Zgjedhja e drejtorit të QKK-së, në fshehtësi të plotë

  • 09 February 2018 - 09:20
Zgjedhja e drejtorit të QKK-së, në fshehtësi të plotë

10 KANDIDATË NË GARË, NUK DIHEN KONKURRUESIT PËR DREJTOR TË QENDRËS KINEMATOGRAFIKE TË KOSOVËS

Musliu: Transparenca i heq dilemat për manipulime të ndryshme 

Konkursi është publik dhe nuk mendoj se konkurrentët janë diçka që duhet mbajtur fshehur, përveç nëse ashtu është përcaktuar me ndonjë ligj!Unë vërtet nuk di dhe nuk mund të paragjykoj ndonjë arsye apo motiv që kandidatët të mos publikohen", ka thënë regjisori Luan Kryeziu për gazetën "Kosova SotJ ava e ardhshme pritet të sjellë drejtorin e ri të Qendrës Kinematografike të Kosovës. Konkursi publik tashmë është mbyllur dhe MKRS-ja ka filluar përgatitjet për të zgjedhur të parin e njërit nga institucionet më të rëndësishme dhe me buxhet të madh, QKK-së. Në garë për të marrë këtë post janë 10 kandidatë. Kështu kanë thënë, në një prononcim për "Kosova Sot", zyrtarë të MKRS-së. Por, pa dhënë një datë konkrete dhe pa treguar se cilët janë kandidatët, të cilët janë në garë për të marrë kreun e QKK-së. Në anë tjetër, për kineastë dhe njohësit e zhvillimeve në fushën e filmit, Ministria është dashur të bëjë publike edhe emrat e konkurrentëve, pasi edhe konkursi është publik. 

Dhjetë veta për kreun e QKK-së

Kineastët dhe njohës të fushës mendojnë se me transparencë më të madhe do të eliminoheshin dilemat dhe paragjykimeve që për vite karakterizojnë konkurse, kur është në pyetje zgjedhja e zyrtarëve të larë nëpër institucione kulturore publike. Samir Hoxha, këshilltar i ministrit të Kulturës, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se nëkonkursin publik për pozitën Drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, që e ka shpallur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kanë aplikuar gjithsejtë 10 (dhjetë) kandidatë. Por, Hoxha nuk ka dhënë emrat e konkurrentëve. Ndërsa ka thënë se, duke u bazuar në Rregulloren për procedurat e Rekrutimit Nr. 02/2010, konkursi është duke vazhduar normalisht sipas afateve ligjore të përcaktuara. "Sa i përket pyetjes për Drejtorin e ri të Qendrës Kinematografike të Kosovës, duke u bazuar në procedurat e rekrutimit gjatë javës së ardhshme do të dihet kandidati i suksesshëm për këtë pozitë", ka thënë këshilltari Hoxha. 

"Emrat janë të parëndësishëm, edhe pse ne si shoqëri kapemi për emra. Duhen profile që e duan filmin dhe kinematografinë, që atë e shohin si potencial artistik që ka vlera promovuese për një vend, i cili edhe ca ditë i mbush dhjetë vjet shtet", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" regjisori Mahir Musliu

Transparenca eliminon paragjykimet dhe dilemat

Në anë tjetër, regjisori Mahir Musliu, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se meqë konkursi ka qenë publik, nuk sheh diçka të keqe që edhe emrat të bëhen publikë për opinionin. Transparenca, ka thënë ai, duhet ta karakterizojë shoqërinë tonë, ndonëse kjo i heq dilemat për manipulime të ndryshme. Më tej, ai ka thënë se kineastët me vepra të tyre kanë treguar se edhe me buxhet modest kanë arritur të prezantojnë Kosovën nëpër vende të ndryshme të botës. QKK-ja ka luajtur rolin kryesor në këto suksese dhe se, siç ka thënë ai më tej, pavarë- sisht kush do ta udhëheqë QKK-në, këto suksese të mos ndalen. "Emrat janë të parëndësishëm, edhe pse ne si shoqëri kapemi për emra. Duhen profile që e duan filmin dhe kinematografinë, që atë e shohin si potencial artistik që ka vlera promovuese për një vend, i cili edhe ca ditë i mbush dhjetë vjet shtet", ka thënë Musliu. Edhe për regjisorin Luan Kryeziun, publikimi i garueseve nuk ka ndonjë të keqe, pasi është një konkurs publik. "Konkursi është publik dhe nuk mendoj se konkurrentët janë diçka që duhet mbajtur fshehur, përveç nëse ashtu është përcaktuar me ndonjë ligj!Unë vërtet nuk di dhe nuk mund të paragjykoj ndonjë arsye apo motiv që kandidatët të mos publikohen", ka thënë ai. Konkursi për zgjedhjen e drejtorit të ri të QKK-së është mbyllur më 29 janar, sipas të dhënave që gjenden edhe në ueb faqen e MKRSsë. Ndërsa pritet që MKRS-ja të vazhdojë procedura që parashihen për konkursin deri në zgjedhjen e shefi të ri të QKK-së. Ligjërisht është Ministri i Kulturës ai që bën zgjedhjen e drejtorit. Në Nenin 32, të Ligjit për Kinematografinë thuhet se për emërimin e drejtorit të QKK-së, Ministria e Kulturës shpall konkurs publik dhe Drejtorin e QKK-së e emëron ministri për Kulturë nga lista me jo më pak se dy kandidatë që propozohen nga komisioni për zbatimin e konkursit. IsaVatovci

"Sa i përket pyetjes për drejtorin e ri të Qendrës Kinematografike të Kosovës, duke u bazuar në procedurat e rekrutimit gjatë javës së ardhshme do të dihet kandidati i suksesshëm për këtë pozitë", ka thënë për "Kosova Sot" këshilltari i ministrit të Kulturës, Samir Hoxha 

(Kosova Sot)