Rrëfimi për çiftin që shokohen pas vdekjes aksidentale të vajzës

  • 18 February 2018 - 08:20
Rrëfimi për çiftin që shokohen pas vdekjes aksidentale të vajzës

KRITIKË E FILMIT 'LOOKING GLASS'

Ekziston një kufi i hollë midis seksit dhe dhunës

Nicolas Cage dhe Robin Tunney paraqiten në trilerin e regjisorit Tim Hunter, rreth një çifti që përjeton gjëra të çuditshme në motelin të cilin sapo e kanë blerë  

Një ditë tjetër, një film tjetër i aktorit Nicolas Cage. Të paktën, kështu duket në këtë epokë të karrierës së aktorit. Edhe pse ai thuajse çdo ditë del me nga një film të ri, shumica prej tyre janë të kategorisë B. Rolet e tij duket se janë të përshtatshme për t'u studiuar, edhe pse vetëm një semestër universitar zor se do të mund t'i përthekonte ato. Aktualisht, Cage është duke bërë dy lloje të filmave: në njërin lloj ai është bizar që nga fillimi, e që është lloji dukshëm më i shpeshtë; si dhe në llojin tjetër, ku ai është relativisht i përmbajtur, edhe pse thuajse asnjëherë nuk i shpëton që ta bëjë, të paktën, një moment bizar. Momenti i tij i fundit i tillë (nëse në ndërkohë, derisa ta lexoni këtë shkrim, ai nuk bën ndonjë tjetër) është filmi "Looking Glass", një triler me regji të Tim Hunterit (River's Edge), karriera e të cilit, sikur edhe ajo e aktorit të tij kryesor, ka pasur ditë edhe më të mira.

MYSAFIRI I RREGULLT

E ngjashme në disa aspekte me librin kontrovers të shkrimtarit Gay Talese, "The Voyeur's Motel", rrëfimi i këtij filmi flet për çiftin e martuar, Ray (Cage) dhe Maggie (Robin Tunney), duke 'mbledhur' copëzat nga jeta e tyre, pas vdekjes aksidentale të vajzës së tyre të vogël. Në një tentim jo aq të qëlluar, të fillimit nga e para, ata blejnë motelin "Motor Way", që gjendet në jugperëndim të Amerikës, e i cili ka në hyrje mbishkrimin "Këtu flenë hutat e natës". Pronari paraprak është larguar me shpejtësi para ardhjes së çiftit, duke e lënë Ray-in me shumë pyetje pa përgjigje. Pse, p.sh., një mysafir i rregullt, kamionisti Ernie Lively, insiston që ta marrë vetëm dhe me çdo kusht dhomën nr 10? Ray shumë shpejt zbulon karakteristikat e veçanta të motelit, një kalim sekret, i cili ia mundëson atij që të shikojë fshehurazi në një dhomë, me anë të një pasqyreje. Pasi që shikon një skenë seksi, të mysafirëve, ai ndizet aq shumë, saqë bën seks të zjarrtë me gruan e vet, gjë që, sikur që duket, nuk e kishin bërë kaherë. Derisa ata përjetojnë orgazmën, në njërën prej dhomave vritet një grua dhe filmi, më pas, shkon para-prapa këtyre ngjarjeve, sikur të donte të na kujtonte se ekziston një kufi i hollë midis seksit dhe dhunës. 

CAGE ËSHTË I PËRMBAJTUR GJATË TËRË FILMIT

Fillojnë që të ndodhin gjëra më të çuditshme, duke përfshirë edhe rastin kur Ray gjen një derr të ngordhur në pishinë, të cilin ai, kushedi pse, vendos që ta heqë qafe duke e djegur në shkretëtirë. Natyrisht, kjo tërheq vëmendjen e sherifit lokal (Marc Blucas), ku mirësjellja e tij fillestare shumë shpejt iu bën vend takimeve gjithnjë më të tendosura. Pasi që e informon Rayin se, muaj më parë, në po atë pishinë ishte gjetur trupi i një femre të vrarë, ai papritmas e pyet atë: "A e keni bërë ju këtë?" Derisa Ray i acaruar përpiqet që të përgjigjet, sherifi vazhdon që ta bëjë këtë pyetje disa herë, çdoherë me një ton më kërcënues. Më pas ngjarja merr drejtime të ndryshme, të bazuara te skenari i shkruar nga Jerry Rapp dhe Matthew Wilder. Duke pasur parasysh ngjarjen e frikshme dhe personazhet problematike, ky film duket se e humb intensitetin e vet, derisa Hunter përpiqet që ta krijojë një atmosferë të misterit dhe tensionit të intensitetit të ulët. Në vend të kësaj, ai sjell një situatë të mërzitshme, ku edhe moti duket i parashikueshëm. Vlen të përmendet se Cage është i përmbajtur gjatë tërë filmit, me përjashtim të një skene, që përfshin një takim të dhunshëm midis Rayit dhe një gënjeshtari trupmadh, në të cilën skenë ai përjeton njërin prej atyre momenteve të tij bizare. Tunney shkëlqen me rolin e saj gjysmak dhe Blucas në mënyrë argëtuese na mban në dilemë rreth qëllimeve të vërteta të sherifit. Por, as përpjekjet më të mëdha të aktorëve nuk mund ta shpëtojnë filmin "Looking Glass" nga një përfundim i zymtë. 

(Kosova Sot)