Përmes letërsisë zbulohet fytyra epike e kryeheroit Adem Jashari

  • 06 March 2018 - 09:12
Përmes letërsisë zbulohet fytyra epike e kryeheroit Adem Jashari

PAK AKTIVITETE KULTURORE PËR SHËNIMIN E EPOPESË SË UÇK-SË 

Promovohet vepra që përshkruan sakrificën e familjes Jashari 

Janë bërë njëzet vjet nga rënia heroike e familjes Jashari dhe për këto vite kompleksi Memorial "Adem Jashari" ka pritur më shumë se 12 milionë vizitorë. Numri i vizitorëve, sipas ciceronëve të kompleksit, ka shkuar duke u rritur. Por në këtë ditë ka pasur pak aktivitete kulture

Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës ka mbajtur të hënën akademinë letrare artistike në kuadër të aktiviteteve për Epopenë e UÇK-së. Në këtë aktivitet LSHK-ja ka promovuar edhe poemën e Ilir Shaqirit për titanin e Epopesë, Adem Jasharin, po me të njëjtin titull - "Adem Jashari". Në fakt, ky edhe është ndër aktivitetet e pakta kulturore që është paralajmëruar të ndodhë gjatë ditëve të Epopesë së UÇK-së, pavarësisht rëndësisë historike që kanë për shqiptarët 5, 6 dhe 7 marsi 1998. Kësisoj arti dhe letërsia vazhdojnë t' i mbesin borxh luftës së UÇK-së, veçanërisht mijëra heronjve që dhanë jetim për lirinë e Kosovës. Sido që të jetë, botimi i veprës së ikonës së muzikës shqiptare, Ilir Shaqiri, për heroin Adem Jashari, u vlerësua si një kontribut me vlera për letërsisë tonë dhe një nga të rrallat për heroin. Duke folur për poemën dhe vlerat e saja, studiuesi Arben Veselaj ka thënë ndër të tjera se figura e heroit Adem Jashari nuk është shkrirë sa duhet në piedestalin e artit kombëtar, sidomos në letërsi. Ai ka shtuar të jetë pajtuar me autorin e poemës se heroi kombëtar brenda letërsisë shqipe ende po e kërkon autorin e vet. Poema e Adem Jasharit, ka shtuar ai, si në strukturën tematike po ashtu konstruksionit, semantik, sintaksor, etj., bart shenja e padiskutueshme të një vepre epike."Poema e Ilir Shaqirit na zbulon një anë të panjohur të kryeheroit të Kosovës, atë çfarë letërsia mund ta zbulojë, fytyrën epike, atë rinore dhe ndjenja që kishte sekret çka kishte në shenjë Shqipëri e kishte mbi supet e tija", ka thënë ndër të tjera Veselaj.

Portretizimi epik

Ndërsa, Avdyl Kadolli, recensenti i poemës "Adem Jashari", ka thënë para të pranishmeve në akademi se kjo poemë, që doli në 20-vjetorin e rënies së Adem Jasharit, është vepra më e plotë poetike për heronjtë tonë kombëtarë dhe për Epopenë historike të UÇK-së, që vjen për 20-vjetorin e saj. "Në poemë bëhet portretizimi epik e shpirtëror i familjes heroike të Jasharëve. 28 këngët e poemës lidhen simbolikisht me Ditën e Flamurit dhe ditëlindjen e tij. Ajo është saga shqiptare me betejat e përgjakura, qëndresën heroike dhe kullat antike", është shprehur Kadolli. Kurse Kudusi Lame, recensent, në fjalën e tij ka thënë se poema "Adem Jashari" është mjaft e veçantë dhe ndër të veçantat e saja është përdorimi i fjalëve të arta që ka përdorur autori Shaqiri."Kjo është poemë e madhe që përshkruan familjen Jashari, të cilët dolën përballë makinerisë ushtarake serbe për lirinë e Kosovës. Kjo vepër e madhe, sa është e madhe jeta", ka thënë ndër të tjerash Lame. Një fjalë rasti mbajti edhe kryetari i LSHK-së, Shyqeri Galica, i cili, ndër të tjera, duke vlerësuar veprën më të re të Ilir Shaqirit, ka thënë se kjo poemë që ka dalë në 20-vjetorin e rënies së Adem Jasharit përshkruan sakrificën dhe mundin e kësaj familje për lirinë tonë. Përveç studiuesve, në këtë aktivitet tre artistët nga Shqipëria: Bujar Asqeriu, Suela Konjari dhe Llesh Nikolla, deklamuan pjesë nga poema e promovuar. 

Mbështetja e vogël financiare

 Pavarësisht botimit të poemës "Adem Jashari", siç u tha edhe gjatë promovimit, krijimtaria artistike ka mbetur mjaft prapa dhe nuk po arrin të përçojnë realisht sakrificën e mijëra dëshmorëve, të cilët lanë luksin e Perëndimit dhe ranë heroikisht në betejat kundër ushtrisë serbe. Bile shpeshherë po ndodh e kundërta.

"Mendoj se Shtabi i Përgjithshëm i FSK-së duhet të këtë një komision, i cili do të hartonte një ligj për mbrojtjen e emrit dhe veprës së heronjve, e jo kujt t'i teket të organizojë evenimente që e degradojnë jo vetëm artin por edhe luftën çlirimtare", është shprehur për gazetën "Kosova Sot" Sabit Zeneli, aktor dhe njohës i zhvillimeve kulturore

Sabit Zeneli, aktor dhe njohës i zhvillimeve kulturore në vend, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se pohimet se arti dhe kultura nuk po arrijnë të ndriçojnë realitetin e qindra dëshmorëve të kombit, të cilët lanë rehatinë dhe luksin në Perëndim e erdhën e u bënë kurbane për lirinë e Kosovës, mjerisht janë të sakta, bile është edhe më keq se kaq. Sipas tij, shumë nisma me vlerë artistike që u kushtohen heronjve kanë mbetur pa u konkretizuar, përderisa shumë prej tyre pa vlerë kanë arritur të konkretizohen sa për sy e faqe. Ai ka thënë se ka plot njerëz të artit e të kulturës që kanë me dhjetëra projekte për film, teatër e për monografi për heronjtë e dëshmorët e kombit, por asnjëherë nuk kanë arritur të kenë mbështetje financiare, qoftë nga drejtoritë komunale të kulturës, qoftë nga MKRS-ja, sepse projektet për këtë kategori janë të kushtueshme dhe nuk bëhen dosido. Fatmir Halimi, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se sipas teorive dhe metodave letrare, siç ka thënë ai, për letërsinë ajo nuk e ka obligim dhe as detyrë të merret me jetën e as luksin që ka pasur dikush me herët në Perëndim dhe mandej të ketë sakrifikuar jetën dhe të mirat materiale për atdheun e tij."Nëse kështu atëherë arti do të sakatohet dhe do të shndërrohet në një letërsi të angazhuar si në kohën e komunizmin në Shqipëri. Letërsia është një mënyrë e të shprehurit në art, që është ndryshe në realitet, dhe që duhet të ngritë vetëdijen shoqërore dhe intelektuale", ka thënë Halimi. Janë bërë njëzet vjet nga rënia heroike e familjes Jashari dhe për këto vite kompleksi memorial "Adem Jashari" ka pritur më shumë se 12 milionë vizitorë. Numri i vizitorëve, sipas ciceronëve të kompleksit, ka shkuar duke u rritur.

(Kosova Sot)