VITI 2017 - VIT I MOSAPLIKIMIT NË UNESKO

  • 01 January 2018 - 10:06
VITI 2017 - VIT I MOSAPLIKIMIT NË UNESKO

ME SHKAS VITIN E RI 2018

Në kulturë duhet të ndërrojmë qasje tërësisht, përkundër që kemi rritje në investime kapitale për vitin 2018

SHKRUAN: AVNI RUDAKU

1. Viti 2017 do të depozitohet në kujtesë si vit i vazhdimit të izolimit. Izolimi i kosovarëve është kufizim i shumë mundë- sive e motivimeve jo vetëm për vizita familjare, qëllime turistike, ekspozita e aktivitete të tjera kulturore në vendet e Bashkimit Evropian, por edhe për pikëllimin e humbjes së kohës e energjisë së madhe për diskutime të tilla, qoftë në kafene, shtëpi, rrugë, parlament e kudo tjetër.

2. Viti 2017 do të konsiderohet vit i heqjes dorë nga aplikimi i sërishëm i Kosovës në UNESKO. Deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme do të kujtohet si dështim për aplikim, dështim në arsyetim, rreth mosaplikimit në UNESKO, qoftë edhe nëse ndërlidhet me rrethanat globale të SHBA-së e hidhërimin e saj me UNESKO-n, me shkas raportet speciale të amerikanëve me Izraelin.

3. Viti 2017 do të kujtohet si vit i grevës së aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke treguar për të satën herë se statusi socio-ekonomik i aktorëve, mbetet i pakënaqur dhe vetëdija e tyre për statusin klasor ka ndryshuar, duke u shoqëruar edhe me organizime, presione e ankesa. Organizimi i aktorëve është i rëndësishëm edhe për publikun, meqë përmirësimi i jetës financiare të aktorëve, do të thotë edhe motivim në parim, për shfaqje më të shpeshta e më cilësore.

4. Viti 2017 do ketë mbamendjen për vitin kur sërish ka deklarata pas disa vjetësh se do të ndërtohet shumë shpejt objekti i operës dhe baletit, i ashtuquajturi "Ibrahim Rugova" dhe zhgënjimi i vazhdueshëm me zvarritjen disavjeçare e ndërtimit të këtij objekti me rëndësi për Filarmoninë dhe Baletin e Kosovës.

5. Viti 2017 do të ngelet vit i ndikimit thuajse zero të Ligjit për sponsorime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, sepse gjersa biznesmenët presin falje borxhesh në milionë, gjersa ka shmangie të lartë tatimore; gjersa ligji kërkon zbritjen e tatimit në fitim e jo ndonjë lirim nga ndonjë shtrëngesë tjetër doganore, motivimi i biznesmenëve do të jetë fare i ulët për të sponsoruar kulturën, rininë e sportin. Viti 2017 do të mund të ishte vit edhe i ndikimit të këtij ligji në rritjen e mjeteve për sponsorime, sikur të kishim një ministër që do të nxiste ndonjë kampanjë për këtë ligj; sikur të kishim një ministër që do të nxiste një fushatë me takime sistematike me biznesmenë sponsorues dhe të dilnin pamjet e nënshkrimit të një sponsorimi, për të nxitur edhe biznesmenët e tjerë për sponsorime, por edhe për të nxitur artistët, rininë dhe sportistët, të kërkojnë sponsorime nga bizneset, duke e hequr turpin apo skuqjen se, të kërkosh sponsorime, është sikur kërkim-lëmosha në rrugë. Ligji është bërë, por ka nevojë që MKRS të jetë me timonin e saj drejtues, t'i largon peripecitë ku ato paraqiten.

6. -Viti 2017 do të dëftohet natën si vit i procedimit në Kuvend të Ligjit për Liritë Fetare, me shumë gabime konceptuale e politike në formulimet gjuhësore e juridike, duke u përkufizuar objektet e trashëgimisë historike dhe kulturore-ortodokse, si serbe, ashtu sikur janë në UNESKO, e jo nën titullarin e shtetit të Kosovës.

