E kujt është lahuta?

  • 09 December 2018 - 08:25
E kujt është lahuta?

Praktika kulturore e "Të kënduarit me lahutë" është historikisht e pranishme jo vetëm në Shqipëri, në Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, në Kroaci, etj.

Serbia jo vetëm që ka pasur sukses në dështimin e Kosovës në UNESKO, por edhe trashëgiminë kulturore që gjendet në Kosovë, ta përkufizojë si trashëgimi kulturore dhe historike serbe. Më 2004 dhe 2006, Serbia ka regjistruar "Monumentet Mesjetare në Kosovë" në UNESKO.

Këto ditë u dha lajmi pa ndonjë verifikim zyrtar se, instrumenti tradicional e folklorik, lahuta, është pranuar në UNESKO si instrument serb. Ndaj lajmit reagoi edhe Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, ku ndër të tjerash, përmes medieve, është shprehur: "Ministria e Kulturës, në komunikim edhe me Misionin tonë të Përhershëm pranë UNESCO-s, sqaron se: Asnjë vendim nuk është marrë dhe në asnjë rast Komiteti Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale të UNESCO-s nuk është shprehur, siç cilësohet gabimisht në disa medie, se "lahuta nuk është shqiptare, por serbe". Në sesionin e 13-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale u bë regjistrimi i nominimit "Të kënduarit në shoqërimin e Gusle" (instrumenti që në shqip quhet lahuta) prezantuar nga Serbia, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit. Praktika kulturore e "Të kënduarit me lahutë" është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, etj." Kjo ishte vetëm një nga pjesët e shkëputura të reagimit të plotë të Ministrisë shqiptare. Po e kujt është lahuta? E shqiptarëve, e serbëve, e ballkanasve, evropianëve juglindorë, e kujt?!

PAQARTËSIA E AUTORËSISË

Jo vetëm ndaj lahutës, por edhe ndaj shumicës së instrumenteve të tjera muzikore, llojeve të ndryshme të vallëzimeve, këngëve të caktuara folklorike etj., ende ka paqartësi dhe dilema në mes të studiuesve se kujt i takojnë. Kjo dilemë lind përkatësisht pas krijimit të nacionalizmave të fundshekullit XIX dhe fillimshekullit XX e gjer më sot. Natyrisht se kjo varet pastaj edhe nga sfondi etnik e kulturor i studiuesve, të cilët nuk dalin dot edhe nga dëshirat për përvetësime nacionaliste, por pastaj, këto janë vetëm dëshira e jo studime shkencore. Po të kërkojmë pak mbi lahutën, do ta gjejmë se instrumente të ngjashme me të, qoftë edhe me ndonjë ndryshim të vockël, do ta gjejmë në shumicën e vendeve të Ballkanit dhe Evropës Juglindore. Po ta kërkojmë gjuhësisht, do të habitemi se si lahuta, në gjuhën rumune, është thuajse identike me gjuhën shqipe: "la?uta". Me një kërkim të thjeshtë në internet, po ashtu, origjinën e saj do ta gjeni nga persishtja e vjetër, "al ud", të cilin instrument edhe sot e kësaj dite, e gjeni në Iran, vendet arabe, ca vende afrikane, ballkanike etj.

LAHUTA NË FJALORIN SHQIP

Në një nga fjalorët e instaluar në internet "shqip-shqip", të ndikuar po ashtu nga ideologjia komuniste e kohës së Enver Hoxhës, emrin lahutë e gjejmë me këtë kuptim: "Vegël muzikore e përbërë nga një kasë vezake druri, e mbuluar përsipër me lëkurë e me bisht të gjatë, që ka vetëm një fill të komtë ose vetëm një tel dhe që i bien me hark të përkulur për të përcjellë këngët. Lahuta shqiptare. Lahuta e malësorit. Lahuta bridashe. fig. poezia popullore epike, këngët e trimërisë. Harku (bishti) i lahutës. I bie lahutës. Këndojnë me lahutë. * Lahutë (këngë) e butë muz. shih te BUTË (i, e). E vuri në bisht (në grykë) të lahutës dikë e talli, e vuri në lojë." Ndërsa nëse e shënojmë "lahutari", do ta gjejmë këtë shpjegim në këtë fjalor: "Lahutari - Ai që i bie lahutës. Lahutari i malësisë. Kënga e lahutarit." Lahuta është bërë shumë e njohur për shqiptarët, edhe me veprën epike "LAHUTA E MALCÌS" nga Gjergj Fishta, e cila vepër sikurse thuhet se u shkrua dhe u përfundua gati për tri-katër dekadat e para të shekullit XX. Në parathënien e kësaj vepre në një nga botimet e saj, me titullin e toskërizuar shqip "Lahuta e Malësisë", At Daniel Gjeçaj shkruan: "Në tê, endè i rí, Fishta nisi të këndojë si mâ i miri rapsod i maleve, edhe pse s'dinte t'i binte lahutës arkaike, trimënitë e Kombit, herojtë e tij dhe luftat që këta, banorë të Jutbinës shqiptare, zhvilluen, jo për të grabitë të bijnë e krajlit, as për të çetue në krajlì, por për të librue nga prangat e robnisë shumshekullore vendin e vet, trojet e të Parëve, farefisin me trung e rrajë ilire. Nga ky trung, i cili s'e buer kurr linfën e jetës, ashtu si s'e ndërroi kurr identitetin e vet tejèt të vjetër, as s'pranoi të shortohej me pipa e filiza të huej, Atë Gjergji xuer drunin e Lahutës dhe kësajë, mbasi e pregaditi me dorën e mjeshtrit, ia ngrehi ambël zhargun dhe ia ujdisi mirë qimet, sa mos me e njohtë kush se a ishte vegëla e rapsodëve të Mujës e të Halilit apo strument muzikuer i shkollarit…"

