MURI I PRAPAMBETJEVE

  • 25 February 2018 - 13:00
MURI I PRAPAMBETJEVE

''PA MURE'', PREMIERË E RADHËS E BALETIT KOMBËTAR TË KOSOVËS, E SHFAQUR NË SHKURT TË VITIT 2018

Kemi të bëjmë me një argjendari artistike kombëtare, e cila në gjuhën popullore quhet punim dore

SHKRUAN: NASER SHATROLLI 

"Pa mure" trajton njeriun, trajton pamundësitë e tij, nevojën për të jetuar drejt në padrejtësi, arsyen për të frymuar në këmbë, pa pengesa teknike e diplomatike, e biblike, në dyqanin universal, ku do të mbushte shportën një çift shqipfolës me artikuj integral për një jetë më të shëndetshme

Muri i prapambetjeve mendore del ta ketë mbërthyer thellë në kokë imagjinatën e mendësisë vendore. Muri ideofabular i Teutës (i) lire, do të rezonojë si një vegël e instrumentalizuar brenda një dhome dhe një fiksimi banal, që nuk lejon dot të kapërcej malin e paragjykimit shoqërinë vendore, pa izën e të zotit të studios komanduese. Qytetari i kësaj ngrehine të murtë ka ngelur në mes të udhës së Ballkanit Perëndimor, si një pelegrin pa derë e adresë, pa mundësi që të bartë në shpinë lirshëm valixhen e ëndrrave jetësore, për fajin e përgjegjësisë së pandërgjegjësisë historike, që është duke e përkufizuar mendimin e lirë në përgjithësi, njëherësh rrjetin e damarëve kulturor të një hapësire gjeografike, e cila nuk është e izoluar nga jashtë/ nga të tjerët, përkundrazi, ajo u çlirua në vitin 1999 nga ndërhyrjet e hyjnive qiellore dhe nga mendësia e kulturës së Vatikanit për të marrë formë konkrete karta e njeriut të botës së lirë, ku do ti shkruante, ju keni marrë statusin e qytetarit liberal dhe keni të drejtë të targetoni pa barrikada e thasë zalli brenda familjes tokësore dhe ajrore evropiane. Me kalimin e kohës, zinxhirët e ndryshkur mendorë të një pjese nga po kjo shoqëri e uritur për dritë, e djegur për të kapur në dorë flamurin e hapërimit qytetar, e keqpërdorën fjalën së bashku me lirinë, e murosën mendimin filozofik dhe botëkuptimin qenësor qytetar gjersa gjembat edhe më tej qëndrojnë në kufijtë e qerpikëve të pritjes. Është kjo mendësi që e shikojmë për ditë në televizor, që premton shumë dhe vepron në të kundërtën e të shumtës, mendësi pa rezonator shprehës, pa kulturë intelektuale, alfabet gjuhësor, pallavrojnë retorika të fryra, mbushin kosheret me fruta mali të ishstilit komunist, orator provincial, pa imazh e grim qytetar. Këta janë ata që nuk e lënë të frymojë lirshëm nurin e birës së fundit të kavallit, që është duke sendërtuar dyllin e shpresës së art. Pra, duke i falënderuar ''përzemërsisht'' segment të caktuar të këtij patriotizmi të rrejshëm, ja ku jemi sot në vitin 2018, të hermetizuar, të drynosur në këmbën e gjelit, të hipnotizuar, e dehur si të ishim nuse e përdalë me duvak të lëkurës së lopës, të cilën e lodruan, e shterpëzuan gjirin e kësaj lope popullore, dhe në fund, e bën oazë shkretëtire larg Zotit dhe pa Zot shtëpie...! Duhet goditur me çekanin e mendjes në kokat popullore për të vetëdijësuar e për të ngritur në qiell harkun e pakë- naqësisë së tyre, për të depërtuar dielli në ballkonin e shpirtit të bluzit rinor. Ky ishte mesazhi i shfaqje "PA MURE". 

