Eugent Bushpepa me “Mall” shpallet fitues i Fest ’56 (VIDEO)

  • 24 December 2017 - 07:27
Eugent Bushpepa me “Mall” shpallet fitues i Fest ’56 (VIDEO)

Kënga “Mall” e kantautorit të njohur Eugent Bushpepa u shpall fituese e Fest ’56. Dhënia e kupës u shoqërua me emocione të shumta, brohoritje dhe duartrokitje nga publiku i cili e mbështeti vazhdimisht. “Jam i kënaqur që do të përfaqësoj Shqipërinë në Eurosong” tha Bushpepa. “I jam shumë mirënjohës RTSH” shtoi ai.
“Mall” është një krijim muzikor dhe poezi i vetë fituesit Eugent Bushpepa, i njohur prej vitesh si një prej rokerëve më të mirë shqiptarë të dekadës së fundit. “Shpresoj t’ju pëlqejë dhe t’ju ndihmojë të kaloni sadopak mallin që keni për dikë” tha Bushpepa kur kënga u publikua pak kohë më parë. Por “Mall” jo vetëm u pëlqye, por është tashmë fituese.  Në vend të dytë në Fest ’56 u rendit Redon Makashi me këngën “Egzistoj”, ndërsa në vendin e tretë Inis Neziri me këngën “Piedestal”.
Festivali i 56 i Këngës në RTSH ka ulur siparin e tij, por ai duket se ka shënuar hapjen e një epoke të re në historinë e institucionit më të madh e më të vjetër radioteleviziv shqiptar. Sikurse u shpreh edhe prezantuesi i festivalit Adi Krasta “RTSH kërkon të lerë pas krahëve shijet e neglizhencës së politikës ndër vite”. “Festivalet në RTSH, kanë qenë janë dhe do të jenë një burim i pashtershëm i muzikës dhe kulturës shqiptare” shtoi më tej ai. Fest ’56 pa dyshim ka dhënë kontributin e tij.

(Kosova Sot)