Policët në ndjekje TË NJË VRASËSI SERIK

  • 26 December 2017 - 16:53
Policët në ndjekje TË NJË VRASËSI SERIK

KRITIKË E FILMIT 'HANGMAN'

Al Pacino, Karl Urban dhe Brittany Snow luajnë në filmin triler të regjisorit Johnny Martin

Duket tërësisht e pabesueshme që dy policë me përvojë ta lejojnë një gazetare t'iu pështillet për këmbë, pa përmendur këtu pjesëmarrjen e saj derisa ata janë duke ndjekur të dyshimtin

Shumë aktorë, emrat e të cilëve ende bëjnë bujë - duke përfshirë edhe emrat, si Bruce Willis, Nicolas Cage dhe Antonio Banderas - janë dorëzuar para mundësisë së fitimit të "parasë së lehtë", duke u paraqitur në trilerët e prodhuar nga "Saban Films". Por, është dëshpëruese ta shohësh Al Pacinon duke rënë në një nivel të tillë. Aktori, i cili kishte shkëlqyer gjatë viteve 1970 në filmat ikonikë, si "The Godfather", "Serpico" dhe "Dog Day Afternoon", meriton një përfundim më të mirë të karrierës së tij, sesa që këtë mund t'ia ofrojë filmi "Hangman", një triler rutinë, i cili e bën një episod tipik të serisë "Criminal Minds" që të duket i sofistikuar.

Rrëfim për një varg vrasjesh

Me një ngjarje që zhvillohet në qytetin fiktiv jugor "Monroe", i cili ia ofron Pacino-s mundësinë që të flasë me një theks të paidentifikuar - filmi sjell rrëfimin për një varg vrasjesh, të bëra nga një vrasës serik i cili, sikur që mund t'ju ketë shkuar mendja, lë gjurmë në formë të lojës, e cila mban emrin e njëjtë me filmin për të cilin jemi duke folur. Meqë, në filma, të çmendurit nuk është vetëm se vrasin, ata duan që të argëtohen duke e bërë një gjë të tillë. Duke hetuar vrasjet, të cilat ndodhin me shpeshtësinë alarmuese prej 1 vrasjeje çdo 24 orë, detektivët Will Ruiney (Karl Urban) dhe Ray Archer (Pacino) vihen në gjurmë. Ky i fundit është thirrur nga pensionimi pasi që numrat e bexhit të këtyre policëve ishin parë të gdhendur afër trupit të viktimës së parë. Sikur edhe të gjithë policët nëpër filma, edhe Ruiney ka një ngarkesë emocionale, kësaj here nga rasti i pazgjidhur i vrasjes së gruas së tij, derisa Archer është asi figure, i cili kur pyetet nëse pushon ndonjëherë, përgjigjet pa hamendje "Unë nuk pushoj... kurrë". Këtij çifti policësh iu bashkohet reporterja e gazetës "New York Times", Christi Davies (Brittany Snow), e cila, pasi që Ruiney e konfronton atë me zemërim, thotë: "Zotëri, unë kam qenë e nominuar për çmimin Pulitzer"! Përgjigjja e saj kur ai ia bën një pyetje në lidhje me një vragë në ballë, ofron një dëshmi shtesë rreth kualitetit të dobët të skenarit, të shkruar nga Michael Caissie dhe Charles Huttinger: "Ndonjëherë, kur gjen të vërtetën, të ngelet nga një vragë", thotë ajo, me klishenë më të keqe të mundshme. 

Zgjidhja e enigmës

Ndjekja e vrasësit, derisa një gazetare të vjen pas, bën që detektivët të gjenden në njërën situatë të rrezikshme pas tjetrës dhe, që të dështojnë në shpëtimin e një viktime, e cila ishte lidhur për hekurudhe. Kjo ngjarje duket gjithnjë e më e 'lodhtë', duke pasur parasysh filmat e tjerë, me këtë tematikë, që janë shumë më të mirë. Duket tërësisht e pabesueshme që dy policë me përvojë ta lejojnë një gazetare t'iu pështillet për këmbë, pa përmendur këtu pjesëmarrjen e saj derisa ata janë duke ndjekur të dyshimtin. Zgjidhja e enigmës, e cila përfshin një përfundim i cili duhet me çdo kusht që të evitohet nga skenaristët, duket më shumë qesharake, sesa që ofron kënaqësi. Përkundër skenave të shumta të aksionit, regjisori Johnny Martin (Vengeance: A Love Story) nuk ia del që skenat e dhunës t'i shoqërojë me një ndjenjë të pasigurisë. Ai po ashtu nuk ia del që ta nxjerrë atë më të mirën nga aktorët të cilët i ka angazhuar. Rolet në këtë film i luajnë: Al Pacino, Karl Urban, Brittany Snow, Joe Anderson, Sarah Shahi; regjinë e ka bërë Johnny Martin; derisa skenarin e kanë shkruar Michael Caissie dhe Charles Huttinger.

(Kosova Sot)