SHAMIA E ZEZË

Baleti Kombëtar i Kosovës, trupa artistike e saj, me shfaqjen autoriale të emërtuar: "Pa mure" të koreografes vendore të primabalerinës - Teuta Krasniqi, kanë artikuluar gjetje rrjedhimisht të qarta, në frymën e një teatri simbolik me nuanca dhe kombinime teatrore mes dramës dhe syzheut të kërcimit, duke shprehur kujdesshëm dhe hapur logjikën terapeutike të ngujimit psikik, ndërsa, për mjete shprehëse kundër këtij aparati dhe kësaj aparature filmike, do të përdorin gjymtyrët trupore si mjeti më demokratik, përkatësisht si kërkesë e pareshtur mospajtese, duke manovruar gjithë peshën e artit të tyre brenda një standardi estetik universal, qoftë në formë simbolike, qoftë në fronte praktike të shtrirë për toke, të strukur brenda barkut të tyre duke luftuar për ajër të pastër, për të destiluar mëlçinë e mekanizmit shpirtëror dhe për të zgjidhur sot e për mot fillin e lëmshit të murit primitiv dhe vegzën e gabimeve historike. Kjo shami e zezë që dita ditës po merr formë te perçes së zezë gjersa do të shndërrohej në aforizma "qorrsokaqesh", që shkakton bezdi, mërzi, frikë, pa siguri, turbulenca, gjersa, e bën të pavlerë jetën, duke u sjellë rreth simbolikës së "hurmës arabe" me idenë, që të gjendet shtegu i arenës së vërtetë, ku do të patinazhonin mbi akullin shprehës bota ynë rinore përkarshi botës së moderuar, ndërsa audienca e shumëllojshme do t'i duartrokiste secilit balerin për bukuritë e shumta që ka të strukura në xhepin e thembrës së tij, në muret estetike të trupit të tij, në figurën shprehëse përkatësisht në domenin e muskulaturës fizike e psikike të imagjinatës së tyre.  

HARMONIA EKIPORE

Muret e hirta të komunizmit do të na kujtonin epshet e kancelarisë së gjuhës agresore, të njëjtat do t'i shfrytëzonin dhe segment të caktuar ndërkombëtar, ndërsa mendësia vendore mbolli edhe më thellë se kaq këtë logjikë shprehëse, këtë notë servilizimi përderisa u bë dekor i gjallë i kësaj, u bë skenografi e imazheve të këqija këtu e në botë, u bë rrënojë e përflakur, u bë muranë grafitesh, karnaval ikjesh, pasthirrmë, ekografi poetike, u bëmë mure të padukshme për vetveten brenda fiksionit mendor dhe për vetveten, po u bëmë horr bote jashtë këtij fiksioni dhe kësaj logjike, e cila po shpërfaqet në horizont me pasiguri emancipuese, ndërsa adresën e këtij ngujimi qytetar do të mund ta gjenim nëse ka vullnetar kohe në xhepat e kostumeve të shtrenjta politike dhe në pullat e zeza të uniformës ushtarake, që kanë marr formë të sakëzit si (pa) mundësi e vetme për të zgjatur qafën dhe për të shikuar dritën e kaltër në flamurin evropian, i rrethuar me yje të arta. "Pa mure" trajton njeriun, trajton pamundësitë e tij, nevojën për të jetuar drejt në padrejtësi, arsyen për të frymuar në këmbë, pa pengesa teknike e diplomatike, e biblike, në dyqanin universal, ku do të mbushte shportën një çift shqipfolës me artikuj integral për një jetë më të shëndetshme. Ky ishte modeli më bashkëkohor i kësaj trupe, të cilët interpretuan në mes lëvizjeve moderne dhe frymës meditative, të mbështetur në percepcionin e teatrit intrigues - teatrin e rrugës, duke i shtrirë gjetjet e tyre brenda një konteksti alegorik - tendencë e një teatri plastik, që sillet rreth një objekti në harkun e stilit pantomimik, për të servuar në pjatën e pritjeve të mëdha metodën e saj shprehëse, duke e brumosuar tharmin ideor brenda një stili krejtësisht të pranueshëm dhe të veçantë. Pra, kemi të bëjmë me një argjendari artistike kombëtare, e cila në gjuhën popullore quhet punim dore, e rrumbullakuar nga artistët vendorë, qoftë nga intuita koreografike që mban firmën e Teuta Krasniqit, qoftë nga notat muzikore apo nga dollapi kostumografik që do të arrinte kuotën e një shfaqjeje unike. Pjekuria e tyre, përkatësisht guximi artistik i shndërruar në veprim konkret, e bënë këtë skenë dhe këtë skenar artistik të kësaj trupe të suksesshme dhe të pranueshme për vëmendjen publike. Tretmani ideor është i qartë, i shtruar mirë, i arsyeshëm, i motivuar, i pastër, i qëndrueshëm estetikisht, i interpretuar me elegancë, me një disiplinë të jashtëzakonshme skenike, në harmoni të plotë ekipore, në marrëdhënie të qëndrueshme dhe në standarde të një gjuhe universale, në frymën e një teatri simbolik, ku do të dominonte emocioni i sinqertë dhe përjetimi i skajshëm. Ekipi ishte në nivel të shfaqjeve pararendëse, secili shpreh platformën e tij fizike e psikike në mënyrën e vet, qoftë individualisht, qoftë njëri për tjetrin dhe anasjelltas në kor!