TRASHËGIMIA KULTURORE E SERBISË NË UNESKO

Ndoshta picat e flia e kanë prejardhjen nga ilirët, sikurse edhe laknuri e pitet e sotme, por bota picën e njeh si italiane. Ndoshta popujt varësisht nga fuqia e tyre e kohës, në aspektin politik, ekonomik, gjuhësor e global, arrijnë të imponojnë patentat për produkte të caktuara, qofshin edhe të krijuara më parë nga popujt e tjerë, më të vegjël apo më të pafuqishëm se ta. Sidoqoftë, bota mësohet me ta dhe ende vazhdojnë studimet për të përgënjeshtruar rezultatet e deritashme shkencore, etnomuzikologjike etj. Edhe sot Serbia mundet t'i përvetësojë produktet e ndryshme të kulturës materiale dhe shpirtërore, të krijuara ndoshta vetëm nga shqiptarët, për shkak të fuqisë dhe anëtarësimit të saj në UNESKO dhe pamundësisë së deritashme të Kosovës të anëtarësohet në këtë organizatë të superfuqishme për kulturë, shkencë dhe kulturë. Por është edhe një e vërtetë tjetër shkencore se, shumë nga instrumentet e sotme muzikore, këngët, vallet etj., kanë shtrirje përtej një territori të sotëm pas krijimit të shteteve nacionaliste. Dikur etnitë e ndryshme ishin në një perandori të gjerë shumëkulturore dhe krijimtaria kulturore dhe shpirtërore u takonte të gjithëve pa dallim, ndryshe nga sot, duke e parë me syzet e kësaj kohe bashkëkohore dhe monoetnike. Instrumente të tilla gjeni edhe në vendet fqinje e më larg, e si ta dimë se e kujt është?! Nga kërkimet tona, kemi vërejtur se pavarësisht ngjashmërive, diku lahutë e kanë me disa tela, ndryshe nga dominimi i lahutës shqiptare me një tel, ndryshe nga sharkia me pesë, gjashtë e dymbëdhjetë. Disa lahuta të popujve të tjerë, kanë më shumë se një tel.

TRASHËGIMIA KULTURORE E SERBISË NË UNESKO

Serbia e 'lufton' në mënyrë aktive anëtarësimin e Kosovës në UNESKO. Ajo përpiqet vazhdimisht të lobojë në shtetet e ndryshme, kundër votës për Kosovën në këtë organizatë relevante globale. Kosova dështoi të merrte votat për anëtarësim edhe pas paraqitjes së kërkesës për anëtarësim. Serbia jo vetëm që ka pasur sukses në dështimin e Kosovës në UNESKO, por edhe trashëgiminë kulturore që gjendet në Kosovë, ta përkufizojë si trashëgimi kulturore dhe historike serbe. Në vitin 2004 dhe 2006, Serbia ka regjistruar "Monumentet Mesjetare në Kosovë" në UNESKO. Ndërsa trashëgimia tjetër e saj, e regjistruar në UNESKO, përbëhet nga këto lokacione: GamzigradRomuliana, Pallati i Galeriusit (2007), Stari Ras dhe Sopoçani (1979), Gurëvarret e varrezave të Steçcit (2016) dhe Manastiri Studenica (1986). Ka edhe një listë nominimesh të reja kulturore!

