Qindra zëra si Dua Lipa shuhen NGA KORRUPSIONI NË KOSOVË

  • 23 February 2018 - 08:42
Qindra zëra si Dua Lipa shuhen NGA KORRUPSIONI NË KOSOVË

NEPOTIZMI DHE KRIMI I ORGANIZUAR NUK LEJOJNË ZHVILLIMIN E TALENTEVE

Meholli: Klanet e ndryshme i kufizojnë talentet e reja dhe nuk i lënë të marrin frymë

Korrupsioni, nepotizmi dhe krimi i organizuar në vend e kanë kapluar edhe kulturën, duke instaluar kicin. Nga kjo anarki më të goditur po dalin të jenë talentet e reja, të cilat nuk arrijnë të depërtojnë jashtë vendi dhe të cilët shuhen pa u vlerësuar, zbuluar dhe pa pasur mundësi ta tregojnë talentin e tyre. Dua Lipa dhe suksesi i saj janë dëshmia më e mirë e një realiteti të hidhur, me të cilin sot ballafaqohet talentet e reja. Por, Dua nuk është e vetmja, janë edhe një armatë e tërë talentesh që u zhvilluan dhe u bënë të njohur falë ndihmës që gjetën në shtetet ku u vendosën pas largimit nga Kosova, sikurse Dua që u largua nga Prishtina.

Kosova nuk është vend i mundësive

Në fakt po del se pjesë e suksesit të Dua Lipës, e cila fitoi dy çmime, në edicionin e sivjet të "Brit Awards", atë për "Artisten më të mirë femër britanike" dhe "Debutuesja më e mirë" në 'Brit Awards', është edhe largimi i saj nga Kosova. Këtë konstatim e mbështetën edhe krijuesit dhe studiuesit tanë, sipas të cilëve në Kosovë Dua sot s'do të kishte mundur t'i arrinte këto suksese, pasi Kosova nuk është vend i mundësive, por i klaneve të ndryshme, që i kufizojnë talentet e reja dhe nuk i lënë të marrin, siç kanë potencuar ata, "frymë".

"Unë mendoj se, përveç Dua Lipës, ka edhe shumë të rinj kosovarë të talentuar nëpër lëmi të ndryshme, por që fatkeqësisht jetojnë në epokën kur politika e thotë fjalën kryesore dhe ëndrrat e tyre për të korrur suksese po veniten", ka pohuar krijuesi Bujar Maholli për gazetën "Kosova Sot

Bujar Meholli, muzikant, poet, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se pa dyshim që pjesë e suksesit të Dua Lipës është edhe largimi i saj nga Kosova. Sipas tij, largimi i Dua Lipës nga Kosova, kur qe e vogël, ia mundësoi të mërkurën në mbrëmje të fitojë çmimin, përndryshe po të krijonte karrierë në Kosovë s'do të kishte mundur t'i arrinte këto suksese, për arsye se Kosova fatkeqësisht s'është vend i mundësive, por i klaneve të ndryshme, që i kufizojnë talentet e reja dhe nuk i lënë të marrin frymë."Unë mendoj se përveç Dua Lipës ka edhe shumë të rinj kosovarë të talentuar nëpër lëmi të ndryshme, por që fatkeqësisht jetojnë në epokën kur politika e thotë fjalën kryesore dhe ëndrrat e tyre për të korrur sukses po veniten", ka pohuar ai, duke shtuar se nëse situata e rëndë politike ndryshon, atëherë do të dalin në pah edhe shumë të rinj e të reja të talentuar, me të cilët Kosova do të përfaqësohej në arenën ndërkombëtare denjësisht.

Mentaliteti arkaik-patriarkal

"Me meritë Dua Lipa i mori dy çmime. Atje i çmojnë vlerat. Tek ne çmimet jepen në baza të tjera, në baza klanore, partiake etj., prandaj ikin nga Kosova, sepse tash për tash s'ka perspektivë", ka thënë shkrimtari Zeqir Fazliu

Poeti e krijuesi Zeqir Fazliu ka thënë se te ne talentet lihen anash, duke u ngritur antitalentet dhe çmimet e vlerësimet ndahen në bazë politike, nepotizmit dhe lidhjeve familjare. Ai ka përmendur edhe çmimet e fundit në "Flaka e Janarit', ku anëtari i jurisë shpërblen familjarin e tij. "Me meritë Dua Lipa i mori dy çmime. Atje i çmojnë vlerat. Te ne çmimet jepen në baza klanore, partiake etj., prandaj ikin nga Kosova, sepse tash për tash s'ka perspektivë", ka thënë shkrimtari Fazliu. Kurse studiuesi dhe krijuesi Argjend Hasani, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se një situatë e tillë, ku talentet shpërthejnë vetëm pasi largohen nga Kosova vjen si pasojë e mentalitetit tanimë të njohur arkaik-patriarkal dhe mungesës së vetëdijes qytetare shumë talente jo vetëm si pasojë e mungesës së mbështetjes institucionale dhe injorancës deri në tallje në mjediset ku jetojnë ata vetvetiu janë të detyruar të heqin dorë nga talenti që posedojnë."Mungesa e mbështetjes, si morale po ashtu dhe financiare nga institucionet shtetërore, bëjnë që shumë talente të shuhen", ka pohuar ai. Dua Lipa në një nga intervistat e saj për mediet ndërkombëtare, duke folur për ikjen nga Kosova, tregon se si në Kosovë ajo kishte ushtruar me një kor të muzikës në shkollën e saj, por që nuk ka parë asnjë perspektivë për të vazhduar në vendlindjen e saj. Kësisoj, ajo do të nisej drejt Londrës, e vetme dhe në një moshë të adoleshencës. Qysh atëherë ka nisur edhe suksesi i saj dhe ka kulmuar në vitin 2018, duke u bërë edhe zyrtarisht këngëtarja numër një në Britani të Madhe. 

"Unë mendoj se, përveç Dua Lipës, ka edhe shumë të rinj kosovarë të talentuar nëpër lëmi të ndryshme, por që fatkeqësisht jetojnë në epokën kur politika e thotë fjalën kryesore dhe ëndrrat e tyre për të korrur suksese po veniten", ka pohuar krijuesi Bujar Maholli për gazetën "Kosova Sot

(Kosova Sot)