Politika sa më larg duart nga arti

  • 22 January 2018 - 09:24
Politika sa më larg duart nga arti

DILEMAT RRETH ZGJEDHJES SË DREJTORIT TË QENDRËS KINEMATOGRAFIKE TË KOSOVËS

Shumë prej kineastëve e presin me "ankthe" zgjedhjen e drejtorit të ri 

Qendra Kinematografie e Kosovës pritet të bëhet me drejtor të ri në muajin shkurt apo në fillim të marsit. Konkursi për ata që duan të marrin nën drejtim këtë institucion po zgjat ende. Përderisa shumë prej kineastëve e presin me "ankthe" zgjedhjen e drejtorit të ri, pasi mendohet se shefi i ardhshëm i QKK-së do të ndikojë mjaft në shpërndarjen e parasë së qendrës për filmin. Në fakt, për vite, jo pak herë shefat e QKK-së, sidomos drejtori aktual, por edhe këshillat drejtuese të qendrës, janë akuzuar nga kineastët tanë për keqmenaxhim të QKK-së dhe mbështetje të projekteve në baza politike e klanore. Alarmi arriti pikën më të lartë javë më parë, kur kineastët akuzuan MKRS-në për shpallje të konkursit të brendshëm, se po privon nga mundësia për konkurrim shumë prej emrave të njohur të artit të shtatë në vend. Aludimi ishte se tërthorazi po mbështetet drejtori aktual. Duke bërë thirrje për një konkurs publik dhe zgjedhjen e një autoriteti të përshtatshëm për të drejtuar QKK-në. 

Kërkesa për udhëheqës profesional

Në një prononcim për "Kosova Sot", regjisori Mahir Musliu ka thënë se QKK-së i duhet një profil, i cili nuk priret nga teket personale dhe që kinematografinë do ta vërë mbi çdo miqësi e interes personal. Zhvillimi i kinematografisë, fatkeqësisht, ka thënë ai, deri tani është thellësisht i varur nga ky institucion dhe puna objektive e këtij institucioni e determinon suksesin e zhvillimit të filmit në vend. "Një drejtor, i cili do të jetë i pavarur e objektiv do të sjellë një bord profesional nga i cili do të dalë një juri profesionale. Skenarët dhe projektet të lexohen e të vlerësohen, e gjithë kjo si rezultat do ta ketë suksesin dhe çdo vit kalendarik do të përmbyllej me shumë vepra të suksesshme kinematografike", ka pohuar ai, duke shtuar se deri tani kjo nuk ka ndodhur, sepse nëpër juri ka pasur njerëz që nuk e njohin filmin e gjuhën filmike, duke vazhduar se projektet u janë dhënë të njëjtëve njerëz duke vlerësuar emrat e jo projektet. "Kjo është e dëmshme dhe esencialisht primitive, sepse jemi në shek. XXI", ka pohuar ai.

Fitojnë pothuajse të njëjtët njerëz

Edhe aktori dhe njohësi i zhvillimeve kulturore në vend, Sabit Zeneli ka thënë për "Kosova Sot", se Qendrës Kinematografike i duhet, para së gjithash, një menaxher i suksesshëm dhe nuk duhet domosdoshmërisht të vijë nga komuniteti artistik. Dihet, ka thënë ai, që "Kosovafilmi" sukseset më të mëdha i ka pasur në kohën kur drejtor ishte poeti Azem Shkreli. Gjithashtu, sipas Zenelit, edhe TKKja ditët më të mira thuhet se i ka pasur kur drejtor ishte shkrimtari Ramiz Kelmendi. "Në QKK vazhdimisht drejtorët janë "zgjedhur" nga politika, andaj edhe rezultate janë si janë. Në juri vlerësuese ka anëtar që kurrë nuk kanë shkruar asnjë dramë apo skenar, madje as edhe një dialog. Fitojnë pothuajse të njëjtët njerëz për çdo vit,e çka është edhe më keq të regjionit nga vjen drejtori ose ministri i Kulturës. Përderisa politika të përzihet në art gjërat do të ecin kështu", ka pohuar ai. Më tej, Zeneli ka thënë se ne jemi vend i vogël dhe ata që janë meritorë ta udhëheqin QKK-në, sepse është lehtë të identifikohen. "Disa kineastë e kanë ngritur zërin, por pastaj projektet e tyre kanë 'fluturuar' në kosh dhe shumica kanë zbatuar atë popullorçen: 'Kur nuk mundesh t'u bësh asgjë iu bashkëngjit'. Prandaj, në pamundësi për të fituar ndonjë projekt në QKK kineastët kërkojnë rrugë alternative, angazhojnë truproja të ministrave a kryeministrave në role kryesore ose edhe fëmijë biznesmenësh kundrejt pagesë dhe pastaj krejt del turbotallava", ka potencuar Zeneli. 

Duhen drejtues që avancojnë kinematografinë kosovare

Ndërkaq, në një prononcim për "Kosova Sot", regjisori dhe aktori Sunaj Raça ka thënë se qendrës i duhen drejtues, të cilët arrijnë të avancojnë përpara industrinë filmike në vend. Por, ka bëjë të njohur edhe ai, duke marrë si shembull edhe menaxhmentin aktual të QKK-së. "Sigurisht se puna e Arben Zharkut si drejtor i QKK-së ishte me plotë suksese. Shumë filma të mbështetur nga QKK-ja kanë treguar suksese në festivale botërore. Sigurisht se gjithmonë ka mundësi për më mirë. Unë si pjesë e komunitetit të kineastëve përgëzoj Zharkun dhe QKK-së, uroj të ketë drejtor të formatit të tij", ka thënë ai në një prononcim për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)