Rushit Ramabaja nderohet me Çmimin "Azem Shkreli"

  • 16 February 2018 - 09:14
Rushit Ramabaja nderohet me Çmimin

NË VIGJILJE TË 10- VJETORIT TË SHTETIT TË KOSOVËS, MKRS-JA KA NDARË ÇMIMET KOMBËTARE PËR LETËRSINË PËR VITIN 2017 

Mehani:Çmimi është stimulim për penat e reja që mos të hezitojnë, por të krijojnë

Përveç Rushit Ramabajës, me çmime letrare u nderuan edhe krijuesi Fatmir Halimi në prozë, Ismail Syla dhe Ragip Sylaj për poezi, Mexhit Mehmeti dhe Avni Dehari për letërsinë për fëmijë, Arben Veselaj për vepër studimore, kurse Orjela Stefasani për përkthimin më të mirë 

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka dorëzuar të enjten çmimet Kombëtare letrare, atë për vepër Jetësore "Azem Shkreli", dhe ato vjetore, në një ceremoni zyrtare të mbajtur në kabinetin e ministrit Kujtim Gashi. Janë gjithsej 7 autorë, të cilët kanë rrëmbyer çmimet letrare, për kontributin e tyre në letërsinë shqipe gjatë vitit që shkoi. Me këtë rast u dhanë vlerësime të mëdha për fituesit dhe fjalë miradije për MKRS-në. Çmimi për Vepër Jetësore, "Azem Shkreli", iu dha Rushit Ramabajës. Për zyrtarët e MKRS-së, fituesit, por edhe për krijuesit, ndarje e këtyre çmimeve, përmes së cilave nderohet krijimtaria e krijuesve tanë,ka një rëndësi, pasi mbi të gjitha është një shtytje për krijimtarinë letrar.

Fituesit e çmimeve

Përveç Çmimit për Vepër Jetësore, që shkoi për shkrimtarin, Rushit Ramabaja, MKRS-ja ndau edhe çmimet e tjera vjetore. Çmimi për prozë "Anton Pashku" shkoi për shkrimtarin Fatmir Halimi për veprën "Dy vdekje e një jetë". Kurse çmimi për veprën më të mirë në poezi "Ali Podrimja", iu dha dy poetëve; Ismail Sylës për veprën "Atdheu im i ngrysur" dhe Ragip Sylajt për veprën "Kam drojë për ty". Edhe çmimi për fëmijë dhe të rinj "Vehbi Kikaj", u nda ndërmjet dy shkrimtarëve: Mexhit Mehmetit për librin "Ecejaket e Hero Lindit"dhe Avni Deharit për përmbledhjen e tregimeve "Flakadanët e Lirisë". Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë "Ibrahim Rugova" iu dha Arben Veselajt për studimin "Tema Kadareane", ndërsa çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas "Pjetër Bogdani" shkoi për Orjela Stefasanin për veprën "Njerëzit dhe ingranazhet" të Ernesto Sabatos. 

Krijuesi i Dardanisë 

Duke arsyetuar vendimin e jurisë, Shkëlqim Millaku, anëtar i saj, ka thënë se nuk ka qenë aspak e lehtë për jurinë vlerësuese për të ndarë çmimet për edicionin e sivjetmë, pasi, siç ka thënë ai, në garë ishin 500 vepra të një nivelit dhe prurje e lartë. "Nuk ishte aspak e lehtë që të vendoset duke pasur parasysh numrin e madh të veprave konkurruese, dhe cilësinë e tyre", ka pohuar ndër te tjerash, Millaku. Ndërsa, krijuesi Rushti Ramabaja, pasi ka marrë çmimin për Vepër Jetësore, "Azem Shkrim", ka thënë së ndihet i nderuar që këtë çmim e merr në këtë 10- vjetor të shtetësisë së Kosovës, siç ka thënë ai, të Dardanisë sonë të moçme. "Po e pranoj këtë vlerësim pikërisht nga njerëzit tanë, pikërisht nga Ministria jonë e Kulturës, pikërisht nga shteti ynë që në themelet e saj u flijuan aq breza gjatë shekujve e deri te të rënët e UÇK-së", ka pohuar Ramabaja. 

Çmimet, shtytje për krijuesi

Në anën tjetër, për krijuesit dhe studiuesit tanë, dhënia dhe nderimi i krijuesve tanë, është një shtytje dhe stimulim për pena të reja, posaçërisht për përkthyesit. Krijuesi dhe shkrimtari, Zymer Mehani, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se MKRS-ja po e vazhdon një traditë të vlefshme, e cila, siç ka thënë ai, do të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke ndarë çmimet vjetore për prozë, poezi, etj. Sipas tij, përveçse është një vlerësim i krijimeve letrare, më shumë është edhe stimulim për penat e reja që mos të hezitojnë, por të krijojnë. "Po ashtu, mendoj se edhe përkthimeve reciproke (nga gjuhët e tjera në shqip dhe nga shqipja në gjuhë të tjera) duhet t'u jepet një tretman i rëndë- sishëm, ngase në këtë mënyrë më shumë do ta njohim dhe do të na njohë bota përparimtare", ka potencuar Mehani. Isa Vatovci

(Kosova Sot)