Antivlerat mbysin vlerat reale, talentet shuhen

  • 21 February 2018 - 09:28
Antivlerat mbysin vlerat reale, talentet shuhen

INSTITUCIONET, KONTRIBUUESIT MË TË MËDHENJ

Ben Apolloni: Institucionet tona nuk e lodhin kokën fare për talentet

"Mungesa e mbështetjes, si morale po ashtu dhe financiare, nga institucionet shtetërore bën që shumë talente të shuhen. Zaten shumë të rinj, të cilët nuk posedojnë aftësi për ide kreative, por kanë lidhje klanore e farefisnore në institucione, promovohen në artet të ndryshme dhe na servojnë pseudovlera", ka thënë Argjend Hasani për gazetën "Kosova Sot"

Zyrtarë të shtetit dhe të institucioneve nuk lënë takim pa përmendur pasurinë më të madhe që ka shteti i Kosovës; rininë dhe talentet e saj, duke mos lënë rast pa u krenuar, madje edhe në ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare. Por, në fakt, fare pak bëjnë për mbështetjen e talenteve të reja, për zhvillimin dhe formimin tyre në vazhdimësi, çka rezulton që shumë prej tyre shuhen ende pa u formuar. Ndërsa, për fat të keq, anti-talentet dhe ngritja e të rinjve, përmes ndërhyrjeve politike dhe rrugëve tjera, përmes korrupsionit dhe keqpërdorimeve, ka marrë përmasa të dhimbshme për shoqërinë kosovare. Për komunitetin kulturor gjithçka ka marrë për së keqi dhe nuk ka më rëndësi talenti, por lidhjet dhe ndikimi politik.

Mungon përkrahja institucionale

Regjisori Ben Apolloni, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se institucionet tona nuk e lodhin kokën fare për talentet. Sipas tij, pohimi se shumë talente shuhen pasi nuk kanë shanse ta shprehin atë, është më i vërtetë se e vërteta. Ai ka thënë se mjafton të uleni një ditë para televizionit dhe shikoni se kush promovohet, siç ka thënë ai, politikanë trutharë, "artistë" që kujtojnë se me parët e babës do ta fitojnë edhe përjetësinë që e fitojnë edhe artistët e vërtetë."Ndoshta këtë pyetjen tuaj me se miri e ilustron një thënie e profesorit Enver Petrovci, i cili e përsëriste shpesh:"Ta falë Zoti talentin dhe ta hedhë në Malishevë". Me Malishevë duhet ta kuptojmë Kosovën në përgjithësi, sepse në këtë vend talenti më shumë është mallkim. Talenti që ka dikush dhe nuk mund ta shpreh bëhet zjarr vullkani që djeg nga brenda", ka thënë Apolloni. Edhe pedagogia Dafina Smajli, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se në përgjithësi në Kosovë mungon përkrahja institucionale karshi talenteve jo vetëm në muzikë, por edhe në artet tjera e sport."Ajo që do të doja ta theksoja për talentet është që shoqëria është e ndërtuar nga shtresa e personalitete të ndryshme, disa njerëz janë të mirë në faktin se a duhet hedhur një hap përpara, e disa jo edhe aq. Ndoshta është kjo pikërisht arsyeja pse disa ngurrojnë dhe heqin dorë nga ëndrrat e tyre", ka thënë muzikantja Smajli, duke shtuar se ndonjëherë duke fituar nuk është e mjaftueshme sepse përbërësi magjik i një ylli të vërtet duhet vazhduar. Sipas saj, dikush ka ende për të fituar, sukseset duhet vazhduar, e jo emrat e tyre të mbesin në harresë. "Leona Levis është ndoshta një nga fituesit më jetëgjatë të talent shou-ve. Kështu arrijmë te pyetja e famshme a janë këto shou të mira apo të këqija?", ka potencuar ajo. 

Smajli: Kosova ka zëra shumë të bukur, kumbues, dramatikë, të ëmbël e lirikë

Dosido pa përkrahje, e me përkrahje institucionale, ka thënë me tej pedagogia Smajli, këta shou prodhojnë talente, yje të mëdha, edhe pse kjo është pakica në këtë rast, apo janë këta shou, të cilët në të njëjtën kohë prodhojnë "humbës", e kjo personat e prekshëm mund t' i çojë në depresion dhe në humbje vetëbesimi. Çdo vit, sipas saj, qindra e mijëra e provojnë fatin e tyre në audicione, duke shpresuar se janë në vendin e duhur dhe se shikuesit në shtëpi do t'i vlerësojnë, do të kënaqen me ta, ose do të tallen me ta. Një mundësi e mirë është 'You Tube', ofron kënaqësinë për të parë përsëri e përsëri sukseset, dështimet. "Një perceptim realist, nuk ka asgjë të keqe të marrësh pjesë në audicione të tilla vetëm se zgjedh kohën e duhur, momentin më të përshtatshëm, talent shout do të qëndrojnë këtu edhe pas një, dy, ose tri vitesh dhe të tjera më e rëndësishmja të jesh e përgatitur për përgjigje që ndoshta nuk i pret", ka pohuar Smajli për "Kosova Sot", duke vënë në pah rëndësinë e përkrahjes nga institucionet kulturore në zbulimin e talenteve, ngase ka shtuar ajo, nga përvoja e saj, Kosova ka zëra shumë të bukur, kumbues, dramatikë, të ëmbël, lirikë, që premtojnë shumë. Kurse shkrimtari dhe studiuesi Argjend Hasani ka thënë për "Kosova Sot" se si pasojë e mentalitetit tanimë të njohur arkaiko-patriarkal dhe mungesës së vetëdijes qytetare shumë talente jo vetëm si pasojë e mungesës së mbështetjes institucionale dhe injorancës deri në tallje në mjediset ku jetojnë ata vetvetiu janë të detyruar të heqin dorë nga talenti që posedojnë. 

(Kosova Sot)