Prezantohen perlat e Kosovës nga antika deri te e sotmja

  • 24 February 2018 - 08:48
Prezantohen perlat e Kosovës nga antika deri te e sotmja

MUZEU I KOSOVËS HAP EKSPOZITËN MË TË RËNDËSISHME TË TIJ GJATË DEKADËS 

"Me këtë ekspozitë vetëm e kemi filluar këtë veprimtari, ku janë zbuluar artefakte me vlera të mëdha dhe për herë të parë janë ekspozuar. Besoj se kjo ekspozitë do të plotësohet, do të zhvillohet dhe do të mirëmbahet ashtu si duhet", ka thënë drejtori i IAK-së, Enver Rexha, në një prononcim për "Kosova Sot

Muzeu i Kosovës ka hapur të premten ekspozitën, "Ekspozita Bazë" përmes së cilës janë prezantuar artefakte mjaft me vlerë, të cilat prezantojnë historinë mijëravjeçare të Kosovës, që nga koha e neolitit e deri në ditët tona. Përveç perlave që vendi ka trashëguar nga antikiteti dhe mesjeta deri tek lufta e UÇK-së, në këtë ekspozitë janë prezantuar edhe artefakte të personaliteteve të rëndësishme historike, si veshjet dhe armët e Isa Boletinit, Adem Jasharit, pastaj Uiliam Uokerit, shalli dhe lapsi i ish- presidentit Ibrahim Rugova, etj. Ekspozita është pjesë e festimeve që po përjeton vendi për nderë të 10- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

HISTORIA E KOSOVËS PËRMES EKSPOZITËS BAZË

Hapja e kësaj ekspozite është cilësuar si një mundësi mjaft e mirë për të njohur historinë e Kosovës përmes dëshmimeve autentike që nga kohët më të vjetra. Duke folur me rastin e hapjes së saj, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka veçuar para të pranishmëve anën e mirë të kësaj ekspozite, siç ka thënë ai, prezantimin e të kaluarës së çmuar të vendit, pasi, sipas tij, ky është edhe detyrim ndaj gjeneratave, që t'u mundë- sohet njohja me të kaluarën, dhe njohuritë që ata duhet të kenë për të kaluarën e vendit në të cilin jetojnë. "Ekspozita Bazë, e cila ka zënë vend në ndërtesën e Muzeut, është punuar dhe kryen funksionet sipas kritereve bashkëkohore. Kjo është arritur falë angazhimit dhe përkushtimit të madh të grupit punues, përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e këtij koncepti dinamik, si dhe bashkëpunëtorëve të tjerë', ka thënë ndër të tjerash, ministri Gashi.

Kurse drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, duke folur rreth ekspozitës dhe rëndësisë së saj, ka thënë se Muzeu i Kosovës do të jetë një institucion dinamik, i cili do të prezantojë për kohën, përmbajtje të reja dhe me interes për publikun. Sipas tij, ekspozita është organizuar në atë mënyrë sa që sjell jo vetëm të djeshmen, por që nuk lë në harresë as eksponatet e së tashmes, të cilat arrijnë të krijojnë histori. "Ne jemi në katin e historisë, ku ka përmbajtje të cilat janë dinamike në zhvillim dhe Muzeu i Kosovës do të jetë një institucion dinamik, i cili do të prezantojë për kohën, përmbajtje të reja dhe me interes për publikun. Në këtë pjesë të sallës e kemi një dhomë për deklaratën e pavarësisë dhe flamujt të shteteve mike, të cilat në mënyrë simbolike ne i falënderojmë për njohje, pra një dhimb të miqve, partnerëve tanë", ka pohuar drejtori Boshtrakaj.

ARTEFAKTE ME VLERA TË MËDHA

Drejtori i IAK-së, Enver Rexha, ka thënë, në një prononcim për "Kosova Sot", se kjo ekspozitë ka një rëndësi, pasi sjell argumente të qytetërimit tonë, zhvillimit social ekonomik deri tek artizanet

Një kontribut në organizmin e kësaj ekspozite është dhënë edhe nga Instituti i Arkeologjik, që në bashkëpunim me Muzeun kanë arritur të sjellin vlera me rëndësi për vendin. Drejtori i IAK-së, Enver Rexha, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot", se kjo ekspozitë ka një rëndësi pasi sjell argumente të qytetërimit tonë, zhvillimit social ekonomik deri tek artizanet. "Me këtë ekspozitë vetëm e kemi filluar këtë veprimtari ku janë zbuluar artefakte me vlera të mëdha dhe për herë të parë janë ekspozuar. Besoj se kjo ekspozitë do të plotësohet, do të zhvillohet dhe do të mirëmbahet ashtu si duhet", ka thënë Rexha.

Disa prej eksponateve që janë prezantuar në këtë ekspozitë janë të rralla dhe të rëndësisë së veçantë, si: Medaljoni i Probit, Sarkofagu i Dresnikut, kopja e Vrapueses së Prizrenit, Monumenti Votiv i Perëndeshës Dardane nga Smira, pastaj eksponate të heronjve kombëtarë Isa Boletini e Adem Jashari po ashtu janë prezantuar dhe janë të hapura për t'i parë qytetarët. Ndër to edhe xhaketa e Uilliam Uokerit që ka pasur veshur gjatë luftës së Kosovës dhe gjësendet personale të ishsekretares amerikane Madeleine Albright. Në hapje të kësaj ekspozite ka marrë pjesë fotoreporterja nga Selaniku, Fani Sari , një mike e madhe e vendit, siç e ka quajtur drejtori i Muzeut të Kosovës, Boshtrakaj, e cila ka qenë vizitore e Kosovës në vitin 1989, dhe e ka vizituar pastaj Kosovën herë pas here, fotografitë e të cilës kanë zënë vend në Muzeun e Kosovës.

(Kosova Sot)