Filmi 'Martesa' prezantohet para ANËTARËVE TË AKADEMISË OSCAR

  • 21 November 2018 - 14:10
Filmi 'Martesa' prezantohet para ANËTARËVE TË AKADEMISË OSCAR

Filmi "Martesa", i përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, u prezantua në 3 shfaqje para anëtarëve të Akademisë Amerikane të Filmit në tetor dhe nëntor të këtij viti, pas përzgjedhjes së filmit Blerta Zeqirit për ta përfaqësuar Kosovën në garën 'Oscar' për filmin më të mirë në gjuhë të huaj. Në shfaqjen e së shtunës së kaluar në Los Anxhelos, shikuesit, në mesin e të cilëve kishte edhe anëtare të Akademisë 'Oscar', patën mundësi të bisedojnë me regjisoren e filmit Blerta Zeqiri, producentin Keka - Kreshnik Berisha, dhe drejtoren e fotografisë, Sevdije Kastrati, në një seancë të pyetjeve dhe përgjigjeve. 

Faza e parë e votimit do të rezultojë në një listë të shkurtër prej 9 filmash

Filmi "Martesa" është përzgjedhur nga komisioni kosovar ta prezantojë Kosovën në garën për filmin më të mirë të huaj, ku anëtarë të përzgjedhur të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit (AMPAS) do ta kenë mundësinë të votojnë në fazën e parë të votimit për filma të metrazhit të gjatë të propozuar nga 87 shtete. Faza e parë e votimit do të rezultojë në një listë të shkurtër prej 9 filmash që do të bëhet publike në mesin e muajit dhjetor, kurse faza e dytë e votimit do të përfundojë në janar, kur edhe prezantohen 5 filmat e nominuar për garën 'Oscar', që do të kurorëzohet me shpalljen e fituesit në ceremoninë e ndarjes së çmimeve më 24 shkurt të vitit të ardhshëm. 

Promovimi i Kosovës

"Gara për filmin më të mirë të huaj është garë jashtëzakonisht e vështirë, pasi që jemi kundër regjisorëve me të mëdhenj botërorë dhe njëherësh fituesve të festivaleve më të mëdhenj botërorë, si atij të Kanës, Berlinit dhe Venedikut. Megjithatë, sado të vogla t'i kemi gjasat kundër gjigantëve botërorë të kinematografisë, ne duhet ta promovojmë sa më shumë filmin tonë dhe Kosovën te anëtarët e Akademisë 'Oscar', që ta rrisim mundësinë për ta kaluar fazën e parë të votimit", tha Blerta Zeqiri, regjisorja e filmit "Martesa". Përveç "Martesës" dhe konkurrimit të këtij filmi të gjatë në garën e filmit më të mirë të huaj, në konkurrencën e sivjetme të çmimeve 'Oscar' për filmin më të mirë të shkurtër janë kualifikuar edhe filmi "Gardhi" i Lendita Zeqirajt dhe "Ajo" i More Raçajt.

 

(Kosova Sot)