e novela, si dhe një monodramë, ku thotë se "autori është treguar mjeshtër i vërtetë i monodramas, gjë që e kishte treguar në monondramën" Muzgu i hyjneshës",1996. Në nënndarjen e katërt,"Shtrirjet epike në fushën e romanit", autori Halilaj, përveç dy nëntitujve rutinë që ka përdorur në të gjitha nënndarjet e këtij libri: Në vend të hyrjes (në fillim të kapitullit) dhe në vend të përfundimit (në fund të tij), ka bërë nga një vështrim publicistik për të tetë romanet e Hasan Hasanit, që sjellin të dhëna interesante për lexuesit. Në libër është vijëzuar mirë edhe veprimtaria e Hasan Hasanit prej 12 veprash për fëmijë, që i gjejmë në nënndarjen e pestë "Udhëtim poetik nëpër vargjet për fëmijë". Edhe në këtë kapitull, autori i librit Dinë Halilaj, ka bërë një shëtitje letrare nëpër këto vepra të H. Hasanit. Ndërkaq, në nënndarjet apo kapitujt vijues: Kritika protoniste në letërsi (8 librat me kritikë letrare); Publicistika në shërbim të kulturës dhe kombit ( 9 librat publicistikë të Hasanit); Kontribut për leksikologjinë (4 vepra të këtij zhanri); dhe në fund, shkrimi përmbledhës "Muza e krojeve të bardha", që është edhe si rekapitullim i tërë asaj që është thënë në kapitujt e mëparshëm, në këtë libër ofrojnë lëndë të begatshme e shteruese për veprimtarinë e shkrimtarit dushkajas Hasan Hasani dhe janë rezultat i një pune me përkushtim të autorit Dinë Halilaj.

(Kosova Sot)