Teatrot private, para zhbërjes

  • 05 February 2018 - 08:59
Teatrot private, para zhbërjes

NË MUNGESË TË MJETEVE MATERIALE 

Institucionet kulturore e shohin artin si luks

Skena teatrore private në vend ndodhet para zhbërjes. Edhe ato pak teatro që numërohet në gishta, të cilat edhe nisën punën pas lufte ndodhen në vështirësi dhe rrezikojnë shuarjen. Ngecjet në zhvillimin ekonomik, mospërkrahja financiare dhe faktorë të tjerë po krijojnë një situatë të vështirë për edhe ato pak teatro, (dy -tri, sosh në vend), duke u përballur me një akti të kryer. Për njerëzit e skenës teatrore, vështirë se ky teatër do të mbijetojë në këto kushte. 

Nuk mund të mbijetohet pa publik

Valmira Thaçi, dramaturge, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se skena teatrore private në vend, jo vetëm është e varfër, por rrezikon të vdesë fare. Ajo ka thënë se është krijuar një klimë akulturimi dhe degjenerimi në çdo sferë dhe kultura nuk po i shpëton dot. "Si të mbijetojë një teatër privat pa publik, pa kulturë teatrore, si do të prodhonte shfaqje pa mbështetje financiare institucionale, në fund si mund t'i kërkosh një biznesi të të fal para në emër të artit të vlerave kulturore, kur ai biznes nuk ka asnjë përfitim nga institucionet për politika sponsorizimi (një ligj, si shumica e ligjeve, që vetëm të shkruara mbesin) që në anën e kundërt ato derdhin para në arka të institucioneve", ka potencuar ajo. Më tej, dramaturgia Thaçi ka thënë se do të ishte me vend që si fillim institucionet mos ta trajtojnë kulturën në nivel që është tani, pasi, siç ka thënë ajo, akoma mendohet se është e mjaftueshme që të favorizohen të përzgjedhurit e politikës. "Pjesa tjetër mjafton me 'kasetat e vitit të ri'. Akoma mendimet e varfra institucionale, kur diskutohet, e shohin artin si luks, si diçka nga ana a tyre që nuk ka problem nëse nuk funksionon", ka potencuat Thaçi. 

Pak besohet në iniciativën private

Kurse, studiuesi Avni Rudaku ka thënë, në një prononcim për "Kosova Sot", se teatri privat ka dështuar, duke dhënë edhe disa nga arsyet. Së pari, ka pohuar ai, publiku pret vetëm prej shtetit dhe pak ka nga ata që besojnë iniciativën private teatrore, dhe së dyti, teatri nuk është në përputhje me dinamikat e kohës, nuk zgjon interesin e gjeneratës së re e të mesme. "Së treti, bizneset imitojnë një ide investimesh, si pompa benzenësh, jo investime në kulturë; E katërta, Cineplex tregoi se ky popull e do kinemanë, madje edhe shtrenjtë për standardin tonë, dhe është private, por duhet investuar mençur, me shije, marketing të duhur etj", ka pohuar ai, Më tej, Rudaku ka thënë se teatri privat ka dështuar edhe për paqëndrueshmëri shfaqjesh sistematike. "Teatri privat dështon edhe nga vetë dështimi i teatrit publik dhe degradimit të teatrit në sytë e publikut", është shprehur ai. 

Vetë artistët të punojnë më shumë

Ndërsa, regjisori dhe dramaturgu, Naser Shatrolli, duke folur rreth sfidave dhe mbijetesës së teatrove private, ka thënë ndër të tjerash se për të dalë nga kjo, siç ka thënë ai, gropë që po rëndohet dita- ditës, duhet që vetë artistët të bëjnë punë më shumë në kuptimin e angazhimit, dhe jo vetëm të flasin nëpër kafene ose gazeta e fare nuk manovrojnë me punë konkrete. "I ftoj krijuesit e teatrit të lirë që të bashkohen, të krijojnë unitet parimor dhe të ngjeshin punët e tyre dhe kërkesat e tyre. Le t'i adresojnë ato kudo që ka dyer që do të mund të nxirrnin ndonjë copë leku", ka pohuar ai, duke shtuar se para së gjithash teatri duhet të bartë shfaqje për të depërtuar përtej kufijve.

(Kosova Sot)