Qeveria në presion për rritje pagash për punonjësit e kulturës

  • 31 January 2018 - 09:06
Qeveria në presion për rritje pagash për punonjësit e kulturës

HARTOHET RREGULLORJA E RE PËR PAGAT DHE GRADAT E KRIJUESVE DHE PERFORMUESVE

Komuniteti artistik vazhdon të ketë rezerva ndaj premtimeve të MKRS-së lidhur me pagat

Ministria e Kulturës i ka nisur përgatitjet për formimin e një komisioni, i cili do të punojë në hartimin një rregulloreje të re për pagat dhe gradat e krijuesve dhe performuesve si dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore, e cila më pas do të dërgohet në qeveri për miratim. Ky dokument pastaj do të qartësojë se cilat do të jenë pagat që do të marrin punëtorët kulturorë. Kështu kanë thënë zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, por pa dhënë ndonjë datë të caktuar rreth përfundimit të kësaj projekt-rregullore. MKRS-ja sikurse edhe gjithë qeveria po "mbahet' në presion nga punëtorët e institucioneve, të cilët po kërkojnë rritje pagash. Deri më tani janë dhënë premtime nga MKRS-ja se rrogat e janarit do të jenë me rritje, sidomos për punëtorët e TKK-së. Por që nuk është e mjaftueshme për të vënë qetësinë tek të gjithë punëtorët kulturorë që marrin roga nga buxheti publik. Duke bërë Rregulloren për pagat dhe gradat e krijuesve dhe performuesve, si dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore, si çelësin që do të zgjidhë çështjen e pagave për punëtorët e MKRS-së. Megjithatë komuniteti artistik në vend vazhdon të ketë rezerva ndaj premtimeve të MKRS-së lidhur me pagat, duke kërkuar nga ministria që kjo çështje të rregullohet ligjërisht. Samir Hoxha, këshilltar i ministrit të Kulturës, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit tani ka të aprovuar koncept-dokumentin për pagat dhe gradat e krijuesve dhe performuesve si dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore."Tani jemi duke bërë përgatitjet për formimin e grupit punues, i cili do të hartojë projekt-rregulloren, e cila pastaj pas zhvillimit të të gjitha procedurave të parapara me legjislacionin në fuqi do të procedohet në Qeverinë e Republikës së Kosovës për aprovim", ka thënë ai, duke shtuar se të gjitha çështjet e tjera për mënyrën e hartimit, duke përfshirë edhe pagat dhe gradat e këtyre kategorive, do t'i bëjë grupi punues, i cili edhe do ta marrë mandatin për hartimin e projekt-rregullores.

Shpresë se Qeveria do ta mbajë fjalën

Sabit Zeneli, aktor dhe njohës i zhvillimeve kulturore në vend, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se do të ishte e natyrshme që pas këtij miratimi të besohet se do të fillojë më në fund t'u kthehet dinjiteti punëtorëve të kulturës, por, siç ka cekur ai, ec e beso! Ka shtuar se ka pasur shumë premtime, janë hartuar dokumente, por asnjëherë nuk janë realizuar, sepse qeveritarët kanë gjetur ndonjë arsye që e ka bërë të parealizueshëm premtimin."Mënyra e gradimit mbetet të shihet, sepse deri më tani ky kriter kryesor ka pasur nepotizmin, krahinarizmin, e jo vlerën e mirëfilltë të punëtorëve të kulturës. Dashtë Zoti që kësaj here ta mbajnë fjalën e t'i rrisin pagat, sepse kjo është një garanci për një punë më të mirë në të gjitha institucionet kulturore", ka thënë Zeneli. 

Problemet e grumbulluara me vite

Regjisori Mahir Musliu, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se një nivelim dhe barazim i pagave të punëtorëve apo performuesve kulturorë duhet të bëhet sa më shpejt. Bile, ka thënë ai, së paku kjo shtresë shoqërore të fitojë statusin e shërbyesit civil, ndonëse meriton më shumë. Vetëm tek ne, ka thënë ai, një punëtor administrativ vlen më shumë se një artist, i cili karakterizohet me punë kreative e artistike."Pra, nuk hyjnë këto me një vorbull, ama ja këtu tek ne edhe kjo po ndodh. MKRS-ja në krye me ministrin Gashi po tentojnë t'u hapin rrugë këtyre procedurave dhe ky është një hap para në këtë drejtim", ka pohuar ai, duke shtuar se kjo çështje nuk mund të zgjidhet me shkop magjik, ndonëse problemet aty janë të grumbulluara ndër vite. "Kur ia shtojmë edhe procedurën që duhet të kalojë nëpër rrugë legjislative, atëherë duhet kohë për arritjen e qëllimit", ka potencuar Musliu për "Kosova Sot". Por, Bujar Meholli, krijues dhe performues artistik, mbetet skeptik se gjendja në fushën e kulturës do të përmirësohet, megjithëse u hartua kjo rregullore për pagat e punëtorëve kulturorë."Nuk besoj në këto institucione, nuk besoj në këtë Qeveri! Thjesht s'ma ha mendja se gjendja do të ndryshoje gjë, me këto fjalë e rregullore, të cilat s'po shndërrohen në vepra të qarta. Nuk zgjidhet asgjë me fjalë boshe, dhe të tilla kemi mjaft sosh. Edhe puna me pagat kujtoj se do të jetë kështu", ka thënë Meholli. 

(Kosova Sot)