Infrastruktura kulturore në kryeqytet, si mos më keq

  • 29 January 2018 - 09:05
Infrastruktura kulturore në kryeqytet, si mos më keq

NGECJE NË ZHVILLIMIN E KULTURËS 

Për vite me radhë drejtuesit e Komunës së Prishtinës janë akuzuar nga komuniteti artistik për mosndërmarrjen e masave për të përmirësuar infrastrukturën kulturore në kryeqytet. Qoftë për funksionimin e institucioneve të saj kulturore, apo edhe ndërtimin e objekteve për nevojat e komunitetit kulturor kryeqytetas. Pavarësisht premtimeve, Prishtina vazhdon të mbetet i vetmi kryeqytet pa ndonjë festival prestigjioz, qoftë në muzikë, film, apo teatër. Për më keq, kryeqyteti nuk ka një sallë adekuate për festivale apo aktivitete të mëdha kulturore. Prishtina vazhdon të mbetet i vetmi prej qyteteve të mëdha në Kosovës që ende nuk e ka funksionuar Teatrin e saj, pavarësisht kushteve shumë më të mirë për zhvillime kulturore në raport më komunat e tjera. 

Objektet nuk i plotësojnë kushtet

Për njohës të zhvillimeve kulturore në vend, kryeqyteti ka ngecje të mëdha në infrastrukturë kulturore, sidomos më ndërtimin e objekteve për nevoja të kulturës. Krejt ajo çfarë ka, janë objekte të trashëguara nga koha e ishkrahinës, ku pavarësisht ndërhyrjeve ato nuk i plotësojnë nevojat që dalin sot për zhvillimet kulturore. Ndërsa, fusha monumentale e trashëgimisë është si mos më keq, ku në shumë raste monumentet janë degraduar tej mase. Edhe këtë vit, për njohës të zhvillimeve kulturore, nuk presin ndryshime sa i përket përmirësimit të infrastrukturës, pa ndonjë investim në projektet e premtuara si salla universale, shtëpi kulture në shumë lagje, apo objekt të ri për teatrin e qytetit. Koreografi Dilave Kryeziu, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se nuk pritet të ketë ndonjë zhvillim, pasi, gjithçka varet nga njerëzit që do t'i përzgjedhë kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për t i drejtuar institucionet kulturore në kryeqytet, dhe sa ato arrijnë të shpëtojnë nga ndikimet politike Sipas tij, çdo fillim viti po ndodh e njëjta dilemë rreth asaj se çfarë do të sjellë qeverisja për kulturën, por, siç ka thënë ai, gjithçka varet nga vendosmëria dhe aftësia e zyrtarëve institucionalë. "E tëra varet kush do t'i udhëheqë institucionet dhe sa politika rri larg kulturës. Sa i përket sallës universale, është kuptim në vete, pasi lehtë është për të menduar dhe për të folur, por realizimi bëhet kur do dhe di", ka thënë Kryeziu për "Kosova Sot".

As ky vit nuk do të sjellë ndryshime

Studiuesi Avni Rudaku, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se deri më sot Komuna e Prishtinës nuk ka arritur të krijojë një model të qeverisjes sa i përket kulturës. Nisur nga ky fat, sipas tij, edhe viti që kemi hyrë nuk do të sjellë ndonjë ndryshim. "Komuna e Prishtinës nuk arriti të krijojë model qeverisës për kulturën. Nuk u stabilizua me drejtoresha. As tutje nuk presim ndonjë gjë, pasi janë dy krahë që do ta pengojnë njëri-tjetrin nga brenda, por edhe nga jashtë", ka potencuar Rudaku. Sipas tij, nuk do te jetë qeverisje cilësore për kulturë bazuar në përvojat e mëhershme, por edhe nga zhvillimet brendapartiake, ku së shpejti pritet edhe kreu i komunës të largohet nga subjekti i vet.

Objektet e ish-sistemit të kaluar

Edhe Dan Ibrahimi, krijues dhe njohës i zhvillimeve kulturor në kryeqytet, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se infrastruktura është si mos më keq, duke pohuar se është për keqardhje se si kryeqyteti ka mbetur në objekte të trashëguara nga koha e ish- krahinës, pa pasur investime, kaq vite pas luftës. "Do të duhet që si institucionet komunale, por edhe ato qeveritare të punojnë për të investuar në infrastrukturën kulturore në kryeqytet, pasi tashmë kryeqyteti vazhdon të mbesë me një infrastrukturë të vjetërsuar dhe nga ish- regjimi i kaluar", ka thënë ai, për "Kosova Sot". Gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim nga zyrtarë komunalë lidhur me gjendjen dhe investimet në infrastrukturën kulturore që Komuna planifikon t'i ndërmarrë gjatë vitit 2018.

(Kosova Sot)