Shpend Ahmeti nuk lodhet për kulturën

  • 09 January 2018 - 08:44
Shpend Ahmeti nuk lodhet për kulturën

TEATRI "DODONA" KA MBETUR NË MËSHIRËN E ASKUJT

Prishtina vazhdon të mbetet i vetmi qytet në vend pa Teatrin e saj profesionist. Në fakt, edhe pse tashmë ka vite që Teatri "Dodona" ka kaluar plotësisht në vartësinë komunale, Komuna e Prishtina në vazhdimësi po dështon ta funksionalizojë këtë teatër ashtu siç kërkohet me ligj. Aktualisht, funksionon vetëm skena e fëmijëve, përkatësisht ajo e kukullave. Për kohë të gjatë "Dodona" ka mbetur pa drejtor, Këshill Drejtues, pa ansambël, apo edhe udhëheqës artistik. Pavarësisht se Ligji për teatrot publike në vend përcakton qartë përgjegjësitë që në këtë rast i takojnë Komunës, e cila ka nën menaxhim "Dodonën". Gazeta "Kosova Sot" nuk ka mundur të marrë një prononcim nga Komuna e Prishtinës lidhur me situatën në "Dodona" gjatë ditës së djeshme. Por, për njohësit e zhvillimeve kulturore në kryeqytet dhe skenës teatrore, situate me "Dodonën" është e pafalshme që Komuna është treguar mjaft indiferent dhe akulturore, jo vetëm me teatrin e saj, "Dodona". 

Paratë për militantët

Në një prononcim për "Kosova Sot", krijuesja Behare Rexhepi ka thënë se teatri është ushqim shpirtëror i popullit ku kultivohet atdhedashuria. Qyteti pa teatër, ka shtuar më tej ajo është i thatë, i ngurtë, ku asgjë nuk lëviz, pikërisht ashtu siç edhe vetë qyteti i Prishtinës që ka mbetur pa teatër. "Është për t'u habitur se si është e mundur që ende asnjë personalitet politik nuk tentoi të zhvillonte kulturën në kryeqytet. Është për t'u habitur se si Shpend Ahmeti, i biri i një aktori, nuk ka trashëguar dashurinë ndaj teatrit dhe në vend se t'i ndihmonte 'Dodonës' gjatë katër vjetëve të qeverisjes së tij në Prishtinë e shkatërroi jo vetëm 'Dodonën', por edhe jetën kulturore në tërësi", ka pohuar ajo, duke shtuar se Serbia si okupuese bëri ndërtimin e teatrove dhe shtëpive të kulturës në çdo qytet të Kosovës brenda pesë vjetëve të instalimit të sistemit të tyre dhe kjo tregon rëndësinë e zhvillimeve kulturore për një popull. Pasi ka shtuar ajo, Serbia e dinte se përmes zhvillimit të jetës kulturore të dirigjuar e të kontrolluar tekstet për skenë do të ruante dhe do të zgjaste sundimin e tyre në trojet tona. Një pjesë teatrale, shton krijuesja Rexhepi, apo një film ndikon më shumë se 100 fjalime të thata të personaliteteve politike. Më tej, Behare Rexhepi thotë se më kot kryetari i Komunës lavdërohet se është për zhvillimin e Prishtinës, kur ai asgjë nuk investon në kulturë, apo nëse ka investuar, ato ua ka dhënë militantëve të tij në emër të kulturës për të penguar kulturën. 

"Dodona" ka pasur një pauzë të gjatë të jofunksionimit

Ndërsa, regjisori Agim Selimi, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se qeverisa aktuale e Prishtinës ka lënë shumë keq teatrin "Dodona", sidomos në aspektin financiar, por edhe menaxherial. Sipas tij, përveç investimit të kohëve të fundit në ndërrimin e kërrigave dhe të skenës, tjetër s' është bërë asgjë. "Mendoj se duhet një investim deri në 100 mijë euro, për projekte të skenës për fëmijë, por edhe të rriturve. Njëkohësisht duhet të emërohen edhe Këshilli Drejtues, drejtori, udhëheqësi artistik. "Dodona" nuk e meriton një trajtim çfarë është duke iu bërë, pasi ai është një nga teatrot më të mira të Kosovës", ka thënë regjisori Selimi, ish- drejtor për disa vjet i "Dodonës". Edhe regjisori Besim Ugzmajli, në një prononcim për "Kosova Sot" , ka thënë se është fatkeqësi që teatri "Dodona" ka pasur një pauzë të gjatë të jofunksionimit. "Është e dhimbshme që një teatër aq i rëndësishëm për Prishtinën, të mos funksionojë me repertor të rregullt e profesional", ka thënë Ugzmajli.

(Kosova Sot)