Institucionet lënë jashtë Listës shumë valle tradicionale

  • 18 December 2017 - 08:50
Institucionet lënë jashtë Listës shumë valle tradicionale

DISA VALLE TRADICIONALE TË KOSOVËS NUK JANË PËRFSHIRË NË LISTËN E PËRKOHSHME PËR MBROJTJE TË TRASHËGIMISË KULTURORE

Dasmat dhe ahengjet e kosovarëve për shekuj me radhë janë mbajtur nën peshën e valles

Me gjithë bollëkun dhe stilet e saj të interpretimit, vetëm dy prej valleve karakteristike kosovare janë marrë në mbrojtje nga autoritetet; Vallja e Karadakut, që mban numrin 1562 në kuadër të Listës së Përkohshme të Mbrojtjes së Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kërcimet e Drenicës, me nunër 1564
Vallja e shqiptarëve të Kosovës është mjaft e vjetër, madje shumë me e vjetër sa që është shkruar për të. Me karakteristikë të veçanta, stile dhe me interpretime të llojllojshme. Madje, ato njihen edhe me emra të përveçshëm, të cilat tregojnë edhe identitetin krahinës nga ku ka origjinën, si vallja e Rugovës, ajo Karadakut, Opojës, etj. Dasmat dhe ahengjet e kosovarëve për shekuj me radhë janë mbajtur nën peshën e valles. Duke e bërë këtë veprimtari si një nga elementet më të rëndë- sishme të trashëgimisë shpirtërore të shqiptarëve të Kosovës. Edhe pse e transformuar dhe e përshtatur me trendët e zhvillimeve globale, edhe sot vallja shqipe mbete tradicionale dhe shumë prezente në ahengjet e shumta të shoqërisë sonë. Me gjithë bollëkun dhe stilet e saj të interpretimit, vetëm dy prej valleve karakteristike kosovare janë marrë në mbrojtje nga autoritetet; Vallja e Karadakut, që mban numrin 1562 në kuadër të Listës së Përkohshme të Mbrojtjes së Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kërcimet e Drenicës, me numër 1564. Por, jashtë kësaj liste kanë mbetur edhe vallet e tjera karakteristike, si ajo e Rugovës, vallet karakteristike nga Opoja, apo vallja e Shotës, një valle mjaft e përhapur në vend, të paktën në gjysmë shekullin e fundit. 

Ruajtja e traditës 

Futja e Valles në listë të mbrojtjes nga institucione është parë si një veprim i mirë nga ekspertë dhe njohës të traditës shpirtërore në vend. Sipas tyre, institucionet kanë shumë për të bërë për të ruajtur këtë traditë dhe duhet të veprojnë sa më parë që në listë të jetë gjithë kjo pasuri, pasi, siç kanë thënë ata, trendët e rinj dhe globalizimi po rrezikojnë origjinalitetin e tyre. Profesori i koreografisë Dilaver Kryeziu, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se vallja shqipe është e vjetër aq sa edhe vetë populli shqiptar, me karakteristikë të dallueshme e origjinale, por edhe e gërshetuar me kultura të popujve të tjerë. Ndërsa, ka thënë se institucionet duhet të pasurojnë listën e mbrojtur, duke marrë nën mbrojtje. "Vallja është e vjetër sa vetë populli, andaj quhet valle popullore. Deri më tani kemi një numër simbolik të kësaj pasuri të futur nën mbrojtje, por nuk duhet harruar vallet e Opojës dhe rajoneve të tjera dhe që paraqesim një thesar te çmuar kulturor të zonave etnografike", ka thënë Kryeziu për "Kosova Sot". 

Bastardimi dhe humbja e origjinalitetit

Ndërsa, etnologu Frrok Kristaj ka thënë në një prononcim për gazetën "Kosova Sot" se institucionet e shtetit duhet të marrin në mbrojte vallet shqipe të rajoneve të Kosovës, për të ruajtur origjinalitetin dhe karakteristikën e tyre. Pikërisht për ta ruajtur nga bastardimet dhe humbje e origjinalitetit. Pasi, siç ka thënë ai, po vërehen shumë bastardime dhe interpretime të valleve të rajoneve të Kosovës pasi nuk po interpretohen në origjinal, të përcjellja me veshje origjinale të rajonit nga vjen vallja ose edhe të përcjella me instrumente të gabuara. "Vallja e Rugovës duhet të luhet me veshjet e Rugovës, dhe ajo nuk mund të përcillet me dajre-def, ose instrumente të tjera, por me lodër-daulle. Kjo vlen edhe për vallet e rajoneve të tjera", ka potencuar Kristaj. Ai ka thënë se gjatë punës së tij me shoqërinë kulturo-artistike "Katarina Josipi" e Zymit, ka hasur në valle, vendas luhen vetëm në Zym, "Vallja e burrave të moçme" dhe "Vallja e grave të moçme", meqë kanë një ritëm të ngadalshëm dhe që bien më rëndë poshtë. Ndërsa ka thënë se pjesë e listës duhet të jetë edhe veshja tradicionale, pasi, siç ka thënë ai, vetëm në Zym janë diku 16 veshje të dallueshme (femra-në bazë të nuancave, duke filluar nga fëmijët deri tek gratë më të vjetra).

(Kosova Sot)