Luigj Gurakuqi poet e patriot i flakët

  • 28 January 2018 - 08:56
Luigj Gurakuqi poet e patriot i flakët

NË 93-VJETORIN E VRASJES

Shkrimet e Gurakuqit nuk janë vetëm dëshmi e një akumulimi patriotik, sa edhe mllef ndaj dukurive negative

SHKRUAN: ISMAIL GASHI-SLLOVIA

Kështu e pat filluar Noli elegjinë e tij të famshme "Syrgjyn vdekur", për mikun, bashkëluftëtarin e bashkëpunëtorin e tij, Luigj Gurakuqi, të vrarë më 2 mars 1925 në Bari të Italisë. Noli pati shkas e arsye të madhe ta vajtojë "Katilinarqe" në nivel personal e kombëtar, historik e poetik këtë martir të Lëvizjes Kombëtare. Të vajtojë, duke kuvenduar, duke informuar popullin shqiptar, Shqipërinë - Nënën për këtë humbje të madhe, për vrasjen e Luigjit, patriot të flakët e vigan, këtë poet e arsimdashës të madh. Gurakuqi filloi herët të merret me vargëzime, sigurisht i shtyrë nga entuziazmi i Rilindësve para tij, e veç- mas nga mësuesi i madh i tij, Plaku i nderuar, Jeronim de Rada,"Duke dëgjuar zanin e tij të fikët, e tue pa sytë e tij të mekur". Kur ai e përmendte Shqipërinë dhe Skënderbeun, para nxënësit të tij dhe poetit të ardhshëm, i dha shkas e motiv të shkruajë edhe ai diç për këtë strall që e përjetoi nga kjo flakë e madhe patriotike. Shkrimet e Gurakuqit nuk janë vetëm dëshmi e një akumulimi patriotik, sa edhe mllef ndaj dukurive negative, që atij i dukeshin në letërsi dhe sistemin politik e shtetëror të otomanëve të urrejtur nga poeti i ri. Një numër tjetër vargjesh të Gurakuqit janë mall e konsideratë ndaj shokëve, veç- mas ndaj Filip Shirokës, Hil Mosit, Gjergj Fishtës e të tjerëve, në vargje e tilla, kemi edhe aso që bëjnë qortim, ndaj një pjese shkrimesh, të cilat, sipas Gurakuqit, nuk shohin dritë për të tilla poezi, jo të nivelit artistik. Ata poetë, nëse Gurakuqi ka menduar vetëm për një pjesë te veçantë, janë bastarduesit e gjuhës dhe vargnimit shqip. O t'falitun,ku e xut këtë dituni Fort jeni tuj gabue / T'falun atdhetarit të Kosovës/

