Ngec afirmimi ndërkombëtar i kulturës

  • 19 February 2018 - 08:44
Ngec afirmimi ndërkombëtar i kulturës

DOBËSI TË MËDHA NË PUNËN E INSTITUCIONEVE PËR IMAZHIN E SHTETIT 

"Atashetë e ambasadat pak kanë bërë për përkthime, ekspozita të artistëve, për filmat, muzikën. Kosova me aq shumë ambasada do të duhej të kishte më shumë kontakte me institucionet lokale kulturore dhe institucionet e Kosovës!", ka thënë Rudaku për "Kosova Sot

Më shumë ka bërë Rita Ora sesa Ministria e Punëve të Jashtme

Institucionet shtetërore kanë bërë pak për afirmimin ndërkombëtar të kulturës e këtu hyjnë edhe institucionet kulturore. Edhe atëherë kur kineastët tanë kanë arritur të prezantojnë veprat e tyre (filma kryesisht) jashtë Kosove, ata vetë nuk kanë mundur të udhëtojnë në promovimin e veprës së tyre e që ka prezantua shtetin tone,qoftë për mospaisje me viza, por më së shpeshti për mungesë të mjeteve. Kështu kanë thënë krijuesi dhe njerëzit të kulturës për "Kosova Sot". Madje, sipas tyre, vetëm Rita Ora ka bërë më shumë se gati krejt Ministria e Punëve të Jashtme e ambasadat! E, këto të fundit, sipas tyre, po bëjnë shumë pak, sepse shumë prej tyre janë të përzgjedhur partiakisht e jo në përputhje me profilin e tyre!

Procedurat burokratike në MKRS

Sabit Zeneli ka thënë për “Kosova Sot" se sikur të kishte atashe kulturorë nëpër ambasadat tona, do të ishte një ndihmesë e madhe për promovimin e kulturës në ato vende

Sabit Zeneli, aktor dhe njohës i zhvillimeve kulturore në vend, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se institucionet shtetërore kanë bërë shumë pak, për mos të thënë asgjë,për afirmimin ndërkombëtar të kulturës e këtu hyjnë edhe institucionet kulturore, MKRS-ja para së gjithash. Sipas tij, edhe atëherë kur kineastët tanë kanë arritur të prezantojnë veprat e tyre (filma kryesisht) jashtë Kosove ata vetë nuk kanë mund të udhëtojnë në promovimin e veprës së tyre e që ka prezantua shtetin tonë, qoftë për mospaisje me viza, por më s' shpeshti për mungesë të mjeteve.

"Dihen procedurat burokratike në Ministrinë e Kulturës, e kur t'i shtohen kësaj edhe sjelljet profane të punonjësve aty, të cilët të lënë të sorollatesh me ditë, e në fund refuzojnë në emër të dofarë ligjeve, neneve e neneve", ka pohuar ai.

Po sipas Zenelit, kontaktet me festival jashtë Kosove i bëjnë artistët individualisht dhe kanë arritur që sadopak ta afirmojnë shtetin tonë nëpër festivale të niveleve të larta botërore, siç është festivali i teatrove në Edinburg, Kajro, Bukuresht,Sofje, etj. e këtu "meritë" e institucioneve tona është nëse ua kanë paguar rrugën. Për momentin, në Kosovë, ka pohuar ai, janë vetëm tri festivale të teatrove edhe këto kombëtare, pra nuk ka asnjë festival ndërkombëtar, madje Teatri Kombëtar kishte një të tillë, para shumë vjetësh, por u shua.

Pastaj, ai ka shtuar se një festival ndërkombëtar i filmit nuk përkrahet sa duhet, madje kohë më parë u zhvendos jashtë shtetit, në mungesë përkrahjeje, bile edhe të pengesave që hasi po nga këto institucione. Zeneli ka thënë se sikur të kishte atashe kulturor nëpër ambasadat tona do të ishte një ndihmesë e madhe për promovimin e kulturës në ato vende. "Ata atashe do të duhej të ishin artistë të mirëfilltë dhe do ta kishin më të lehtë vënien e kontakteve me institucionet e vendit respektiv dhe të organizonin p.sh. një javë kulturore të paktën një here në vit dhe kështu sadopak do të promovohej kultura jonë në ato vende", ka pohuar ai. Ndërsa ka thënë se me sa duket nuk ekziston një vullnet i institucioneve tona të punojnë në atë drejtim. 

Të përzgjedhur partiakisht 

Kurse për Avni Rudaku tha se Rita Ora ka bërë më shumë se gati krejt Ministria e Punëve të Jashtme e ambasadat! Ambasadat, ka thënë ai, po bëjnë shumë pak, sepse shumë prej tyre janë të përzgjedhur partiakisht e jo në përputhje me profilin e tyre! "Shumë ambasada kanë rol reaktiv e jo proaktiv, sa të jenë promotorë të gjallë e aktiv! Atashetë e ambasadat pak kanë bërë për përkthime, ekspozita të artistëve, për filmat, muzikën. Kosova me aq shumë ambasada do të duhej të kishte më shumë kontakte me institucionet lokale kulturore dhe institucionet e Kosovës!", ka thënë ai, për "Kosova Sot". Po sipas Rudakut, do të duhej të ishin intermediatorë kulturorë, ekonomikë e politikë! "E shihni ç'bën ambasada franceze në Kosovë? Promovon gjuhën e filmin francez! Ambasada amerikane promovon bizneset amerikane! Ambasada turke filmin turk e të tjera e të tjera", është shprehur Rudaku.

Buxheti i ulët

Ndërsa Dan Ibrahimi, krijues dhe studiues, është shprehur se përfaqë- suesit e institucioneve tona kulturore sa herë do të kenë pasur ë takime me përfaqësues të huaj të kulturës, do kenë lënë përshtypje te përfaqësuesve jokulturorë. "Një ministri me buxhet të mjeruar si e Kulturës, plus deri më tani asnjëherë të menaxhuar korrekt nuk mund të bëjë gjë për kulturën", është shprehur ai. Regjisori Mahir Musliu, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se e para që duhet bërë është hartimi i një plani shtetëror me shtylla të qarta, se cilat vlera dëshirojmë t'i shpalosim përpara shteteve të ndryshme të botës. Për dhjetë vjet të shtetësisë, ka thënë ai, nuk është se nuk është bërë asgjë, por ka pasur mundësi që të përfaqësohemi e të promovohemi edhe më mirë. Ndërsa ka shtuar se roli i atasheve kulturorë do të ndikonte shumë në imazhin e vendit jashtë, por mendoj me njerëz dhe profile të kësaj natyre e jo me njerëz politikë, të cilët i delegon partia. "Pra, tek ne është e njohur edhe metodologjia e delegimit të ambasadorëve, të cilët e përfaqësojnë diplomacinë, por që në shumicën e rasteve këto agjenci konsullore nuk kanë mundur ta kryejnë punën e tyre për shkak të profilit të tyre joprofesional. Mendoj që kulturën duhet ta zhvillojmë përbrenda, sepse ajo po shpërthen edhe nëpër botë", ka pohuar Musliu. Ndërsa ka thënë se njerëzit e kulturës dhe sportit e kanë kryer punën shumë më mirë sesa ambasadat, edhe me ato kushte modeste me të cilat mbijetojnë. 

(Kosova Sot)