7. Viti 2017 do të merr dhembjet e vdekjes së parakohshme të një shakaxhiu televiziv, i cili ka bërë humor në RTK e gjetiu, duke qenë i dashur për publikun, në kontekst të rrethanave dhe nivelit aktual të komedive në Kosovë. Vdekja e tij jo vetëm ka nxitur një sërë letrash e ngushëllimesh nga institucionet më të larta të vendit, por ka shfaqur një dhembje te publiku i gjerë, edhe për faktin se ka qenë shumë i matur, kreativ dhe unik në disa hajgare që ka realizuar. Ai do të mbetet i paharrueshëm me një personazh të njohur për të gjithë: "Me mësuesin"!

8. Viti 2017 do të rikthehet sërish në kolumnet tona, nëse ministri aktual nuk e zgjidh problemin e funksionimit të teatrove në komunat e Kosovës, pasi këtë gjë e ka premtuar në një takim me aktorët e Teatrit të Qytetit të Gjilanit dhe është zotuar se do të merret me problemet e Teatrove të të gjitha qyteteve në Kosovë. Po ashtu, u ka premtuar aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, se do të zgjidh problemin e pagave, kërkesa e të cilëve ishte paga sa e profesorëve universitarë! Pa kaluar në vitin tjetër të ri 2018, ministri nuk ka dhënë asnjë dëshmi se, në buxhetin e vitit që po vjen, janë paraparë zgjidhjet financiare. Ka planifikuar gati se gjysmën e një milion eurosh pas vendimit për objektin e MKRS-së në Prizren për ndërrim lokacioni, një vendim ky pa ngutinë e nevojshme! Me ato mjete financiare, shtatë teatrot e qyteteve kryesore në Kosovë, do t'i funksionalizonte mjaft mirë.

9. Viti 2017 do të kujtohet për vendosjen e përmendores së Idriz Seferit në qendër të Gjilanit dhe shumë busteve të tjera; reagimit të artistëve me motivim të vetëm artistik mbi zhvendosjen e ish përmendores së partizanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, si një nga debatet më të mëdha në rrjetet sociale, ndonëse pa ndonjë efekt real dhe nën kontekstin e shumë dilemave të mëdha rreth të kaluarës. Pavarësisht shembujve të shumtë të mosprishjes së trashëgimisë sovjetike kulturore në Gjermani, edhe pse armiku i gjermanëve ishin sovjetikët, në shumicën e herëve politikanët kosovarë vetëm deklarativisht e kanë në gojë imitimin e modelit evropian, sepse shumë standarde të larta të transportit publik, trotuareve të lira, ruajtjes së trashëgimisë kulturore me seriozitet maksimal, nuk i marrin fare si modele nga Evropa, por veprojnë me intuitën e tyre për të marrë sa më shumë vota, duke provokuar kinse ndjenja patriotike.

10. Viti 2017 do të sillet në mendje për vendimin e ndërrimit të objektit zyrtar të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, nga Prishtina në Prizren, i cili vendim u bë pa ndonjë diskutim, analizë dhe bilanc të shpenzimeve në këtë periudhë, si dhe gati gjysmë milioni për shpenzimet fillestare të këtij vendimi, të planifikuara edhe në buxhetin e vitit 2018. Kalimi i MKRS-së nga Prishtina në Prizren, nuk mund të anashkalohet kurrsesi!

11. Viti 2017 do të memorizohet si vit ku ministri flet me aktorët e TKK-së për rritjen e pagave vetëm se bëjnë grevë dhe nuk shkon e flet edhe me performuesit e tjerë kulturorë, nga institucionet e tjera vartëse të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, sikur janë Filarmonia e Kosovës, Ansambli i Valleve dhe Këngëve Popullore, Baleti, etj. Pse disa institucione mund të jenë më të favorizuara në paga e disa jo? Pse TKK është më i rëndësishëm se Filarmonia e Kosovës, apo Baleti, edhe nëse për këto dy të fundit, kemi më pak traditë? Pse punonjësit e rregullt të ansamblit "SHOTA" të mos kenë po ashtu ngritje të pagave? Pse të mos dihet me çfarë kritere interesohet MKRS për rritjen e pagave vetëm për një lloj performuesish kulturorë?

12. Viti 2017 nuk do të harrohet edhe për mungesë të fillimit të vetëdijesimit për trashëgiminë kulturore dhe ruajtjen e Qendrës Historike të Prizrenit, përkundër pasojës tragjike të humbjes së jetës së vogëlushes tri vjeç në vitin 2016.