PËRSHKRIMET MBI TRASHËGIMINË KULTURORE TË SERBISË NË UNESKO

Në faqen zyrtare të UNESKO-s, kështu përshkruhen disa nga sajtet arkeologjike, historike dhe kulturore të Serbisë: "Gamzigrad-Romuliana është një pallat i vonë romak dhe kompleks përkujtimor i ndërtuar në fund të shekullit të 3-të dhe në fillim të shekullit të 4- të, porositur nga perandori Galerius Maximianus. Fortifikimet e forta të pallatit janë një aluzion për faktin se Perandorët e Tetrarkisë ishin të gjithë udhëheqësit e lartë ushtarakë. Marrëdhëniet hapësinore dhe vizuale ndërmjet pallatit dhe kompleksit përkujtimor, ku mauzolejet e Perandorit dhe nëna e tij Romula të vendosura, janë unike." Sa i përket monumenteve mesjetare në Kosovë nga Serbia, në UNESKO, shkruhet: "Të katër ndërtesat e sajtit pasqyrojnë pikat e larta të kulturës kishtare bizantine-romake, me stilin e saj të veçantë të pikturës murale, e cila u zhvillua në Ballkan ndërmjet shekujve 13 dhe 17. Manastiri i Deçanit është ndërtuar në mesin e shekullit të 14-të për mbretin serb Stefan Deçanski dhe është gjithashtu mauzole e tij. Patriarkana e Manastirit të Pejës është një grup prej katër kishash me kube me seri të pikturave murale. Afreskat e shekullit të 13-të të Kishës së Apostujve të Shenjtë janë pikturuar në një stil unik, monumental. Afreskat e hershme të shekullit të 14-të në kishën e Virgjërës së Shenjtë të Lëvisës përfaqësojnë pamjen e të ashtuquajturit stilin Palaiologjik të Renesancës, duke kombinuar ndikimet e traditës ortodokse bizantine lindore dhe romake perëndimore. Stili ka luajtur një rol vendimtar në artin pasardhës të Ballkanit." Vendi i këtyre monumenteve, shkruhet se është Krahina Autonome e Kosovës, me pronë 2.8802 hektarë, e regjistruar në vitin e trazirave të marsit 2004. Ndërsa lokacioni tjetër me rëndësi është Stari Ras dhe Sopo?ani. Sipas përshkrimit të UNESKO-s, këto "janë një pronë serike që përbëhet nga katër përbërës të veçantë që gjenden në rajonin e Rashkës të Serbisë jugore: Manastiri Sopo?ani, Manastiri i Gjurshtajvi Stupovit, Shën Apostujt e Shën Pjetrit dhe Shën Pali (Kisha e Shën Pjetrit) dhe vendi arkeologjik i Mesjetës Qyteti i Ras. Koleksioni mbresëlënës i tre monumenteve kishtare që datojnë nga shekulli i 10-të deri në shekullin e 13-të ilustron në mënyrë të dukshme lindjen e veprimtarisë artistike në Serbinë mesjetare, e cila arriti standardet më të larta në artin dhe kulturën e Perandorisë Bizantine dhe rajonet e Evropës Qendrore dhe Juglindore. Kompleksi arkitektonik unik i formuar nga struktura të shumta në Stari Ras (Ras), që ndodhet në udhëkryqin e ndikimeve lindore dhe perëndimore, dëshmon për periudhën nga 12 deri në fillim të shekullit të 14- të, kur qyteti i lashtë ishte kryeqyteti i parë i shtetit serb…" Sa i përket gurëve të varrezave mesjetare të Serbisë, shkruan: "Gurët e varrezave mesjetare të Ste?çit - Kjo pronë serike kombinon 28 vende, të vendosura në Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi Perëndimore, Mali i Zi Perëndimor dhe Kroaci Qendrore dhe Jugore, duke përfaqësuar këto varreza dhe varreza mesjetare rajonale ose ste?ci. Varrezat, të cilat datojnë nga shekulli i 12-të deri në shekullin e 16-të, janë vendosur në rresht, siç ishte zakon në Evropë nga Mesjeta. Ste?ci janë të gdhendura kryesisht nga gurë gëlqerorë. Ato paraqesin një gamë të gjerë të motiveve dekorative dhe mbishkrimet që përfaqësojnë vazhdimësinë ikonografike brenda Evropës Mesjetare, si dhe traditave vendore dalluese." Dhe Manastiri i Studenicës, thuhet se "u krijua në fund të shekullit të 12-të nga Stevan Nemanja, themeluesi i shtetit serb mesjetar, pak pas abdikimit të tij. Është manastiri më i madh dhe më i pasur i kishave ortodokse të Serbisë. Dy monumentet kryesore të saj, Kisha e Virgjëreshës dhe Kisha e Mbretit, të dyja të ndërtuara me mermer të bardhë, ruajnë koleksionet e jashtëzakonshme të pikturës bizantine të shekullit të 13-të dhe 14-të…" (shih shumicën e këtyre informacioneve në linkun: http://whc.unesco.org/en/statesparties/RS).

 

(Kosova Sot)