Projektet e mëdha, NË MJEGULL

  • 03 January 2018 - 08:44
Projektet e mëdha, NË MJEGULL

ÇFARË RISISH DO TË KETË KULTURA NË VITIN 2018?

Halili: Festivalet tashmë tradicionale nuk mund të quhen risi

"Mendoj që nuk do të ketë ndonjë ndryshim drastik në të mirë të zhvillimeve kulturore. Mungojnë iniciativat inovative e kreative, të cilat do ta ndryshojnë kursin e zhvillimit kulturor si në ngjarje, ashtu edhe në cilësi. Këtu vetëm kopjohen vitet paraprake dhe si ka qenë në ato vite do të jetë edhe ky vit", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", regjisori Mahir Musliu

Viti që sa po kemi hyrë nuk pritet të sjellë ndonjë ndryshim në zhvillimet kulturore në vend. Paqartësitë e shumta politike që po kalon vendi, problemet socio- ekonomike nuk japin shumë shpresë për ndryshime pozitive edhe në sferën kulturore. Pasi edhe kultura nuk mund të zhvillohet dhe të ketë përparime, pa zhvillimin gjithmbarshëm ekonomik të vendit. Kështu kanë thënë për "Kosova Sot", njohës të zhvillimeve kulturore në vend, krijuesit dhe performuesit artistikë. Sipas tyre, një ndikim në zhvillimet kulturore gjatë vitit 2018 do të kenë edhe mbështetjet financiare. Pavarësisht premtimeve në investimet kapitale kulturore, edhe këtë vit nuk pritet të ketë ndonjë nismë serioze për këtë çështje. Ende mbeten të paqarta fatet e disa prej projekteve kapitale kulturore, siç është ai për ndërtimin e Objektit të Operës dhe Baletit, Muzeut të Arteve Moderne. 

Realizim i projekteve të reja

Në një prononcim për "Kosova Sot", Arsim Halili, krijues, ka thënë se gjatë vitit 2018 pret që të vazhdohet me realizimin projekteve të reja kulturore. Duke shpresuar se, pavarësisht zhvillimeve, të ketë përparime dhe jo ngecje kulturore. "Sigurisht se edhe në këtë vit që sapo kemi hyrë do të vazhdohet me projektet të reja kulturore. Natyrisht për aq sa ua lejon buxheti brenda miratimit të projekteve të tyre konkurruese. Pres më shumë që të realizohen projekte filmike, ndonjë shfaqje teatrore, të cilat janë miratuar ditë më parë nga stafi TKK-së dhe jo vetëm nga TKK-ja, por edhe në qytetet e tjera ku i kanë të tilla institucione. Natyrisht edhe të vazhdohet me festivalet tashmë tradicionale që kjo më nuk mund të quhet risi, por vazhdimësi", ka thënë ai, duke shtuar se, ndonëse kultura në përgjithësi është aty ku është, shpreson që ky vit të mos e determinojë ngecjen, por progresin të paktën të konkurrojmë me diçka me vlerë jashtë hapësirave shqiptare.

Kopje nga vitet paraprake

Kurse, regjisor Mahir Musliu ka thënë për "Kosova Sot", se nuk pret të ketë ndryshime sa i përket të arriturave në kulturë për vitin që sapo kemi hyrë. "Mendoj që nuk do të ketë ndonjë ndryshim drastik në të mirë të zhvillimeve kulturore. Mungojnë iniciativat inovative e kreative, të cilat do ta ndryshojnë kursin e zhvillimit kulturor si në ngjarje, ashtu edhe në cilësi. Këtu vetëm kopjohen vitet paraprake dhe si ka qenë në ato vite do të jetë edhe ky vit", ka thënë ai. Po sipas tij, nuk pritet ndonjë mrekulli që mund të ndodhë. Kjo, sipas tij, vjen duke paragjykuar dhe paradoksale në thelb, ama duke u bazuar në vitet e tjera nuk mendoj se do të ndodhë diçka e rrallë ose e jashtëzakonshme. "Kosova mbetet peng i politikave antikulturore që aplikohen ndër vite. Pa njerëz me vetëdije të lartë kulturore nuk mund të kemi zhvillime të mirëfillta kulturore", ka thënë regjisori Musliu, në një prononcim për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)