13. Viti 2017 nuk do të kujtohet për ndonjë bashkëpunim të thellë, të veçantë, kreativ e të përzemërt në mes të teatrove të Kosovës, Shqipërisë e Tetovës a Shkupit; as për ndonjë bashkëpunim për argëtimin e fëmijëve për më shumë shfaqje në qytetet jashtë Prishtinës. Fëmijët në Kosovë, përjashtoni qendrat tregtare me lodra dhe lojëra, si dhe lojërat kompjuterike në shtëpitë e tyre, janë thuajse të privuara nga shfaqjet me kukulla jashtë Prishtinës; pa shfaqje për fëmijët në teatrot e qyteteve, etj.

14. Viti 2017 do të jetë vit i rezultateve të paparashikuara të zgjedhjeve lokale e qendrore, fitores së aq shumë ulëseve të Lëvizjes "Vetëvendosje" në Kuvendin e Kosovës, rënies së saj të papritshme në zgjedhjet lokale dhe përçarjeve me një sms m... për dallim nga përçarjet e partive të tjera me 'karrige' e me 'zagarë...'. Viti 2017 do të konsiderohet vit i humbjes së PDK-së në shkallë masive, rikthimit të fuqishëm të LDK-së në zgjedhjet lokale dhe AAK-së. Bashkë me këto zgjedhje, do të kujtohen koalicionet më joparimore, me gënjeshtra të secilit ndaj secilit, me ndërskamca të secilit me secilin, me thyerje premtimesh të elektoratit të secilit me secilin. Viti 2017 do të jetë edhe kundërthënie e 'njeriut të thjeshtë' në Prishtinë, si kryetar komune duke shkuar me trafik urban, dhe në anën tjetër, fshihet pas jahtit të bardhë, duke u zënë ngushtë në emisionin "Jeta në Kosovë", duke u ngatërruar me llojet e pijeve që kishte pirë në jahtin e bardhë! Viti 2017 nuk ishte vetëm vit i PDK-së, e cila shënoi humbjen e madhe në aq shumë komuna e vota, rikthimit të LDK-së por me habinë më të madhe të mbajtjes peng të reformave nga një lider që ka humbur aq shumë palë zgjedhje dhe ka thyer premtimet vazhdimisht se do të dorëhiqej, e akoma është në maje të pushtetit! Viti 2017, do të konsiderohet ndër vitet më kontroverse, me aq shumë fitore e rënie të shpejtë, të Lëvizjes "Vetëvendosje", si dhe përçarjet më tronditëse të fundvitit për anëtarësinë e saj të gjerë! Me dy palë zgjedhje lokale e qendrore në Kosovë, viti 2017 nuk do të mbahet në mend për asnjë parti politike që ka hedhur në dritë të mbarë ndonjë program kreativ e serioz në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. Partitë për disa vjet kanë dështuar të jenë të përkushtuara në programet qeverisëse për kulturë!

15. Viti 2017 do të jetë vit i vazhdimit të përzgjedhjes së anëtarëve të bordeve të dy institucioneve publike kulturore në të njëjtën kohë, e cila nuk lejohet me ligjet në fuqi, por funksionon si praktikë e kundërligjshme, e raportuar si vërejtje edhe nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.

16. Viti 2017 do të kujtohet për ndonjë bereqet si ideja e ndonjë muzeu të shkencave natyrore, apo diçkaje të ngjashme, por lajmet e këqija e dominojnë në shumicën e vjetëve. Fund

Viti 2018 të shpresojmë të mos jetë me 16 gjëra të mbamendjes negative sikur viti i kaluar 2017! Në kulturë duhet të ndërrojmë qasje tërësisht, përkundër që kemi rritje në investime kapitale për vitin 2018! Duhet ta rimendojmë thelbësisht mënyrën e funksionimit dhe qeverisjes së kulturës! Numër një, kërkohet rritja e përgjegjësisë, llogaridhënies dhe rritja e dashurisë për gjërat e bukura në hapësirat publike! Nuk mjafton ta shohim vetëm oborrin e bukur të shumicës së shtëpive të kosovarëve! Na duhet të dalim përtej oborreve tona dhe po ashtu të jemi kritikë ndaj çdo pushteti! Gëzuar të gjithë lexuesve dhe kolegëve të gazetës "Kosova Sot", viti 2018! Do të doja secilin prej tyre ta shoh të lumtur e në mirëqenie!

(Kosova Sot)