Nëntë milionë euro janë dhënë për kompleksin memorial "Adem Jashari". Ku shkuan ato?

  • 07 February 2018 - 15:13
Nëntë milionë euro janë dhënë për kompleksin memorial

Kullat e Jasharëve po rrezikohen të shemben. Gjendja e këtyre kullave është duke u rënduar secilën ditë, pasi janë lënë pa investime në të qysh nga paslufta kur janë mbështjellë vetëm me disa rrethoja metalike që mundësojnë të shihen edhe nga brenda objektet e djegura në luftën e fundit. Ndërkohë, gjatë 19 viteve të pasluftës, afër 9 milion euro janë investuar në të gjithë kompleksin memorial 

Afër nëntë milion Euro ka derdhur Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë që Agjencioni për Mbrojtjen e Memorialeve të Luftës të ndërtojë dhe mirëmbajë Kompleksin Memorial të Familjes Jashari në Prekaz. 

Këtë shumë, e ka konfirmuar Idriz Blakaj, drejtor i kësaj agjencie. 

Por, asnjë pjesë nga kjo shumë nuk ka shkuar për restaurimin e kullës së familjes Jashari, e lënë e djegur që nga marsi i 98-ës, kur u vra heroi legjendar Adem Jashari dhe 52 pjesëtarët tjerë të familjes së tij, përfshirë edhe fëmijët. 

“Kulla nuk është investuar, është investuar në pjesë tjera”, tha Blakaj. 

Për këtë, së fundi është alarmuar se kulla e Jasharajve po rrezikon të shembet. Investimet kanë shkuar në ndërtimin e pjesëve tjera të memorialit, varrezave dhe shëtitoreve rreth saj. 

Agjencionit që Blakaj e drejton vetëm për vitin 2019 Qeveria e Kosovës i ka ndarë 1.5 milionë euro për këtë konservimin e Kullave të Jasharve, mirëpo procedurat ligjore për Kompleksin Memorial në Prekaz kanë vonuar derdhjen e tyre në llogari të Agjensionit të ministrisë së Mjedisit. Derisa, projekti për këto kulla është i gatshëm që nga viti 2016. 

(Kosova Sot)