KISHTE MËSUES NAIMI FRASHËRIN

Gurakuqit i çante zemra se këta ishin shkollarët shqiptarë, të shkolluar nëpër qendra të ndryshme të Evropës, që atë kulturë, nuk e sillnin për të mirën e atdheut dhe gjuhës së tyre shqipe. Gurakuqi kërkonte nga të rinjtë, që të këndojnë si "Alkej e Safo për Vegjilin", ose të atillë që, këndojnë si Bajroni "qi t'Tepelenit iu pat këndue luanin". Më duket se Gurakuqi për një kërkesë të tillë, kaq të prerë e mohim kaq të thellë, nuk kishte lexuar e vlerësuar nivelin e poetikës shqipe, andaj duket paksa kërkesë e madhe. Ndoshta Gurakuqi nuk kishte pjekuri artistike e as moshë që të kërkojë edhe më pak, të gjykojë aq rreptë letërsinë dhe krijuesit e letërsisë shqipe dhe të lëshojë nën nivelin që ishte. Dihet se, në mesin e krijuesve të asaj kohe, kishte të tillë që kënduan mirë për shqiptarët e Shqipërinë, për ngjarjet dhe kohën e tyre, kishte Bajrona e Safo të merituar, si Naimi Frashëri e Jeronim De Rada, këtë të fundit Gurakuqi pati fatin ta kishte mësues. Atë se nuk e çmoi sa lypej e meritueshëm poezinë shqipe, Gurakuqi e dëshmoi edhe në veprën e tij, "Vargnimi i Gjuhës Shqipe", botuar më 1906. Në të cilën mendimet teorike nuk i ilustroi nga brumi i letërsisë shqipe, por me atë nga letërsia e huaj, të cilën me gjasa e njihte më mirë. Pra, Gurakluqi nuk i përmende disa penda të spikatura të kohës. Ndërsa adhuronte disa të tjera, të cilat në krahasim me të parat, ishin më të ulëta, në pikëpamje të nivelit letrar, artistik e ideor. Si duket natyrshëm ishte paksa karakter i vrullshëm në vlerësim ashtu siç ishte edhe në jetën praktike, i tillë mund të ketë qenë edhe në vlerësim letrar e artistik. Andaj, edhe disa mendime teorike në veprën e përmendur nuk mund të qëndronim shumë në kohë. Për mendimtar mund të merret se ai u përpoq të thotë diç edhe për vargimet origjinale të letërsisë shqipe të kohës. Në poezinë "Qendra", e cila konsiderohet për kryevepër poetike e Gurakuqit, nuk na del aq mendimtar, aq sa duhej të dalë dhe çfarë ishte në jetën praktike. Kuptohet, poetët mendimtarë janë më të rrallë, ne marrim Naimin, që zë krye në këtë drejtim, ndërsa tentimet e Gurakluqit janë vetëm tentime pozitive për kohën. Për pedagog, ai do të tregohet edhe në Normalen e Elbasanit 1909, në të cilën ishte drejtori i parë i saj, e njëherësh edhe hartuesi i shumë teksteve për nxënësit e saj Gurakuqi ka bërë përpjekje në krijimtari e punë patriotike dhe dosido iu desh të largohet nga krijimtaria letrare. Këtë e bëri, siç thotë akademik Rexhep Qosja, duke parë se puna patriotike ishte shumë më efikase dhe e domosdoshme që nuk kishte kohë për pritje sesa krijimtaria letrare". Ai e la herët krijimtarinë, edhe pse "me ato pakëz shkrime e pakëz përkthime që bëri mbetet në vend të merituar në historinë e letërsisë shqipe. Luigj Gurakuqi më shumë ishte njeri i aksionit e veprimit praktik kombëtar e intelektual. Kështu më 1908, në emër të delegatit të Shkodrës dhe arbëreshëve të Italisë, mori pjesë në Kongresin e Manastirit, për çështje të njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Gurakuqi dha mendimin se "edhe kombi shqiptar duhet të marrë rrugën e qytetërimit, si gjithë kombet e qytetëruara". E kur Shqipëria ishte nën zgjedhën e otomanëve, u hap shkolla e parë e mësuesisë shqiptare, e njohur me emrin "Normalja e Elbasanit", më 1909. Kjo ishte ngjarje, sa e madhe, aq edhe rëndësisë së domosdoshme për arsimin e popullit tonë. Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhovani e intelektualë të tjerë punuan me nxënësit e kësaj shkolle, në përgatitjen e kuadrove " si me mujt mirë me sherbye" arsimit kombëtar në shkollat e ardhshme në gjithë hapësirën etnike shqiptare. Nxënësit e kësaj shkolle u bënë pishtarët e arsimit tonë anë e mbanë, ku flitej shqipja. Po ashtu,këta bijë udhëhoqën edhe luftën për të mirën e popullit dhe Shqipërisë. Merita e dorës së parë i bije hise drejtorit të parë me shokë, të kësaj shkolle, si edhe për qëndresën e tyre rezistuese, që këtë shkollë ta rihapin përsëri më 1911, pasi turqit e mbyllën si të rrezikshme. Po ashtu Gurakuqi në aktivitetin e tij në lëmin e gjuhës shqipe ka merita për iniciativën e tij, që më 1916, të marrë pjesë të punojë e kontribuojë në formimin tash më të njohurën "Komisija Letrare" në Shkodër, që njihet si veprim i parë konkret për fillimin e njësimit të gjuhës letrare kombëtare.

