Beteja e boksierit me 'bishën' nga Lindja

  • 19 November 2018 - 14:15
Beteja e boksierit me 'bishën' nga Lindja

Michael B. Jordan, Tessa Thompson dhe Sylvester Stallone kthehen për një vazhdim të filmit hit të vitit 2015, kësaj here me regji të Steven Caple Jr.  

Sikur që filmi "Rocky II" ishte për filmin "Rocky", ashtu është filmi "Creed II" për paraardhësin e tij të famshëm - në fakt, një hije e zbehtë e babait të vet. Ky film as që mund të krahasohet me filmin e Ryan Coogler-it të vitit 2015, e i cili ishte një rikonceptim i filmit ikonë të viteve 1970 për shikuesit modernë. Por, vazhdimi më i ri paraqet zhgënjim në çdo aspekt. Asgjë këtu nuk është freskuar, e as nuk paraqet befasi. Në të njëjtën kohë, filmi "Creed" është një brend, sikur që ishte edhe "Rocky", kështu që edhe filmi i ri do të ketë sukses, deri në njëfarë mase. 

Kundërshtari nga Ukraina

Pasi kishte marrë titullin e kampionit të peshave të rënda, tri vjet më parë, Creed, a.k.a. Adonis Johnson (Michael B. Jordan), përfundimisht merr guximin që t'ia lypë dorën të dashurës së tij Bianca (Tessa Thompson). Por, ekziston edhe një kundërshtar në Ukrainë, i cili po ashtu ia prishë nervat atij, njëfarë Viktor Drago (Florian Munteanu), një makinë e madhe e luftimit, i cili del të jetë i biri i njeriut i cili kishte vrarë të atin e "Creed"-it, Apollo në ring, një gjeneratë më parë në filmin "Rocky IV", me emrin Ivan Drago (Dolph Lundgren). Shikuesit janë të lumtur që shohin skenarin e vjetër, të mirë, të zhvillohet edhe një herë, edhe pse me një tension shumë më të vogël, prandaj, sidomos shikuesit më të ri, të cilët asnjëherë nuk e kanë parë origjinalin, munden edhe të ndahen të kënaqur nga ky film. Megjithatë, jo vetëm që herën e parë meçet e boksit janë bërë në një mënyrë krejt konvencionale, sidomos krahasuar me qasjen ndaj luftimeve të Coogler-it dhe kinematografes Maryse Alberti, por edhe skenat familjare janë të shumta. 

Viktori, një përbindësh i vërtetë

Nga ajo që shohim rreth Viktorit në sesionet e tij ushtruese, njeriu është një përbindësh i vërtetë. Disa cm më i gjatë sesa kundërshtari i tij amerikan, ai duket sikur do të mund ta nokautojë Creed-in që në raundin e parë, e më pas vetëm të rrihet, sa për shaka, me Dwayne Johnsonin dhe Vin Dieselin. Por, pas një kohe të vështirë prej 45 minutash, meçit i vjen edhe fundi. "Çdo gjë duket kaq Shakespeareane", thotë transmetuesi, por vetëm sikur kjo të ishte e vërtetë. Me Adonisin që duket sikur një fëmijë i vogël përballë një përbindëshi, kampioni goditet keq. "Ndaje përgjysmë"!, i thotë Ivan të birit, gjë që ai edhe e bën, por një skenar i çuditshëm ndikon që Viktor të diskualifikohet, teknikisht duke e lënë kurorën në kokën e amerikanit, i cili sapo ishte grushtuar si mos më keq. Adonis duhet ta gjejë mënyrën se si ta marrë veten dhe ta shkërmoqë bishën nga lindja. Kjo bën që të ketë disa skena, në të cilat Rocky frymëzon Adonisin. Njëra ndër kënaqësitë e vogla që sjell filmi është aktorja Brigitte Nielsen, e pashme si gjithherë. 

 

(Kosova Sot)