Artistët e prekur nga virusi i politikanëve, hallakamë në Teatër

  • 02 February 2018 - 09:20
Artistët e prekur nga virusi i politikanëve, hallakamë në Teatër

ÇFARË PO NDODH ME TEATRIN KOMBËTAR TË KOSOVËS?

Zhvillimet e ditëve të fundit në Teatrin Kombëtar të Kosovës, pas reagimit të aktorit të Trupës Rezidente Armend Baloku, për keqmenaxhim, klanizim dhe anomali të tjera brenda TKK-së, kanë rikthyer në vëmendje shumë prej akuzave që për një kohë të gjatë rëndojnë në adresë të menaxhmentit të TKK-së. Përplasjet e drejtori të TKK-së me Shoqatën Sindikale të TKK-së, sulmi ndaj një aktori të TKK-së nga një koleg i tij dhe udhëheqësit artistik, pastaj 'vizitat' e shpeshta të hetuesve në teatër e plotë akuzat e tjera ngrisin nevojë për të sqaruar njëherë e mirë situatën në TKK-në. Më gjithë përpjekjet, gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim nga zyrtarë të MKRS-së lidhur me situatën në TKK, e as nga menaxhmenti i këtij Teatri lidhur me akuzat në adresë të tyre. Ndërsa, zyrtarë të Këshillit Drejtues kanë thënë se me një qëndrim do të dalin pas takimit që do të kenë. Në anën tjetër, për njohës të zhvillimeve kulturore në vend dhe komunitetin skenik, kjo çfarë po ngjan me TKK-në është pjesë e krizës që ka përfshirë Teatrin për gati një dekadë, ndërsa tani po vërehen pasojat e saj. Por, thërrasin artistët që të jenë më të guximshëm, siç kanë thënë ata, në mbrojtje të punës dhe dinjitetit të artistit.

Mendësia e plaçkitjes

Burbuqe Berisha, kryetare e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se KD -ja do të bisedojë në momentin që do të mblidhet, pasi këto shqetësime janë serioze, duke pasur parasysh rëndësinë që ka TKK-ja. "Nuk mund të flas tani, ne si KD do të mblidhemi, do të diskutojmë për situatën dhe shqetësimet e ngritura", ka thënë ajo për "Kosova Sot". Ndërsa, regjisori Mahir Musliu, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se edhe TKK-ja është pjesë e kësaj shoqërie, e cila si bazament të vetin e ka korrupsionin, rrenën dhe dhunën. Pra, ka thënë ai, është e pamundur që ky institucion të mos ta këtë prekur ndonjëri prej këtyre sloganeve. "Edhe pse nuk mund të jap shumë detaje nga kjo, meqë nuk jam brenda për të pasur informacione më të sakta se çfarë është duke ndodhur aty, një gjë e di se edhe TKK-ja është pjesë e kësaj mendësie kriminale, e cila plaçkitjen e ka bërë mënyrë jetese, kurse çdo vlerë e ka zëvendësuar me antivlera", ka thënë Musliu, duke shtuar se kriza morale ka filluar që gati një dekadë, ndërsa tani po vërehen pasojat e saj. "E dhimbshme sesi artistët preken nga virusi i politikanëve, ku pushtetin e shohin si mjet për të ushtruar tekat dhe inatet e tyre, kurse menaxhmentin si mjet për të përfituar", është shprehu ai.

Guximi i artistit

Kurse, krijuesi Bujar Meholli ka thënë për "Kosova Sot", se kohët e fundit situata në TKK është rënduar goxha shumë. Duke kritikuar organet drejtuese të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ai ka thënë se keqpërdorimet po ndikojnë direkt te aktorët, të cilët janë të demotivuar nga kjo gjendje që tash sa kohe e ka pllakosur TKK-në, e që po i shkakton dëme të mëdha jetës kulturore kosovare. "Kështu, unë e përkrah protestën e aktorit të TKK-së, Armend Baloku, i cili mendoj se me shumë të drejtë ka reaguar dhe është vënë kundër këtij menaxhmenti, me gjithë kërcënimet që ka marrë së fundmi. Edhe aktorët e tjerë duhet të ndjekin shembullin e Balokut, në mënyrë që të bëjnë ndryshimet e nevojshme, për ta ndërruar këtë situatë dhe për ta kthyer Teatrin në binarë", ka thënë ai, duke shtuar se meqë Teatri është i popullit, ai duhet të shërbejë si fisnikërim i shoqërisë, e për këtë duhet të ngrihet edhe vetë populli që ta ngrisë zërin derisa t'i largojë disa persona që nuk janë aty për art, kualitete e virtyte, por, siç ka potencuar ai, dita-ditës për ta shkatërruar në tërësi këtë institucion, që ndër vite i ka dhënë shumë kulturës sonë.

(Kosova Sot)