Dy libra dhe një mal me urime për Adem Demaçin - Kulturë - Kosova Sot
Dy libra dhe një mal me urime për Adem Demaçin

Dy libra dhe një mal me urime për Adem Demaçin

SHËNOHET 82-VJETORI I MANDELËS SË SHQIPTARËVE 

Tahiraj: Vepra e Demaçit është perla letrare jo vetëm në Kosovë, por edhe në vetë Shqipërinë

"Adem Demaçi e filloi veprimtarinë e tij letrare në shërbim të lirisë, deri në konkretizimin e kësaj lirie, në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të gjithë kemi thënë se Demaçi është Mandela i Kosovës. Unë them se Mandela ishte Adem Demaçi i Afrikës së Jugut", ka thënë shkrimtari dhe studiuesi Ramadan Thaçi, në një prononcim për "Kosova Sot

Vlerësime, urime e dhurata të ndryshme i janë dedikuar ikonës së rezistencës së shqiptarëve në ish- Jugosllavi, Adem Demaçi, në tetëdhjetë e dy vjetorin e lindjes, gjatë ditës së djeshme, të hënën, më 26 shkurt. Ndërsa një aktivitet me rëndësi është mbajtur po dje në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në të cilin janë përuruar dy libra për Demaçin, "Viti i Adem Demaçit" dhe "Demaçi - njeri i lavdisë" të Selatin Novosellës. Për dekada me radhë, Demaçi ka qenë një pikë orientuese për gjenerata e gjenerata, të cilët kishin përfaqësuar idealin e tij për çlirimin e shqiptarëve nga sundimi serb. Kontributi i tij është i gjithanshëm, i pakrahasueshëm me një tjetër. Shumë prej studiuesve dhe krijuesve tanë në librat e tyre, e sidomos biografi i Demaçit, Selatin Novosella ka kontribuar shumë në pasqyrimin dhe dokumentimin e kontributit të Demaçit, pavarësisht sfidave që ka kaluar jo vetëm në burgjet e ishJugosllavisë, por edhe gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar.

Demaçi, rreze e dritës për liri

Shkrimtari dhe studiuesi Ramadan Thaçi, në një prononcim për "Kosova Sot', ka thënë se veprimtaria e Adem Demaçit, u bë frymëzim për brezat me radhë, për ta mbajtur dashurinë për liri në vazhdimësi dhe, deri në luftën frontale për liri. "Adem Demaçi e filloi veprimtarinë e tij letrare në shërbim të lirisë, deri në konkretizimin e kësaj lirie, në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të gjithë kemi thënë se Demaçi është Mandela i Kosovës. Unë them se Mandela ishte Adem Demaçi i Afrikës së Jugut", ka thënë Thaçi, duke shtuar se Demaçi, një djalë i ri, i rraskapitur nga robëria, e pati fatin të përballej me një shtet, i cili vetëm sa ishte riorganizuar në shtetin modern, shtet i cili kishte prangosur një popull të tërë tani si një shtet modern i quajtur Jugosllavi. Sipas tij, vitet e pesëdhjeta dhe gjashtëdhjeta ishin vitet që në trojet e pushtuara shqiptare në ish- Jugosllavi, veç sa kishin filluar disa intelektualë t`i këndonin dhe të shkruanin në kuadër të letërsisë për vendin e vet. Këta, ka shtuar ai, ishin sikur ato lulet plot ngjyra që dalin rrëpirave dhe, ende pa u shkrirë bora e dimrit dhe, fare pranë saj dhe të cilat lule i lajmërojnë banorët se, po vjen pranvera. "E tillë ishte edhe veprimtaria letrare e Adem Demaçit kur e botoi romanin e tij, i cili e alarmoi pushtuesin se shpirti ilegal për liri i shqiptarëve është në mesin e tyre dhe shumë aktiv. Simbolika e tij te romani "Gjarpërinjtë e Gjakut", gjarprin, i cili, një të ardhme vetë do të helmohet me gjakun që ka pirë nga shqiptarët dhe, ai gjak i mbetur veç sa do të shtohet dhe do të sjell legjendën, heroin kombëtar, Adem Jashari, për ta dëbuar përgjithmonë okupatorin", ka pohuar, ai.

Ismet Tahiraj ka thënë për gazetën "Kosova Sot" se shoqëria dhe shteti ynë ende duhet të marrë këshilla dhe mendimet e tij, pasi, siç ka thënë ai, kemi të bëjmë me një person me diapazon të gjithanshëm  

Ndërsa shkrimtari Ismet Tahiraj ka thënë për "Kosova Sot", se vepra e Demaçit është perla letrare jo vetëm në Kosovë, por edhe në vetë Shqipërinë. "Sa me forcë filozofike dhe artistike thotë se dy vijat e kuqe të gjakut janë gjarpërinjtë që sërish duan të thithin gjak", ka thënë ai, ndër të tjerash, duke shtuar se për gjithë atë kontribut dhe sakrificë që ka bërë për popullin, Demaçi meriton të ketë një film për të së paku sa është gjallë.

Dy libra për një kolos 

Ndërsa, duke folur në promovimin e librave të tij për Demaçin "Viti i Adem Demaçit" dhe "Demaçi - Njeri i Lavdisë", promovim që u mbajt në Institutin Albanologjik, u tha se përurimi i këtyre dy librave është përurimi më i kuptimshëm dhe më domethënës për të gjithë që kanë punuar me një pasion të veçantë për përgatitjen e tyre. Librat sjellin shumë informacione për Demaçin, për aktivitetet e mbajtura në vitin e Demaçit. "Ky përurim është përurimi më i kuptimshëm dhe më domethënës në jetën e time. Gjatë punës time për këta libra kam punuar me shumë pasion, me shumë dashuri, me shumë respekt dhe me shumë konsideratë sikur ju të gjithë së bashku për një njeri të tillë", ka thënë ndër të tjerash Selatin Novosella. Demaçi ka lindur më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. Kryesoi rezistencën e shqiptare në Jugosllavi për çlirim. U burgos disa herë duke bërë 28 vjet në burgjet jugosllave. Duke u bërë i njohur edhe si Nelson Mandela i Evropës. Për kontributin e tij u nderua nga Parlamenti Evropian, me Çmimi Saharov për Lirinë e Mendimit,1991; Çmimi për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Oslos (1995); Pastaj Çmimin Urdhri Hero i Kosovës më 2010. 

(Kosova Sot)

22 orë e 32 minuta më parë
15/12/18