PATRIOTI STOIK

Për Gurakuqin më së shumti mund të themi se ai veprimtar kombëtar e parlamentar në ballë të opozitës dhe përballë kundërshtarëve të jashtëm politikë e kombëtarë, si dhe publikimet e tija në gazetat dhe revistat e kohës, si: Albania, Flamuri i Arbërit e të tjera. Po ashtu, është i njohur bashkëpunimi i Gurakuqit me shumë poetë e patriotë, si me Shirokën, Nolin, Skiroin, Fishtën e të tjerë. Bashkëpunoi ngushtë me Hasan Prishtinën, Avni Rrustemin, Bajram Currin, Isa Boletinin e Plakun mjekër bardh Ismail Qemailin e Ded Gjo Lulin. Kur shihen me kënd punoi, me kë qëndroi, kuptohet edhe ku ishte e kush ishte Luigj Gurakuqi. Me këto personalitete madhore historike, patjetër Gurakuqi kaliti patriotizmin e tij e do të mbetet personalitet i madh në historinë shqiptare. Për fatin e tij të mirë, kjo ishte kohë e vrullit dhe e lavdisë sonë historike. Patrioti stoik, i mençur, i matur dhe enciklopedik, mik i veprës e përparimit, u gjet i pranishëm e në ballë të organizimit e veprimit në data të lavdishme të historisë sonë kombëtare, u lavdërua, më 28 nëntor 1912, që ishte në krahun e djathtë të Plakut Mjekër Bardh Ismail Qemailit, në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë nga sundimi mbi pesëshekullor Otoman, në Vlorën Heroike, ku pat thënë: Kjo zgjedhë duhet të jetë e fundit" dhe për shqiptarët "Kjo festë asht e mrekullueshme dhe e madhërishme". Më 1921/24 Gurakuqin e shohim deputet të Shkodrës në Parlamentin shqiptar në Qeverinë e Zogut, vrasësit të tij të ardhshëm, në pushtetin e të cilit Gurakuqi shihte "pushtetin e hurit dhe të litarit". Veprimet kundër Zogut në Parlament gjithmonë i kishte në mbrojtje të interesave të fshatarësisë dhe çdoherë foli në të mirë dhe mbrojtjen e tyre. Zogu edhe pse u mundua t'ia ndal gojën këtij "zemër hekuri", kurrë nuk ia arriti qëllimit. Gurakuqi për Shqipërinë ishte patrioti xhevahir i shtrenjtë, që siç thotë historiani me kompetencë i historisë së letërsisë shqiptare Rexhep Qosja. "Nuk ka ditur, as nuk ka dashur t'i bëjë punët vangavinga". Pas vrasjes së Avni Rrustemit, u bë nxitje e favorshme për kryengritje, të cilën e udhëhoqi Fan Noli dhe mu nga kjo kryengritje nuk vonoi dhe u kororëzua me formimin e njohur të Qeverisë Demokratike, Revolucioni e Qershorit më 1924. Edhe pse nuk pati jetë të gjatë, nga armiqtë ziliqarë serbë dhe intrigave të me sllavët e kundërshtarëve tjerë, jehona e tij qëndroi për shumë kohë e njihet në histori e dëgjohet edhe sot në Shqipëri dhe gjitha trojet etnike shqiptare. Gurakuqi ishte dorë e djathtë e Qeverisë Demokratike shqiptare të Nolit, ku kreu detyrën e ministrit të Arsimit. Qosja me të drejtë thotë: "Humbëm Qeverinë Demokratike, që askush nuk e pati para nesh në Ballkan". Ishte Qeveri e parë e këtij lloji në siujdhesën tonë. Pas këtij dështimi, Gurakuqi me shokë, shkuan në emigrim, për t'u përgatitur e pritur një ditë të përshtatshme të rikthimit. Por, Zogolli përgatiti mercenar të soji të vet, që mos ta gjente edhe njëherë e liga mbretërore, i ndoqi, i vrau i shau dhe i zhduku këta patriotë atdhetarë, me dorë tradhtare të mercenarëve. Vrau edhe Gurakuqin ndër të parët, më 2 mars 1925 në Bari të Italisë, Gurakuqi mbeti syrgjyn-vdekur, si edhe Bajram Curri e Hasan Prishtina më vonë në Selanik dhe dyfish u hakmor ndaj Avni Rrustemit pse ia vrau dajën e mikun më besnik të serbëve, Esat Pash Toptanin.  

(Kosova Sot)