Si e bëri Ed Sheeran këngën e dalluar të vitit, 'Shape Of You'

  • 23 December 2017 - 08:18
Si e bëri Ed Sheeran këngën e dalluar të vitit, 'Shape Of You'

SHKRUAN: JON PARELES

Nuk kishte presion. Ishte thjesht një ditë tjetër në studion e incizimeve. Ky ishte çelësi i shkrimit të këngës së Ed Sheeran-it, "Shape of You", e cila gjendet në toplistën e 100 hiteve më të mëdha që nga koha kur është lëshuar, më 6 janar, duke u gjetur edhe në krye të toplistës "Billboard", të këngëve të fundvitit. Kjo këngë sjell rrëfimin rreth një romance, të përshkruar deri në detaje - "now my bedsheets smell of you" (tani çarçafëve të mi iu vjen era jote). Kjo këngë është klikuar më shumë se 2.8 miliardë herë në "YouTube" dhe është kënga më e lëshuar në "Spotify", me më shumë se 1.5 miliard klikime. Sheeran mendonte se tanimë kishte këngë të mjaftueshme për albumin e tij "÷", të cilin e lëshoi këtë vit dhe ishte duke bërë përzgjedhjet përfundimtare. "Këtë këngë nuk e bëra për vete", thotë Sheeran, i cili kishte filluar që të bënte këngë edhe për të tjerët.

"SHAPE OF YOU" ISHTE SHKRUAR PËR NJË KOHË TË SHKURTËR

Një këngëtare me të cilën Sheeran kishte bërë turne, Anne-Marie, e drejtoi atë te producenti Steve Mac, një bërës i moçëm i hiteve, i cili ka punuar me këngëtarët, si Susan Boyle, grupin elektronik "Clean Bandit" dhe me bendin irlandez të djemve, "Westlife", si dhe me shumë të tjerë. Mac ka bashkëshkruar edhe këngën "Flying Without Wings", për të cilën Sheeran thotë se është njëra ndër më të preferuarat e tij. Sheeran ka ftuar edhe një mik të kamotshëm me të cilin ka shkruar qindra këngë, Johnny McDaid, anëtar të bendit "Snow Patrol", në sesionin e mbajtur në studion e Mac'ut, "Rokstone Studios", në Londër. "Nuk më kujtohet asnjë moment kur ne kemi qenë bashkë dhe nuk e kemi shkruar ndonjë këngë", thotë McDaid. "Kjo është mënyra sesi ne komunikojmë me njëri-tjetrin". Sikur edhe shumë hite të tjera aktuale, "Shape of You" ishte shkruar për një kohë të shkurtër, afër kompjuterit dhe instrumenteve."Kënga më e mirë të cilën e kam shkruar, por që as nuk më kujtohet ta kem shkruar", thotë Sheeran, i cili shton se shumicën e këngëve të tij i shkruan për vetëm 20 minuta, e më pas kalon te kënga tjetër. Pesëmbëdhjetë minuta pasi që Sheeran u takua me Mac-un në studio, "Shape of You" ishte duke u bërë. Sheeran i mban koncertet solo, ku gjithçka është "live"; ai i shkruan këngët në të njëjtën mënyrë. McDaid thotë se Ed shkruan sikur askush tjetër në botë. Ai e ka pasqyrën e këngës në mendje, para se ta artikulojë atë.

GODITJET E LEHTA ME SHUPLAKË

Bashkë me melodinë vinte edhe perkusioni, i krijuar nga Sheeran me goditje të lehta me shuplakë. Mac mbeti i befasuar kur mori vesh se Sheeran nuk kishte nevojë të dëgjonte çka kishte bërë tanimë. "Ai e bën një pjesë të këngës, pastaj tjetrën, më pas të tretën. Dhe, në fund thotë bashkoji të gjitha këto". Sa i përket ritmit të këngës, Sheeran e kishte paramenduar atë për ndonjë bend të femrave, apo si duet i një këngëtari dhe një këngëtareje. Apo, ndoshta edhe si një këngë për Rihannan. Derisa ishin duke punuar, bashkëpunëtorët e tij hetuan ngjashmërinë e kësaj kënge me atë të hitit të TLC'së të vitit 1999, "No Scrubs"; prandaj edhe ia vunë këngës emrin "TLC". Sheeran thotë se filloi negociatat për të përmendur meritën e këngës "No Scrubs", respektivisht autorëve të saj - Kandi Burruss, Tameka Cottle dhe Kevin Briggs - para se kënga të lëshohej, por ato negociata nuk u finalizuan derisa doli kënga. Teksti i këngës ishte me të vërtetë domethënës. Edit i ra në mend edhe fraza, e cila sipas tij, do të ishte e mirë për t'u kënduar në kor: "I'm in love with your body" (Jam i dashuruar në trupin tënd). Por, kjo frazë nuk është se iu kishte pëlqyer edhe aq Mac-ut dhe McDaid-it, meqë iu dukej tepër objektivizuese. Dukej sikur dashuria që përshkruhej ishte vetëm trupore dhe, asgjë më shumë. Por, më pas Ed ua dha disa shpjegime rreth domethënies së shprehjes në Irlandën veriore, prej nga edhe vjen ai. Pas një bashkëpunimi të ngushtë të të gjithë të përfshirëve, pas nja 90 minutash, ata kishin incizuar tërë këngën. "Kjo ishte një orë e gjysmë më e mirë në jetën time", thotë Mac. Atë ditë ata shkruan edhe katër këngë të tjera, destinuar për të tjerët: Liam Payne, DJ Snake, një duet për Faith Hill dhe Tim McGraw. Sheeran mendonte se "Shape of You", që në Irlandë nënkupton ajo që je, ashtu si je, ishte këngë e këndshme dhe se do të ishte e mirë për këngëtarin Rudimental, i cili sikur Sheeran punon me brendin "Atlantic", ndoshta në duet me Rihannan. Por, pasi që një ekspert e dëgjoi Edin duke e kënduar këtë këngë, e pyeti: "E, pse dëshiron që këtë këngë t'ia japësh dikujt tjetër"?

(Kosova Sot)