Kur kushëriri ta bën regjinë

  • 26 February 2018 - 15:35
Kur kushëriri ta bën regjinë

KRITIKË E FILMIT 'SONGWRITER'

Fituesi i çmimit "Grammy", mbushësi i arenave, sensacioni i muzikës pop me 'disk të platinit', Ed Sheeran, ka vetëm 27 vjet, por tanimë ka shitur më shumë se 26 milionë albume dhe 50 milionë singlla. I famshëm për shkak të tatuazheve të tij të mëdha, si dhe flokëve të kuqe, ky baladist britanik është transformuar nga 'djali i lagjes', në një brend me famë botërore. Nuk ka dyshim se Sheeran është një fenomen i rrallë i pop kulturës, suksesi stratosferik i të cilit meriton me të vërtetë një analizë në formë të një filmi dokumentar. Por, "Songwriter" nuk është një film i tillë. Si fansat, po ashtu edhe të tjerët, do të mbeten të dëshpëruar nga ky film i dobët dhe 'mashtrues'. "Songwriter" vjen me regji të kushëririt të Sheeranit dhe bashkëpunëtorit të tij të herëpashershëm, Murray Cummings, i cili nuk di si ta shfrytëzojë qasjen që ka në jetën e këngëtarit. 

Premiera në Berlin

Duke pasur premierën botërore në Festivalin e filmit në Berlin, ky film shtëpiak megjithatë do ta gjejë audiencën e vet, falë famës së madhe globale që ka Sheeran. Por, nuk kemi si ta largojmë përshtypjen se ky film paraqet, në rend të parë, një mundësi të madhe të çuar kot dhe, si i tillë, ky film nuk ka substancë dhe nuk sjell ndonjë gjë të re. Koha me të cilën merret filmi "Songwriter" kryesisht ka të bëjë me periudhën e vitit 2016, kur ai sapo kishte mbaruar turneun e albumit të tij të dytë, "Multiply" dhe kishte filluar të mblidhte material për albumin e tretë, "Divide". I publikuar në mars të vitit 2017, ky album bëri kërdinë në toplistat botërore, në kuptimin më të mirë të mundshëm të kësaj fjale, duke shitur më shumë se 2 milionë kopje në Britani dhe rreth 3 milionë në SHBA. Këngët nga ky album, duke përfshirë edhe hitin transatlantik nr 1 "Shape of You", janë transmetuar me miliardë herë. Është e qartë se Sheeran di se çka i pëlqen publikut, por filmi "Songwriter" në asnjë rast nuk shpjegon pse apo si ndodhë një gjë e tillë. Në vend të kësaj, Cummings ofron detaje të tepërta rreth gjërave të parëndësishme, sikur mësimet e kitarës, shkruesit e teksteve, etj. Ky film nuk ka kronologji, e as kontekst, sikur as një analizë të thellë, apo ndonjë zell hulumtues gazetar.  

Sheeran performoi me Eric Claptonin

Pamjet e këngëtarit, i cili me muzikën e tij i bën për vete fansat, nuk janë material kushedi sa i vlefshëm për një dokumentar. Në këtë film paraqiten që të gjithë, i ati i këngëtarit, John, e ëma Imogen dhe e fejuara, Cherry, por Cummings nuk merret fort me atë që këta njerëz mendojnë në të vërtetë, përtej deklaratave të tyre të rastit para kamerave. Pjesa më e madhe e regjisorëve të filmave dokumentarë tentojnë që të nxjerrin maksimumin e dramës, tensionit, konfliktit dhe kompleksitetit psikologjik të subjekteve të tyre. Por, jo edhe Cummings. Gjatë të së njëjtës periudhë të cilën e mbulon ky film, Sheeran performoi me Eric Claptonin, lansoi kompaninë e tij të incizimeve, punoi me Taylor Swift, luajti vetveten në filmin e tretë "Bridget Jones", bëri një duet me Beyoncen, bëri kampanjë kundër referendumit Brexit dhe, sipas zërave një pjesëtar i familjes britanike e plagosi atë lehtazi me shpatë. Por, asnjëra prej këtyre ngjarjeve, qoftë edhe vetëm pjesërisht në filmin e Cummingsit. 

(Kosova Sot)