Libri elektronik, si ai fizik, nuk lexohet

  • 05 March 2018 - 08:52
Libri elektronik, si ai fizik, nuk lexohet

KUR MUNGON SHPREHIA E TË LEXUARIT  

Dikur bëheshin gara kush po lexon më shumë

"Mungesa e kulturës së etabluar për lexim; ndikimi i teknologjisë, medieve sociale dhe video-lojërave për të kaluar kohën e lirë; mungesa e arsimimit cilësor parauniversitar dhe universitar; mungesa e durimit për vetmi gjatë leximit; mungesa e digjitalizimit të literaturës shqipe në versionin elektronik; mungesa e shprehive të autorëve shqiptarë që të hedhin në versionin elektronik librin e tyre, ndonëse nuk mungon tërësisht kohës së fundit, janë disa faktorë që libri elektronik nuk preferohet aq", ka thënë Rudaku për "Kosova Sot"

Interesimi i lexuesit kosovar vazhdon të jetë mjaft simbolik për librin elektronik. Pavarësisht trendit gjithnjë në rritje të përdorimit të teknologjisë, sidomos telefonave të mençur, leximi elektronik i përdoruesve të tyre- lexuesve nuk ka prekur edhe leximin e veprave letrare, përjashto disa raste, të poezive që po publikohen përmes 'Facebook'-ut. Ky mosinteresim vjen për arsye të ndryshme. Studiues dhe shkrimtarë kanë thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se, përveç traditës së mosleximin që mbretëron te ne, arsye tjetër është edhe mungesa e publikimeve dhe informatave për të arritur deri tek libri elektronik. 

Rrallë shkarkohen librat elektronikisht 

Studiuesi dhe krijuesi Avni Rudaku, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se libri elektronik nuk është aq i fuqishëm. Rrallë, ka thënë ai, më ka ndodhur ta shoh dikë që ka shkarkuar libra për të lexuar elektronikisht. "As brezi i vjetër, as brezi i mesëm, as brezi i ri. Raste të veçanta mund të jenë ata dhe ato që lexuakan në monitor. Shpesh dëgjoj edhe ata që janë të pasionuar në lexim, se e shtypim librin onllajn për ta lexuar, më lehtë për sytë, më lehtë për koncentrim, sepse sapo jeni pranë PC-së, mund të ngacmoheni nga ngacmues të jashtëm, mediet sociale, letëremail-ët e tjerë e tjerë", ka thënë ai, duke shtuar se libri elektronik nuk lexohet edhe për një shkak tjetër, sepse nuk është i pasuruar shqip. Libra elektronikë, ka potencuar më tej ai, janë shumë të dobët dhe të imponohen për t'i lexuar se janë onllajn, por shumica e literaturës shqipe nuk është onllajn dhe nuk kemi qasje në të elektronikisht. Ai ka thënë se mungesa e literaturës së dëshiruar onllajn është arsye shtesë pse libri elektronik nuk është aq i preferuar. "Është një kategori e vogël e lexuesve që lexuakan më shumë librin elektronik, veçanërisht ata/ato që e dinë gjuhën angleze, shkarkojnë libra falas dhe më pastaj i lexojnë në monitor. Sa prej nesh i gjeni me syze? Pak! Sa prej nesh i gjeni me libra fizikë në duar? Pak! Sa prej nesh i gjeni duke lexuar në autobusë, në park? Pak!", ka potencuar ai.

Lexuesit e zorit

Prandaj, sipas Rudakut, nuk ka mjedis dhe atmosferë të madhe leximi, përjashtuar bibliotekat që nuk janë pa lexues, por janë lexues të zorit, të studimeve dhe kryerjes së fakultetit. Sa prej nesh i gjeni pasi kanë diplomuar, të jeni aq të lidhur me bibliotekat? Pak, ka pohuar ai! "Mungesa e kulturës së etabluar për lexim; ndikimi i teknologjisë, medieve sociale dhe video-lojërave për të kaluar kohën e lirë; mungesa e arsimimit cilësor parauniversitar dhe universitar; mungesa e durimit për vetmi gjatë leximit; mungesa e digjitalizimit të literaturës shqipe në versionin elektronik; mungesa e shprehive të autorëve shqiptarë që të hedhin në versionin elektronik librin e tyre, ndonëse nuk mungon tërësisht kohës së fundit, janë disa faktorë që libri elektronik nuk preferohet aq", ka potencuar ai.

Kurse shkrimtari Arsim Halili, ka thënë për "Kosova Sot",se sa i përket mosinteresimit të leximit të letërsisë online, lexuesi i mirëfilltë është i mësuar me formën fizike të librit dhe këtu duhet kuptuar një gjë shumë lexuesi ose nuk kane qasje në rrjetet elektronike ose mungesa informacionit për përdorim të shkarkimit të librit ndryshe gjenerata që do të përdor teknologjinë nuk e ka sensin për lexim të asnjërës forme", ka pohuar Halili.

Letërsia është e shenjtë 

Shkrimtari Zeqir Fazliu ka thënë për "Kosova Sot", se sot lexohet shumë më pak se më përpara, bile edhe ai fizik. "Përjashtim nuk ka as për librin elektronik. Edhe gazetat po lexohen shumë më pak se përpara", ka pohuar ai 

Ndërsa shkrimtari Zeqir Fazliu ka thënë për "Kosova Sot", se sot lexohet shumë më pak se më përpara, bile edhe ai fizik. "Përjashtim nuk ka as për librin elektronik. Edhe gazetat po lexohen shumë më pak se përpara. Dikur bënim gara kush po lexon më shumë. Tash po ndodh e kundërta. Ka shumë shkaqe, në radhë të parë interneti, televizioni e të tjera. Një ditë e pyeta një shok pse s'po blen gazeta,ai u përgjigj se po i lexon në internet", ka pohuar Fazliu.

"Shpresoj të krijohet shprehia e leximit në vendin tonë, dhe me krijime letrare të merren vetëm ata që kanë afinitetin e duhur, sepse letërsia është e shenjtë!", ka thënë Meholli për "Kosova Sot" 

Ndërsa krijuesi Bujar Meholli, në një prononcim për "Kosova Sot", është shprehur se teknologjia po ofron mundësitë që ndonjë titull që në asnjë mënyrë nuk gjendet nëpër Biblioteka të gjendet apo lexohet në versionin elektronik dhe, këtu, ka shtuar ai, s'ka gjë të keqe. "Përkundrazi. Shpresoj të krijohet shprehia e leximit në vendin tonë, dhe me krijime letrare të merren vetëm ata që kanë afinitetin e duhur, sepse letërsia është e shenjtë!", ka thënë Meholli, në një prononcim për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)